E Diel, 1 Nëntor 2026

Rupel: BE-ja do zgjedhje të lira në Maqedoni

 

"Bashkimi Evropian kërkon që zgjedhjet në Maqedoni të jenë të lira". Këtë kërkesë i ka përcjellë shefi i diplomacisë sllovene, Rupel, presidentit të vendit Branko Cërvenkovsi. Në takimin e zhvilluar mes tyre, ai ka thënë se Sllovenia dhe Bashkimi Evropian po e ndjekin me shumë vëmendjen procesin zgjedhor në Maqedoni. “Ky proces, edhe mund të ngadalësojë procesin e integrimit euroatlantik të vendit për shkak të parregullsive të shumta”- deklaroi shefi i diplomacisë sllovene.

Në takimin me presidentin Branko Cërvenkovski, Rupel tha se BE-ja pret nga institucionet dhe partitë politike të Maqedonisë që të dielën më 15 qershor të angazhohen maksimalisht për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike.

Sipas tij, Brukseli pret përmbushjen e të gjitha kritereve, që janë kusht për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Në bisedën e zhvilluar ai shfaqi shpresën edhe për arritjen e kompromisit me Greqinë për çështjen e emrit, gjë që do t'i hapte rrugë anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Gjatë qëndrimit në Shkup, Rupel u takua edhe me liderët e partive politike shqiptare dhe maqedonase.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›