Skrapi i merr jetën 13-vjeçarit nga Shkoza
Familjarët e viktimës, në kërkim të vëllait 12-vjeçar, që ishte zhdukur nga frika. Trupi i pajetë u gjet pas 2 orësh kërkime
Alfons Nika kishte pohuar në shkollë se do të shkonte në kishën e Laçit, por vdiq për pak lekë nën dhe
TIRANË- Mungesën në shkollë e ka justifikuar me pelegrinazhin tek kisha e “Shna Ndout”, por 13-vjeçari kishte më shumë nevojë për para, sesa për fat. Në të vërtetë ka shkuar të mbledhë skrap në “minierën” e krijuar fare pranë banesës së tij, në Shkozë të Tiranës dhe një masiv dheu e ka zënë poshtë, duke i marrë jetën. Vdekja e dhimbshme e 13-vjeçarit Alfons Nika ndodhinë sy të shumë fëmijëve të tjerë, mes të cilëve edhe vëllai 12-vjeçar i viktimës. Ngjarja ndodhi pranë ish-uzinës së Traktorëve në Shkozë të Tiranës, kur Alfonsi 13-vjeçar gjeti vdekjen, pasi një masiv dheu e mbuloi teksa ai ndodhej brenda një pusi të hapur për nxjerrjen e hekurishteve. Në vendin e ngjarjes mbërritën banorët e lagjes, të cilët e kishin të pamundur rihapjen e pusit për të nxjerrë trupin e pajetë të të miturit. Ndërkohë, policia dhe fadroma të kërkuara prej saj mbërritën në vendngjarje, të cilët bënë të mundur nxjerrjen e 13-vjeçarit nga dheu, pas 2 orësh kërkime.
Ngjarja
Alfons Nika kishte shkuar së bashku me një grup fëmijësh, mesditën e djeshme, pranë një grope të madhe të krijuar për gjetjen e hekurishteve pranë ish-uzinës së traktorëve në Tiranë. Qëllimi i tyre ishte mbledhja e skrapit, për të siguruar pak para nga shitja e tij. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, disa fëmijë zbrisnin në gropë për të nxjerrë skrap, ndërsa të tjerët qëndronin në sipërfaqe.Në një moment, 13-vjeçari Alfons Nika dhe vëllai i tij më i vogël ndodheshin brenda në “minierë” për të nxjerrë skrapin. Teksa po vazhdonin të gërmonin, masivi i dheut që ndodhej në sipërfaqe pranë gropës ka rrëshqitur, duke i zënë brenda dy vëllezërit. Njëri prej tyre ka mundur të dalë me shpejtësi, ndërsa 13-vjeçari nuk ka mundur të shpëtojë, pasi masivi i dheut e ka përplasur duke e mbuluar. Dëshmitarët e vdekjes së Alfonsit ishin të gjithë fëmijë, të cilët u shpërndanë mes panikut dhe lotëve për atë që kishte ndodhur. Prindërit e tyre kanë vënë re sjelljen e pazakontë të fëmijëve dhe pas këmbënguljes kanë mësuar për ngjarjen e rëndë, të ndodhur në ish-uzinën e Traktorëve. Këta të fundit pasi mësuan për ngjarjen shkuan menjëherë pranë gropës, e cila ishte gjysmë e mbuluar nga dheu, brenda së cilës ndodhej 13-vjeçari.
Kërkimet
Pavarësisht përpjekjeve të burrave të lagjes, të cilët filluan të gërmonin me lopatë ka qenë e pamundur nxjerrja me shpejtësi e Alfonsit. Fëmijët tregonin vende të ndryshme se ku ndodhej momentin e fundit 13-vjeçari, duke çorientuar personat të cilët gërmonin. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta policie si dhe një fadromë, e cila nisi heqjen e dheut për të nxjerrë trupin e Alfonsit, ku shpresat se ai ishte gjallë ishin shuar. Plot dy orë u janë dashur punëtorëve të fadromës të nxjerrin trupin e 13-vjeçarit.Pasi pa të vëllanë të humbasë mes masës së dheut, ndërsa vetë shpëtoi mrekullisht, 12-vjeçari u largua me shpejtësi në gjendje paniku. Për më shumë se katër orë asnjë nuk e dinte vendndodhjen e tij. Frika dhe tmerri kishin detyruar të miturin të largohej nga shtëpia. Vdekja e 13-vjeçarit shokoi familjarët e tij, të cilët “shpërfillën” arratisjen e djalit tjetër. Të paktën, ai ishte gjallë. Megjithatë, pas disa orësh, të afërmit nisën të kërkonin 12-vjeçarin, i cili u gjet pas shtëpisë duke qarë, ndërsa ndodhej në gjendje shoku. Alfons Nika ishte djali i shtatë i familjes, ndërsa kishte edhe katër motra. Babai i 13-vjeçarit punonte si roje në një objekt privat, ndërsa nëna ishte pastruese. Ditën e djeshme, një pjesë e mirë e familjes së Alfonsit kishin shkuar në kishën e Laçit, për festën e “Shna Ndoit”, ku dhe kanë mësuar lajmin e kobshëm. Ata janë nisur menjëherë në drejtim të Tiranës dhe u dërguan në morgun e spitalit për të tërhequr trupin e pa jetë të djalit të tyre.
RRËFIMI
E mitura: Shpëtova
për pak nga vdekja
TIRANË- Banorët e zonës pranë ish-uzinës së Traktorëve në Shkozë të Tiranës gërmonin për të mbledhur skrap. Ata kishin hapur disa gropa të mëdha, brenda së cilave gjendeshin shumë hekurishte, por askush nuk i mbyllte gropat më pas. Njëra prej tyre përpiu mesditën e djeshme Alfonsin 13-vjeçar, skenë e cila ndodhi para syve të shtatë fëmijëve të tjerë të moshës 4 deri në 14-vjeç. Një vajzë 10-vjeçare, vetëm pak minuta para se masa e dheut të mbulonte gropën, kishte dalë prej saj, duke i shpëtuar vdekjes. “Alfonsi ndodhej brenda në gropë, kur dheu e mbuloi dhe ne nuk e pamë më”, -tregoi 10-vjeçarja. Pas vdekjes së shokut të saj, ajo as nuk guxon të mendojë se do të mbledhë sërish skrap. “Mblidhja hekurishte për të fituar lekë. Por tani nuk do të mbledh më se kam frikë” -shtoi më tej vajza. Vdekja e 13-vjeçarit ka shokuar jo pak banorët e zonës, të cilët pasi mësuan lajmin vërshuan pranë “minierës” për të mësuar se cili fëmijë kishte mbetur nën dhe, pasi shumë fëmijë ndodheshin në atë moment pranë gropës. Policia pasi zbardhi rrethanat e ngjarjes bëri të mundur mbulimin e gropës, ndërsa rrethoi për disa orë zonën përreth. K.K