Qeveria shtyn edhe tre vjet moratoriumin e skafeve
Pas skadimit të afatit trevjeçar për përdorimin e skafeve në Adriatik dhe Jon, qeveria ka vendosur të shtyjë edhe për tre vjet të tjera afatin e ndalimit. Edhe pse, qeveria trumbeton shpresa të mëdha për liberalizimin e vizave, pra për uljen e ”kërkesës”, për të emigruar ilegalisht, Berisha e ka justifikuar moratoriumin e ri, me skafistët që dërgojnë lëndë narkotike në shtetet fqinje. “Heqja e vizave është përgjigja më e shkëlqyer e dëshirave, nevojave, problemeve të qytetarëve shqiptarë për të lëvizur në hapësirat e BE-së. Kështu që sërish famëzezat skafe mbetën vetëm për trafiqe kriminale, ndaj dhe ujërat tona do të jenë të pastra prej tyre. Mendoj se është një masë adekuate, shumë e përshtatshme në betejën e shpallur në luftën me zero tolerancë ndaj mafies”. Duke i kthyer përgjigje ankesave të agjentëve turistikë në bregdet, Berisha ka theksuar se skafet nuk kanë asgjë të përbashkët me turizmin. “Këto mjete të vogla dhe të shpejta lundrimi nuk kanë asgjë të përbashkët me turizmin, por janë tërësisht industri e mafies dhe trafiqeve, ndaj dhe si një dëshmi e vullnetit të hekurt të kësaj maxhorance, për t’i dhënë përgjigjen më të mirë, për të parandaluar krimin dhe mafien ne zgjasim edhe tre vjet të tjera dhe vazhdimisht deri sa të jemi në pushtet këtë moratorium”. Para ministrave të tij, Berisha theksoi se zbatimi i moratoriumit ka pasur efekte jashtëzakonisht pozitive, pasi gjatë këtyre katër viteve fatmirësisht nuk janë shënuar viktima në Otranto dhe brigjet e tjera të vendit, “Ndërkohë që para moratoriumit, vetëm të regjistruar janë 420 burra, gra, fëmijë, të cilët kanë humbur jetën në thellësitë e ujërave të ftohta të Jonit apo të Adriatikut.”