E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekretari francez:Koalicioni PD-LSI pjekuri e demokracisë

 

Adi Shkëmbi

Pierre Lellouche, Sekretari i Shtetit i ngarkuar me Çështjet Evropiane në Francë, i cili mbërriti dje për një vizitë dy ditore në Shqipëri, ka vlerësuar koalicionin qeverisës mes PD-së dhe LSI-së si arritjen e një shkalle të re të demokracisë shqiptare. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, ai theksoi se “zhvillimi i mirë i përgjithshëm i zgjedhjeve të 28 qershorit është përshëndetur nga Bashkimi Evropian”.
Si i shihni ju marrëdhëniet zyrtare mes Parisit dhe Tiranës? A janë ato në nivelin më të mirë apo ka akoma vend për përmirësime?
Çdo marrëdhënie bilaterale, sado e shkëlqyer që të jetë, dhe këtu është edhe rasti mes Francës dhe Shqipërisë, mund dhe duhet gjithmonë që të përmirësohet! Qeveria franceze është e vendosur të forcojë lidhjet e saj me Shqipërinë, veçanërisht në fushën ekonomike, por gjithashtu për të thelluar dialogun politik. Duke pasur parasysh progreset e arritura këto vitet e fundit nga Shqipëria, është e domosdoshme që investitorët francezë të jenë akoma më shumë prezent. Ky është një nga mesazhet kryesore që unë dua t’i drejtoj interlokutorëve të mi shqiptarë në kuadrin e kësaj vizite, dhe veçanërisht, sigurisht me mikun tim Kryeministrin Berisha. Në planin politik, Franca vlerëson në mënyrë të veçantë rolin moderator të luajtur nga Shqipëria në një rajon ku konfliktet dhe tensionet janë akoma të vonshme. Vendet tona ndajnë të njëjtin vullnet për të stabilizuar këtë rajon dhe ta shohin atë të sillet vendosmërisht drejt së ardhmes së saj evropiane. Gjithashtu konsultimet politike me Tiranën në lidhje me situatën në mjedisin e saj rajonal, më duken se janë ndjekur me vëmendje. Më është dukur pra krejt e natyrshme që vizitën time të parë ta rezervoj në këtë pjesë të Evropës, në Shqipëri.
Tre vende të rajonit, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia kanë përfituar nga liberalizimi i regjimit të vizave me BE, në një kohë kur Shqipëria dhe Bosnja kanë mbetur prapa. Ka një perceptim sikur këto vende kanë ngelur jashtë listës për arsye të popullsisë së saj myslimane?
Vendimi për të liberalizuar regjimin e vizave për shumë vende të Ballkanit është një hap i rëndësishëm që Franca e ka mbështetur fuqimisht. Vetëm disa prej tyre do të mund të përfitojnë, duke filluar që nga ky muaj në vijim por porta është e hapur në mënyrë që Shqipëria ose Bosnja-Hercegovina të mund të përfitojnë sapo të jetë e mundur, dhe unë shpresoj që vitin që vjen.
Perceptimi që ju përmendni është absolutisht pa baza. Nuk do të ketë nga pikëpamja e Francës asnjë diskriminim mes vendeve të Ballkanit dhe sigurisht jo mes besimeve  fetare. Të gjitha  vendet e Ballkanit kanë për Francën mundësinë që t’i bashkohen Bashkimit Evropian, ashtu siç edhe ishte saktësuar gjatë Samitit të Zagrebit në vitin 2000, gjatë presidencës franceze të Bashkimit.
Procedura e liberalizimit të vizave rezulton vetëm në respektimin e kritereve teknike nga secili vend: sigurimi i pikave kufitare, sigurimi i dokumenteve të udhëtimit dhe dhënia e tyre. Ekspertët e Komisionit të specializuar vlerësojnë shkallën e plotësimit të këtyre kritereve dhe paraqesin një raport. Në bazë të këtij dokumenti, Komisioni i propozon një rekomandim Këshillit. Asnjë konsideratë tjetër nuk merret parasysh.
Autoritetet shqiptare mendojnë se kanë respektuar të gjitha kërkesat që kanë të bëjnë me vizat. Kur mendoni ju se do të ketë një vendim për heqjen e vizave për Shqipërinë?
E njoh rëndësinë e çështjes së vizave për autoritetet dhe opinioni publik shqiptar. Një nga shtyllat kryesore në të cilat mbështetet Evropa e sotme është liria e lëvizjes. Dhe për vendet evropiane, të cilat nuk janë aktualisht anëtare të Bashkimit Evropian, në veçanti në rajonin e Ballkanit, ky është një element esencial për afrimin e shoqërive të tyre, për të filluar me brezat e rinj, në hapësirën evropiane dhe me vlerat e saj. Por ju e dini se çështja e vizave është diçka e ndjeshme dhe nganjëherë e vështirë për BE edhe për arsyen se ajo gjendet shpesh e konfrontuar çdo ditë me kalimet ilegale në territorin e saj.
Përpjekjet e Shqipërisë për të respektuar kriteret e udhëzuesit të përgatitura nga Komisioni dhe, veçanërisht, puna e çmuar për sigurimin e dokumenteve të identitetit që është realizuar me ndihmën franceze, janë të njohura. Komisioni Evropian e ka shprehur. Shqipëria duhet tashmë të drejtojë përpjekjet e saj për t’i kthyer ato në vepra konkrete dhe efektive në terren, sidomos në sigurimin e kufijve.
Jam i bindur se kriteret akoma të paplotësuara janë të arritshme për Shqipërinë. Këshilli i Drejtësisë dhe i Punëve të Brendshme ka vendosur me 30 nëntorin e kaluar të rishikojë liberalizimin e vizave me vendin tuaj, “sa më shpejt që të jetë e mundur”. Franca, e cila mbështet procesin e liberalizimit të vizave me vendin tuaj ka dhënë mbështetjen e saj në këtë drejtim. Ajo është e dispozuar që të ndihmojë Shqipërinë që të arrij sa më shpejt këtë objektiv.
Para 19 vjetësh shqiptarët përmbysën regjimin komunist, duke thirrur “E duam Shqipërinë në Evropë”. Pas sa kohësh Shqipëria do të jetë pjesë e BE?
Ashtu si në Evropën Qendrore, çlirimi i Shqipërisë nga totalitarizmi komunist nga populli i saj u shoqërua nga kërkesa e dyfishtë dhe plotësuese për demokracinë në kuadrin kombëtar dhe me “kthimin në Evropë” dhe vlerat e saj. Dhe është përsëri kjo kërkesë e dyfishtë, e cila është shprehur nga dhjetëra e mijëra Shqiptarë në Tiranë të martën e kaluar, ku u përkujtuan manifestimet e studentëve të 8 dhjetorit 1990. Më kujtohen mirë për më tepër këto lëvizje mallëngjyese për shpresë dhe liri, ngaqë atëherë kam qenë, që në fillim, përkrah Sali Berishës si i ngarkuar me marrëdhëniet ndërkombëtar të RPR. Nga kjo pikëpamje, Shqipëria është tashmë prej shumë kohësh një vend evropian.
Një nga objektivat kryesore të vizitës sime në Tiranë është të tregohet mbështetja e plotë e Francës për përpjekjet e Shqipërisë në afrimin e saj me Bashkimin Evropian. Presidenti i Republikës franceze. Z. Nicolas Sarkozy, ia ka shprehur këtë Z. Berisha në prillin e kaluar gjatë takimit të tyre në Paris. Nuk ka asnjë dyshim për ne se, Shqipëria do t’i bashkohet BE. Përsa i takon kohës se sa duhet, përgjigjja varet në një pjesë të madhe nga vullneti dhe kapaciteti i reformës në vetë Shqipërinë!
Tani që Traktati i Lisbonës është ratifikuar dhe që debati institucional është në esencë pas nesh, një nga prioritetet e para për BE do të jetë në fakt përfundimi i procesit të gjatë të stabilizimit tê Ballkanit në të cilin Shtetet e saj anëtare, dhe Franca në veçanti, kanë investuar që prej pesëmbëdhjetë vjetësh. Kjo varet nga kredibiliteti i perspektives evropiane. Por është e nevojshme, si për suksesin e “transformimit” të kandidatëve, ashtu edhe për të siguruar një vazhdimësi funksionimi efikas të BE që të mbahet një nivel kërkesash të larta.
Shqipëria është tashmë në rrugë të mbarë, por ka akoma për të bërë. Franca ka mbrojtur me sukses në gjirin e Këshillit në favor të një transmetimi sa më të shpejtë të mundshëm të kandidaturës shqiptare në Komisionin Evropian, mendimi i së cilit do të jetë përcaktues për njohjen e statutit të kandidatit dhe të fillimit të negociatave. Tani që kjo etapë ka kaluar më 16 nëntor, Shqipëria duhet t’i përgjigjet me përgjegjshmëri një pyetësori të gjatë që i është dërguar nga Komisioni.
Para gjashtë muajve, zgjedhjet e përgjithshme që i zhvilluan në vendin tonë u fituan nga Partia Demokratike. Por opozita nuk i pranon këto rezultate dhe kërkon një hetim parlamentar dhe hapjen e kutive të votimit. Nga ana tjetër, maxhoranca afirmon se zgjedhjet janë certifikuar nga kolegji elektoral. Si e shihni ju situatën politike në vendin tonë sot?
Zhvillimi i mirë i përgjithshëm i zgjedhjeve të 28 qershorit është përshëndetur nga Bashkimi Evropian, i cili është vënë në dijeni nga raporti final pozitiv i nxjerrë nga misioni vëzhgues i zgjedhjeve të OSBE-së. Me koalicionin e ri që doli, demokracia shqiptare ka arritur për më tepër një shkallë të re pjekurie.
Situata politike aktuale e ndarjeve dhe tensioneve me duket jo më shumë, por për të ardhur keq. Do të doja të ftoja forcat politike shqiptare të përpiqen që të vendosin një dialog politik konstruktiv dhe të bashkojnë në gjirin e parlamentit përpjekjet e tyre për të kaluar së bashku dhe me sukses sfidën e mrekullueshme të integrimit evropian.
Stabiliteti i jetës demokratike në alternancë dhe respektim te rregullave të demokracisë që dallon fitimtarêt nga të mundurit gjatë një zgjedhjeje janë kushtet themelore për pjesëmarrjen e Shqipërisë demokratike në BE si gjithë vendet e tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›