E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Të hapim kutitë e materialeve zgjedhore

Opozita “përgënjeshtron” Kryeministrin Sali Berisha për mungesën e draftit të negociatave Kreu i PS-së pranon gjykimin e Komisionit të Venecias për kutinë e fletëve të votimit

Në të njëjtën ditë kur Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se në tryezë nuk ka ende një draft për zgjidhjen e krizës politike, kundërshtari i tij, Edi Rama, nuk ka vonuar që ta bëjë publik një të tillë. Nga selia e Partisë Socialiste, në cilësinë e kreut të saj, ai ka bërë të njohur projektin të cilin opozita shqiptare është e gatshme që ta pranojë për t’i hapur rrugë transparencës. “Kompromisi është gati, transparenca dhe kushtetueshmëria. Transparencë në funksion të garantimit të zgjedhjeve të ardhshme... Ne e kemi pranuar dhe jemi të gatshëm në çdo moment që ta zgjidhim përmes vullnetit dhe padyshim edhe përkushtimit tonë në funksion të transparencës këtë krizë... Hetimi fillon me hapjen e kutive të dokumentacionit të zgjedhjeve. Ndërsa kutitë e votimit jemi të gatshëm t'ia lëmë një pale të tretë, siç është Komisioni i Venecias”, ka deklaruar Edi Rama. I përfolur që dy ditë më parë, varianti në fjalë ka marrë me prononcimin e tij natyrën e një oferte zyrtare që tanimë pret përgjigjen e shumicës në pushtet. Për ta vendosur në një plan edhe më të gjerë, dalja e djeshme në konferencë për shtyp të Edi Ramës konfirmon pozitivisht edhe apelin publik të kreut të prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch. Në një kuptim, faktori ndërkombëtar ka në tryezë një draft të plotësuar vetëm me firmën e opozitës shqiptare, e cila me miratimin e vet ka zhvendosur përgjegjësinë për zgjidhjen e krizës drejt shumicës në pushtet dhe drejtuesit të saj, Sali Berisha. Në raport me pjesëmarrësit në grevë urie dhe protestuesit e tubuar më 14 maj në Tiranë, por edhe me elektoratin e majtë, PO-ja e Ramës për propozimin në fjalë i bën jehonë premtimit të bërë “për një zgjidhje të afërt”. Në këtë zhvillim të ri, avantazhi i PS dhe aleatëve të saj qëndron jo vetëm te gatishmëria për të pranuar projekte konkrete anti-krizë, por edhe pse ky projekt mbështetet nga faktori ndërkombëtar. Në një farë mënyre, protestat dhe greva e urisë kanë arritur të luajnë një rol të madh në moderimin e pozicioneve të qeverisë dhe diplomacisë evropiane, duke diktuar përqasje të reja ndaj kërkesave të selisë rozë. Aparati i forcës së organizuar njerëzore ka dhënë efekte politike, të cilat Rama nuk ka munguar që t’i risjellë në vëmendje si alternativë e qëndrueshme imponimi. “I neveris që të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj marrëzie qeveritare, të transformuar në një propagandë kundër opozitës. Por u them se e kanë të kotë. Ne nuk zmbrapsemi, nuk lodhemi dhe nuk ndalemi, sepse nuk po kërkojmë interesin e njërës palë, por interesin që të gjitha palët të bashkëjetojnë”, është shprehur ai. Prova e vërtetë e forcës në këtë ballafaqim është reduktuar te lufta e nervave që duhet thënë se ka nxjerrë në sipërfaqe një vullnet të ri të opozitës shqiptare, e mbërthyer keq pas lumit të kritikave post-zgjedhore dhe përçarjes që provokoi 28 qershori 2009. “Ne nuk ndalemi”, është fraza që sipas gjasave përcjell më mirë opsionin politik të kundërshtarëve të Sali Berishës, të cilët ai i ka ribashkuar edhe njëherë. Nuk ka munguar në fakt një përgjigje edhe për qëndrimet ironike të Kryeministrit lidhur me grevën e urisë dhe kërkesën për të lejuar ekipe zyrtare mjekësore. “Kryeministri po trajton me cinizëm grevën që po transmetohet në sytë e të gjitha mediave, të varura dhe të pavarura. Kjo grevë po ndiqet nga një grup mjekësh të nderuar e të respektuar. Nëse qeveria do të bëjë inspektime, ajo le t’i bëjë, askush nuk e pengon. Por në këtë deklaratë të Berishës unë shoh diçka të neveritshme, që ka të bëjë me një dëshirë të fshehur që në atë çadër të ndodhë diçka e keqe, që të ndikojë te protesta e opozitës”, ka deklaruar Edi Rama, duke dalë me një qëndrim edhe për sa u përket akuzave për mungesë të transparencës së grevës së urisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›