Furtuna paralizon portet, dëme në qytete
Moti i keq që ka përfshirë të gjithë bregdetin shqiptar ka shkaktuar vështirësi në ankorimin e anijeve në porte, si dhe pezullim të lundrimit për mjetet e tonazhit të mesëm dhe të ulët. Problemet kanë qenë më të mëdha në portin më të madh të vendit, atë të Durrësit, ku një anije ka dalë në rërë, ndërkohë që raportohen probleme edhe nga portet e Vlorës dhe Sarandës.
DurrësAnija “Emelia”, me flamur kamboxhian, nuk i ka bërë dot ballë detit të trazuar dhe ka këputur spirancën e ka dalë në cekëtinë. Dalja e anijes tremijë tonëshe në afërsi të bregut ka vënë në alarm anijet e tjera që ndodhen në radën portuale, ndërsa Kapitaneria e Portit detar të Durrësit u ka bërë thirrje të gjitha mjeteve lundruese të marrin masa sigurie për të përballuar tallazet detare dhe forcën e erës që ka arritur në 25-30 metra/sekondë. Në mënyrë të vazhdueshme është mbajtur komunikim me anijet që ndjeheshin të rrezikuara nga fortunali detar. Lundrimet ndërkaq janë pezulluar nga të gjitha anijet e tonazhit të ulët dhe të mesëm, ndërsa, sipas operatorëve të shërbimit në Kapitaneri, nuk do të ketë probleme në nisjet e trageteve nga ky port. Problemet janë regjistruar me tragetet në ardhje për shkak të drejtimit të erës. Dy tragetet, “Rigel” dhe “Riviera del Adriatica”, janë ankoruar me vështirësi paraditen e djeshme në terminalin e Portit detar të Durrësit, ndërkohë që nuk ka mundur të ankorohet për orë të tëra trageti “Arbëria” me afro 100 pasagjerë në bordin e tij. Burimet nga Kapitaneria bënë të ditur se era ka fryrë e fortë, duke vështirësuar lundrimet, ndërsa dallgëzimi detar ka shënuar forcën e 7-8 ballëve. Kushtet e lundrimit kanë qenë të pafavorshme për anijet e peshkimit, por edhe anijet e tjera të tonazhit të mesëm. Lundrimet i kanë shtyrë deri në qetësim të motit edhe anijet e tonazhit të madh. Ndërkaq, edhe në tokë kushtet atmosferike kanë shkaktuar probleme, veçanërisht në qarkullimin e këmbësorëve. Era ka qenë e fortë dhe ka penguar lëvizjen, ndërkohë që njerëzit janë ndjerë të rrezikuar dhe nga lëvizja në rrugë, për shkak të shkëputjes së objekteve të pasiguruara nga lartësitë. Probleme ka pasur dhe me luhatjet e tensionit elektrik dhe pasojat e tyre në pajisjet elektroshtëpiake.
VlorëRreth 228 pasagjerë të cilët ishin nisur nga Porti i Brindisit mbrëmjen e së premtes dhe dje duhet të zbarkonin në Portin e Vlorës, kanë qëndruar në det duke pritur që të ulet fuqia e erës, si dhe deti i cili rrezikon tragetin të përplasej me molin. Po ashtu, dhe një peshkatore, e cila ishte duke u kthyer ne Vlorë pasi ishte mbushur me karburant në Itali, ka kërkuar ndihmë në Kapitaneri për ndihmë, se rrezikohej të mbytej. Stuhia ka prekur Vlorën rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm. Era që frynte nga juglindja me një shpejtësi 28 metra për sekondë, bëri që deti të kishte fuqi 4-6 ballë në gji dhe 6-8 ballë në det të hapur.
Era e fortë bëri që mjaft pemë në zonën e Ujit të Ftohtë dhe të skelës të shkuleshin me rrënjë, por fatmirësisht nuk pati të lënduar apo viktima, pasi në atë orë nuk kishte qarkullim në rrugë apo trotuare. Gjithashtu, era ka shkulur dhe mjaft tabela dhe reklama buzë rrugëve, ndërsa shumë qepena dyqanesh kanë dalë nga vendi, si dhe disa xhama apartamentesh janë thyer.
Sikur kjo të mos mjaftonte, në mesditë një valë e madhe shiu me intensitet të lartë ra në qytet dhe rrufetë bënë që sinjali celular të pësonte luhatje dhe po ashtu dhe të gjithë transmetitorët televizivë të shkëpusnin sinjalin, pasi në zonën e Zvërnecit një kabllo elektrike u dogj si pasojë e shkarkimeve elektrike.