E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni turistik shton aksidentet në rrugë

Një i ri vdiq të premten në mbrëmje në Velipojë. Disa turistë nga Tetova u plagosën rrugës për në Vlorë

Një aksident me pasojë vdekjen e një shtetasi dhe plagosjen e një tjetri ka ndodhur rreth orës 22:30 të së premtes, në afërsi të plazhit të Velipojës. Policia e Shkodrës njoftoi se viktimë e këtij aksidenti është shtetasi Ervis Qarri, 21 vjeç, banues në fshatin Barbullush të Shkodrës, ndërsa është plagosur lehtë shtetasi Vladimir Shenja, nga Velipoja. Sipas policisë, në aksident janë përfshirë një “Mercedes Benz” që drejtohej nga Vladimir Shenjo dhe një “Fiat” që drejtohej nga Ervis Qarri. Si pasojë e përplasjes së fortë të këtyre dy automjeteve që lëviznin në drejtime të kundërta, ka mbetur i vdekur drejtuesi i automjetit tip “Fiat”, Ervis Qarri. Me gjithë ndihmën e dhënë në spitalin e Shkodrës, ai nuk ka mundur të shpëtojë, për shkak të plagëve të rënda të shkaktuar nga përplasja. Policia ka shoqëruar në komisariat shtetasin Vladimir Shenja, i cili dyshohet të jetë shkaktar i këtij aksidenti.
Aksident në Levan, plagosen tre persona

Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në hyrje të fshatit Levan të Fierit, përgjatë rrugës kombëtare Fier-Vlorë. Një furgon me targa të Tiranës është përplasur me një veturë ku udhëtonin katër persona dhe për pasojë janë plagosur pesë persona, tre prej të cilëve në gjendje të rëndë. Burimet policore thonë se pesë të plagosurit, katër prej të cilëve ishin në makinën me targa të Fierit, janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Fierit.

Pak minuta përpara aksidentit të rëndë të ndodhur në Levan, një tjetër aksident është shënuar në rrugët e Fierit, ku janë përfshirë dhjetëra turistë nga Maqedonia. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:00 në daljen perëndimore të qytetit të Fierit, me drejtim qytetin e Vlorës. Autobusi me targa të Tetovës është përplasur me një veturë me targa të Fierit. Përplasja ka qenë e fortë, por fatmirësisht pasojat nuk kanë qenë të rënda. Burimet e policisë tregojnë se në autobus ndodheshin disa të rinj nga Maqedonia, që ishin nisur nga Tetova për disa ditë pushimesh në Shqipëri. Disa prej tyre kanë marrë plagë të lehta, ndërkohë që janë plagosur lehtë edhe tre personat që ndodheshin në veturë. Policia mësohet se ka nisur procedimin penal për drejtuesin e autobusit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›