E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Të hetohet edhe Prifti, ndaj Metës nuk ranë faktet por drejtësia nuk funksionoi

Edi Rama

Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste pas publikimit të videos që implikon ish-ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti është shprehur se drejtësia duhet të hetojë mbi këtë çështje. Përveç kësaj, lideri i opozitës thekson se vendimi i shpalljes së të pafajshëm të Ilir Metës nga Gjykata e Lartë nuk rrëzoi faktet por u dëshmua se sistemi i drejtësisë në vend nuk funksionin. Këto Rama i ka shprehur në një intervistë për Top-Channel.

Në fakt 21 janari, i një viti më parë ndodhi, si pasojë edhe e një videoje që u publikua midis zëvendëskryeministrit Ilir Meta dhe ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Gjykata e Lartë, në fakt ka dhënë një vendim, që ka shpallur të pafajshëm zotin Meta. A ka rënë një argument i juaji?

Rama: Jo. Është fortësuar argumenti publik se ka rënë drejtësia dhe për më tepër, sot ne vazhdojmë të gjendemi përpara provash rrëqethëse të rrëshqitjes së Shqipërisë, drejt një regjimi që synon ta kthejë demokracinë në një formalitet dhe jetën e shqiptarëve në një mjedis të kontrolluar forcërisht, me shpërdorimin e të gjitha mjeteve të pushtetit.

Dje është publikuar edhe një video që këtë herë përfshin zotin Prifti. Cili është qëndrimi i Partisë Socialiste kundrejt zotit Prifti, apo marrëdhënia që sot PS me zotin Prifti?

Rama: Partia Socialiste është e qartë dhe e prerë qëndrimin e saj, se përpara ligjit duhet të jenë të gjithë të barabartë dhe drejtësia duhet të funksionojë njësoj për të gjithë. Cilido qoftë që ka probleme me drejtësinë, duhet të ballafaqohet me drejtësinë. Ndërkohë që për sa i takon zotit Prifti,ai është një deputet i cili ka dalë nga radhët e shumicës qeverisëse, me qëndrime dhe denoncime tronditëse, por nuk është as anëtar dhe as përfaqësues i Partisë Socialiste. Dëshiroj t’u them sot shqiptarëve, se kemi hyrë në një proces përbaltjeje dhe shantazhimesh krejtësisht të padenja në një shtet të së drejtës, me një sfond mafioz, me qëllime të mirëfillta jo politike, por mafioze, për të garantuar me doemos pushtetin, duke ndërmarrë veprime tërësisht të paligjshme. Ky proces, në këndvështrimin tim, vetëm sa ka filluar dhe çfarë kemi parë në përpjekjet e derikëtushme, për të përbaltur me çdo kusht dhe mjet opozitën, për t’u thënë shqiptarëve se këtu janë të gjithë njësoj dhe për të trysnuar në maksimum shpirtin opozitar të këtij populli, duke dëshpëruar njerëzit me një pamje të errët ngado që të kthesh sytë, do të vazhdojë dhe do të thellohet. E mbyll këtë përgjigje, duke thënë se të gjithë përfshirë edhe zotin Prifti, pa dyshim si një nga protagonistët kryesorë të këtyre situatave tronditëse, duhet të bëjmë transparencë dhe duhet t’i ballafaqojmë të gjitha çfarë dijmë, çfarë disponojmë dhe pretendojmë me drejtësinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›