E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Berisha bëri të pamundur reformën në drejtësi

Partia Socialiste ndërpret çdo urë bashkëpunimi me qeverinë, për sa i përket reformës në drejtësi. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zgjedhur podiumin e Asamblesë Kombëtare për të shpallur këtë vendim, i cili, sipas tij, vjen si pasojë e përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë për të zaptuar institucionet që përbëjnë sistemin e drejtësisë në vendin tonë. Sipas tij, të gjitha përpjekjet e socialistëve për të realizuar edhe këtë reformë të domosdoshme, kanë hasur gjithmonë në përpjekjet e kryeministrit për të dominuar të gjitha pushtetet e tjera, përfshi këtu edhe atë të gjyqësor. Lufta e paprinciptë e qeverisë ndaj prokurorisë dhe përpjekja për të ndalur çdo hetim kundrejt një seri ngjarjesh të rënda, siç është tragjedia e Gërdecit, rruga Rrëshen-Kalimash, apo edhe çështja “Fazlliç”, sipas tij, kanë bërë të mundur që të humbasë i gjithë besimi se kjo mazhorancë do të mund të kryejë një reformë për shtetin e së drejtës. “Sot, pas një procesi jo të shkurtër përpjekjesh jo të vogla dhe vullneti të palëkundur për të kontribuar edhe në këtë aspekt, njësoj si në aspektin e reformës zgjedhore, ne nuk kemi asnjë besim dhe nuk shohim asnjë mundësi, që një reformë e tillë të realizohet me Sali Berishën. Në rastin e reformës në drejtësi, këtu nuk ka interes reciprok, për shkak se ne jemi të interesuar t’i japim Shqipërisë dhe shqiptarëve një reformë, e cila të garantojë më shumë pavarësi dhe më shumë efektshmëri të sistemit gjyqësor, ndërkohë që Sali Berisha është i interesuar, pikërisht, kundër pavarësisë; kundër efektshmërisë së një sistemi gjyqësor, me të cilin kryeministri i Shqipërisë e klani i tij, qeveria e tij, kanë një konflikt të hapur interesi”, - u shpreh Rama. Sipas tij, është mazhoranca ajo që i vuri “shkelmin” kësaj reforme, duke mos u angazhuar që të zbatojë paktin kombëtar për drejtësinë që u propozua nga socialistët gati një vit më parë. “Sot është koha për të nënvizuar se, nga njëra anë, ne propozuam një pakt kombëtar për drejtësinë në frymën e një angazhimi serioz, për një reformë radikale në sistemin tonë shoqëror dhe bazuar në orientimet largpamëse dhe afatgjata të BE-së, dhe nga ana tjetër ndeshëm në vesh të shurdhër”, - u shpreh Rama, duke bërë të ditur se kjo reformë do të realizohet nga socialistët, sapo ata të vijnë në pushtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›