E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama Tirana do jete nje beteje e gjate ligjore

Kryetari i socialistëve Edi Rama rikonfirmoi qëndrimin e mëtejshëm të Partisë Socialiste për rezultatin e Tiranës. Gara do të jetë një betejë e gjatë ligjore, tha kryetari i opozitës duke lënë të hapur rrugën drejt Kushtetueses. Por fokusimi aktual i selisë rozë është Kolegji, deklaroi Rama, i cili ripërsëriti apelin se drejtësia duhet të japë drejtësi.

Edi Rama: "Mbetet për ne detyrim ndaj vizionit dhe bindjeve tona që të vazhdojmë betejën ligjore deri në fund. Njëkohësisht është e detyrueshme që në këtë rrugë të nënvizojmë me forcë dhe pa u lodhur domosdoshmërinë që drejtësia të japë drejtësi".

Rovena Moçka: "Kur flisni për përpjekje të palodhur ligjore, do të thotë që ankimimi juaj do të shkojë edhe më tej, pra, edhe në Kushtetuese, edhe në Strasburg"?

Edi Rama: "Ju e dini që unë nuk rend për të bërë hapat e ardhshëm përpara hapit të rradhës dhe ai është ballafaqimi në Kolegjin Zgjedhor".

Në rast se organet e drejtësisë legjitimojnë padrejtësinë në këtë vend, tha Rama, dëmi për Shqipërinë dhe shqiptarët do të jetë i lartë. Pasoja e drejtpërdrejtë e vendimit të Kolegjit është humbja për të dytin vit rradhazi të statusit të kandidatit për Shqipërinë në BE.
 
Edi Rama: "Më e afërta që fatkeqësisht do ndodhte në rast të triumfit të padrejtësisë dhe legjitimimit të një procesi që nuk përputhet me standartet ndërkombëtare, do të ishte humbja e trenit të rradhës për statusin e kandidati për BE".
 
Kryetari i opozitës falenderoi edhe njëherë Z/ndihmës Sekretarin e Shtetit Thomas Countryman për deklarimet tij të një dite më parë se SHBA kishte dyshime për vendimin mbi votat e hedhura gabim. Ai lexoi mesazhin e zyrtarit amerikan kundër dhunës së nxitur nga partitë në Shqipëri, si mesazh kundër dhunës që sipas tij, partia në pushtet po ushtron përmes institucioneve si KQZ e Kolegji Zgjedhor.

Rovena Moçka Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 08 qershor 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›