E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Topi bëri mirë që ktheu ligjin e mafies së plehrave

TIRANË- “Presidenti Plehrat Integrimi”- është titulli i editorialit të shkruar nga kryetari i Partisë Socialiste, si reagim ndaj vendimit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bamir Topi për kthimin për rishikim në parlament të draft-ligjit për plehrat.

Zv ministri i Mjedisit, Taulant Bino kundërshtoi vendimin e Topit duke e cilësuar atë si akt të patër politik në mbështetje të partisë që ka krijuar ose që do të krijojë.

Lidershipi i Partisë Socialiste duke e vlerësuar si të drejtë vendimin e presidentit Topi ndre pikëpyetje në arsyet se pse Shqipëria do të marrë në kurriz plehrat e botës.

“Për çfarë arsyeje në botë Shqipëria duhet të marrë mbi kurriz edhe plehrat e botës kur ende s’po e ngre dot kurrizin e mbuluar nga plehrat e veta? Saliu e zëdhënësit e plehrave të jashtme në qeveri thonë se do vijnë vetëm plehra “të pastra” dhe këta zotërinjtë do t’i groposin në barkun e atdheut tone në këmbim të përfitimit ekonomik. Po kush nuk e di që ky shtet s’ka asnjë shans, asnjë mundësi, asnjë instrument, as për t’i kontrolluar plehrat që hyjnë në Shqipëri, as për t’i përpunuar ato sipas standarteve të Bashkimit Europian, as për të bërë me to gjësend tjetër përveç dëmit katastrofik që paralajmëron ky ligj plehrash?”,- nënvizon Rama.

Ndërkohë duke iu referuar situatës politike në vend kreu i PS pranon publikisht se opozita e bllokoi intgrimin me luftën me votën e lirë, por sipas Ramës  kushti themelor i BE është se nuk ka integrim pa zgjedhje të lira.

“Opozita që bllokoi integrimin me luftën për votën e lirë, ndërkohë që BE-ja thotë: S’ka integrim, s’ka status kandidati, s’ka afrim të mëtejshëm drejt Brukselit pa zgjedhje të lira. Opozita që bëri puç me stilolapsa e çadra, ndërkohë që BE-ja thotë: S’ka kandidaturë për në BE pa zbardhur deri në fund 21 janarin e ndëshkuar ligjërisht vrasjet. Opozita që shpif, ndërkohë që BE-ja thotë: Korrupsioni është ngjitur në majën e qeverisë. Opozita që nxin realitetin e ekonomisë së dytë në botë pas Gjermanisë, ndërkohë që BE-ja thotë: Ekonomia shqiptare është në regres. Opozita që nuk voton ligjet me 3/5-at, ndërkohë që BE-ja thotë: Qeveria duhet të krijojë kushtet për një proçes gjithëpërfshirës. Opozita që propozon një pazar të ndyrë me 10 pika, ndërkohë që BE-ja thotë: 10 pikat e opozitës mund të jenë një bazë e mirë për të dalë nga ngërçi”,- deklaron Rama.

Sipas liderit të PS, opozita e ka bërë hapin e saj për bashkëpunim duke propozuar Paktin me 10 pika  si bazë për axhendën e integrimit, ndërkohë akuzon kryeministrin Berisha se nuk e do integrimin.

“Ne e dimë kush është përgjegjësia jonë dhe i kemi bërë hapat tona, duke propozuar një pakt të thjeshtë, të qartë, të mjaftueshëm si bazë diskutimi për gjetjen e pikave të përbashkëta të axhendës së integrimit. Saliu jo. Ai e ka mendjen sesi të hedhë fajin mbi opozitën dhe ta bëjë Shqipërinë vendin e plehrave, duke nxjerrë fitime edhe nga plehrat e botës e jo vetëm nga paratë e shtetit, nga pasuritë publike, nga pronat e të tjerëve. E pastaj s’ka si mos ngatërrohet kur flet në publik e u thotë fshatarëve të varfër “Ju po punoni për të mirën e familjes time”, sepse në fakt kjo është e vërteta dhe aq shumë sa ai po merret veç me punët e tij në kurriz të njerëzisë, mendja e ka vështirë të ndërrojë gjthnjë marsh në çastin e duhur”,- përfundon editorialin e tij kryesocialisti Edi  Rama.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›