E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: T’i japim fund regjimit të një familje dhe klientëve të saj që rrënuan Shqipërinë

ROSKOVEC- Takimet elektorale të Partisë Socialiste kanë nisur sot nga Roskoveci. Kreu i PS-së i ka ftuar këta banorë të jenë pjesë e Rilindjes Kombëtare.

Sipas Ramës, këta banorë nuk duhet të japin votë për të ndryshuar një kryeministër me një tjetër, por për të ndalur rrënimin dhe për ti dhënë fund papunësisë.

“Jo votë për të ndryshuar kryeministrat, por votë për të ndalur rrënimin, për ti dhënë fund rritjes së mëtejshme të papunësisë, është një votë për t’i dhënë fund shkatërrimit të mëtejshëm të biznesit të vogël dhe të sipërmarrjes që krijon vende pune”.

Rama shtoi më tej se më 23 qershor qytetarët duhet të vendosin t’i japin fund qeverisjes së një regjimi familjar.

“PD është partia e një familje dhe e një grushti klientësh të saj, që kanë grabitur dhe rrënuar në këto 8 vjet Shqipërinë. Zgjedhja e 23 qershorit është shumë e qartë, kush e do familjen në gjunjë të votojë Saliun, kush e do rrugën të hapur për familjen e tij ka vetëm një adresë Partinë Socialiste të Shqipërisë”, shtoi ai. 

Duke ftuar banorët e Roskovecit të votojnë nr.29, Rama nënvizoi se, “29 është data e bekuar e çlirimit të Shqipërisë, me 29 Shqipëria do çlirojë energji të jashtëzakonshme për të shkuar përpara dhe për të lënë pas katragjyshin me antiplumb. 23 qershori do jetë dita e madhe e shqiptarit të zakonshëm e familjeve të zakonshme, t’i jepni fund regjimit të një familje”

Sipas kreut të PS-së problemet, hallet dhe përpjekjet e këtyre banorëve për të dalë nga varfëria s’do jenë pas 23 qershorit hallet, problemet dhe përpjekjet e tij dhe skuadrës së Rilindjes.

“Unë nuk kam ardhur këtu për t’ju treguar përralla, ju e dini kush i tregon përrallat. Jam sot në qytetin e mikut të paharruar Fatmir Xhindit për t’ju thënë se hallet dhe problemet tuaja do jene edhe të miat, përpjekjet për të dalë nga varfëria do jenë edhe të miat e të gjithë skuadrës së Rilindjes”, shtoi Rama.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›