E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët italianë miratojnë ndryshimet në paketën e sigurisë

Dokumenti që do të shtrëngojë edhe më masat për emigrantët, sidomos ata të paligjshmit, në shtetin fqinj, Itali, pas ndryshimeve të kryera, është miratuar pak ditë më parë edhe nga Dhoma e Deputetëve. Me 297 vota pro, 255 kundër dhe 3 abstenime, Dhoma e Deputetëve italianë i ka hapur rrugën paketës ligjore të paraqitur nga qeveria e vendit fqinj, lidhur me sigurinë. Tani teksti i normës ligjore do të rikthehet për votim në Senat, për t‘i dhënë formë përfundimtare, pas ndryshimeve të miratuara në Dhomën e Deputetëve. Specialisti për Emigracionin në Ministrinë shqiptare të Punës, Durim Hatibi, duke iu referuar dokumentacionit zyrtar, konfirmon një seri ndryshimesh që i janë bërë kësaj pakete sigurie, tejet të polemizuar.

Kështu, pas debateve brenda shumicës qeverisëse italiane, kaloi dispozita që drejtorët e shkollave të mos kërkojnë më, siç propozohej, paraqitjen e lejes së qëndrimit për regjistrime në shkolla. Sidoqoftë mbetet në fuqi, falë ndryshimit në nenin 6 të Tekstit Unik mbi Imigrimin, detyrimi i paraqitjes së lejes së qëndrimit për çdo veprim të gjendjes civile.

Një modifikim i lehtë është bërë edhe për sa i takon procedurave të regjistrimit në zyrën e gjendjes civile, që mundësojnë verifikimin e kushteve higjieniko-sanitare të banesës, në zbatim të normave sanitare. Nga ana tjetër, disa komplikime dhe taksa të tjera janë vendosur lidhur me kërkesat për dhënie shtetësie, "martesa të stopuara", për ata që nuk zotërojnë leje qëndrimi dhe kontribute të lakueshme 80 deri në 200 euro, lidhur me praktikën e lëshimit apo të ripërtëritjes së lejes së qëndrimit. Gjithashtu është parashikuar që të aplikohet edhe leja e qëndrimit me pikë apo kredi. Të rëndësishme janë edhe ndryshimet lidhur me ribashkimet familjare dhe Leje Qëndrimi CE e Rezidentit Afatgjatë.

Mes dispozitave më kryesore të miratuara është edhe ajo që lidhet me martesat dhe shtetësinë italiane. Është vendosur që marrja e shtetësisë italiane, përmes martesës, mund të bëhet pas dy viteve qëndrimi në territorin e shtetit italian (pas martesës), ose pas tre vitesh, në rastin, kur bashkëshorti/ja gjendet jashtë. Në rastet kur çifti ka fëmijë kërkohet gjysma e kohës. Dispozitat e mëparshme parashikonin një afat 6-mujor. Po kështu do të ishte e domosdoshme pagesa e një takse prej 200 eurosh. Një shtrëngim i mëtejshëm mbi këto martesa është bërë përmes një ndryshimi në Kodin Civil. Ai parashikon futjen e detyrimit të paraqitjes së lejes së qëndrimit. Kështu, nuk do të ketë më martesa mes një të parregullti dhe një të parregullti tjetër. Ndonëse, kjo sigurisht që nuk do të sillte asnjë lloj rregullimi statusi. Një tjetër dispozitë që ka pësuar ndryshime është edhe ajo që lidhet me hyrjen dhe qëndrimin e parregullt të emigrantëve në Itali. Aty është integruar masa për shkeljen e hyrjes dhe qëndrimit të parregullt, por kjo nuk do të thotë burgim i menjëhershëm. Parashikohet një gjobë që luhatet nga 5000 deri në 10000 euro. Përveç kësaj parashikohet mundësia e riatdhesimit, pa u lëshuar miratimi i autoriteteve kompetente. Regjistrimi në gjendjen civile është një tjetër dispozitë e kësaj pakete sigurie. Për këtë regjistrim apo për ndryshimin e banimit, kërkohet certifikata e përshtatshmërisë higjieno-sanitare për banesën. Duhet thënë se shumë banesa, përfshirë edhe ato që mund të gjenden përkundrejt shumave të mëdha në tregun privat të shtëpive nuk mund t‘i qëndrojnë këtij kriteri. Kjo dispozitë mund të cenojë të drejtat e migrantëve, vetë shtetasve italianë dhe atyre komunitarë, duke sjellë reaksione zinxhir në kërkesat për mundësinë e strehimit në azile, e marrjes së kredive etj.

Për sa i takon ribashkimeve familjare, në dokumentet e domosdoshëm shtohet edhe kërkesa për certifikatat e përshtatshmërisë higjieno-sanitare, që të dyja lëshuar nga zyrat kompetente komunale. Në të shkuarën, si alternativë për to parashikohej edhe certifikata e lëshuar nga Komuna apo ASL-ja vendore. Në dispozitën për vizat e hyrjes me motive të ribashkimit familjar, bëhet e ditur se tani nuk do të jetë e mundur të kërkohet viza e hyrjes. Kjo për rastet nëse miratimi (nulla osta) i saj nuk do të lëshohet, pas 180 ditësh nga përfundimi i praktikës. Kështu, davaritet edhe një mundësi e garancisë së të drejtës së ribashkimit familjar për shkak të vonesave burokratike. Në dispozitën tjetër të paraqitjes së lejes së qëndrimit do të aplikohet detyrimi për paraqitjen e këtij dokumenti për të gjitha aktet e gjendjes civile. Kjo do të thotë se e drejta e njohjes së një fëmije do t‘i nënshtrohet filtrit të kërkesës së një lejeje qëndrimi. Përjashtim do të kenë, vetëm pikat që lidhen me asistencën sanitare, si dhe për regjistrimin e të miturve në shkolla.

Një tjetër ndryshim që ka pësuar paketa e sigurisë nga varianti i saj i fundit është rifutja e zgjatjes së qëndrimit në Qendrat e Dëbimit deri në një hark kohor maksimal prej 180 ditësh. Për këtë çështje ka pasur mospranime si nga ana e Senatit ashtu edhe nga Dhoma e Deputetëve, në suazën e diskutimeve mbi dekret Ligjin nr.11. Në këtë dokument ka zënë vend edhe ndalimi i dëbimit dhe mospranimit. Në paketën e sigurisë është anuluar ndalimi i dëbimit për ata që bashkëjetojnë me të afërm italianë të shkallës së katërt. Për sa i përket të ashtuquajturave shërbime të transferimit të parave ose ato që shqiptarët i njohin mirë si dërgesat e parave nga emigrantët, bëhet e detyrueshme kërkesa e lejes së qëndrimit. Ndërkohë që të gjithë emigrantët detyrohen që ta ruajnë atë fotokopje për dhjetë vjet. Veç kësaj ata duhet të njoftojnë kryerjen e këtij shërbimi tek autoritetet kompetente, në rastin kur shërbimi ka lidhje me një subjekt që nuk zotëron leje qëndrimi. Ndërsa Lëshimi i Lejes së Qëndrimit CE e Rezidentit Afatgjatë është vendosur si kusht që mund të bëhet vetëm pas kalimit të një testimi të gjuhës italiane. Ndërsa mes masave te tjera shtrënguese parashikohet që në shkeljet penguese për hyrjen duhet të merren parasysh edhe dënimet jopërfundimtare. Po kështu qëndrimi në shtetin fqinj për emigrantët shtrenjtohet edhe më nga pagesa e detyrimeve financiare. Për të gjitha praktikat që lidhen me lëshimin ose ripërtëritjen e lejes së qëndrimit, duhet paguar një kontribut ekonomik që varion nga 80 deri në 200 euro. Një tjetër masë shtrënguese e miratuar është edhe ajo për të gjithë emigrantët që nuk paraqesin dokumentet. Për të gjithë ata që nuk e bëjnë parashikohet arrestim deri në një vit dhe gjobë deri në 2000 euro. Në dispozitën e regjistrit për të pastrehët apo që nuk kanë banesë specifikohet fakti që: për ata, të cilët nuk kanë banesë fikse krijohet mundësia e regjistrimit në gjendjen civile, pranë Ministrisë së Brendshme italiane. Aty formatohet një regjistër për skedimin e këtyre personave. Çregjistrimi në gjendjen civile parashikohet 6-muaj pas skadimit të lejes së qëndrimit. Leja e qëndrimit me pikë është një tjetër koncept i ri që është integruar në këtë dokument. Përfshihet institucioni i një marrëveshjeje integrimi, që artikulohet në kredite, që do të nënshkruhet në çastin e kërkesës për leje qëndrimi. Kriteret dhe modalitetet do të vendosen me një rregullore të posaçme.

Në paketën e sigurisë janë ashpërsuar të gjitha normat, lidhur me favorizimin e hyrjes së parregullt. Por, nga ana tjetër, nuk preken aspak ndëshkimet kundër shfrytëzuesve të këtij imigrimi të paligjshëm. Kështu, të gjithë ata që duke shfrytëzuar gjendjen e qëndrimit të parregullt të emigrantëve realizojnë përfitime (ata që punësojnë punëtorë imigrantë të parregullt, për paga shumë të ulëta), nuk e shohin të përkeqësuar ndëshkimin e tyre. A.Rr.

Gjermani:

Kërkohet zgjatja e "ndalimit"

për punëtorët nga vendet e Lindjes

Gjermania i ka kërkuar BE-së të zgjasë edhe me dy vjet kufizimet për lëvizjen e lirë të punëtorëve, shtetas të vendeve që u anëtarësuan në BE në vitin 2004. Në teori, këto kufizime duhej të anuloheshin më 1 maj, por 15 anëtarët e "Bllokut të Vjetër" mund të kërkojnë edhe një zgjatje të mëtejshme, nëse provojnë se ardhjet masive të punëtorëve të rinj imigrantë mund të kenë ndikim në tregun e brendshëm të punës. Kërkesa gjermane për të shtyrë edhe dy vjet këto kufizime, lidhur me shtetas nga

Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Lituania, Letonia dhe Estonia iu përcoll Brukselit ditët e shkuara, sipas një zëdhënësi të Ministrisë gjermane të Punës.

Shtetet Anëtare mund të kufizojnë gjithashtu, hyrjet e punëtorëve shtetas nga Bullgaria e Rumania, që u anëtarësuan në BE në 2007, të paktën deri në 2011.

Kërkesa për zgjatjen e kufizimeve vjen në një kohë kur niveli i papunësisë në Gjermani njohu një rritje të papritur në mars. Mjaft të rrezikuar nga kriza e përgjithshme ekonomike që ka goditur edhe Gjermaninë janë emigrantët shqiptarë që prej vitesh jetojnë dhe punojnë në këtë vend.

Itali:

Informacioni mbi lejet e qëndrimit,

në faqen e internetit të Policisë

Tashmë ka një kanal informativ, kushtuar lejeve të qëndrimit, që mund të konsultohet drejtpërdrejt on-line. Ky është një projekt i realizuar nga policia italiane, në dispozicion të publikut të gjerë. Emigrantët që kanë paraqitur kërkesë për lëshimin apo ripërtëritjen e lejes së qëndrimit do të gjejnë përgjigje duke u lidhur me faqen zyrtare të internetit të policisë me adresën: www.poliziadistato.it. I interesuari përzgjedh një gjuhë të njohur mes italishtes, anglishtes, spanjishtes, rusishtes dhe arabishtes dhe kufizohet vetëm me futjen në hapësirën e kërkuar të kodit numerik të praktikës, nëse kërkesa është paraqitur pranë zyrave të kuesturës, apo të letrës rekomande, nëse është dërguar pranë Zyrave Postare. Shërbimi do të japë informacione mbi rezultatin përfundimtar të praktikës: nëse leja është e gatshme, do të tregohet institucioni ku duhet shkuar për tërheqjen e saj, përmes një harte gjeografike, e cila mbulon të gjithë territorin kombëtar. Teknologjia e komunikimit mundëson edhe qasjen pranë këtij informacioni nga faqja fillestare e "Google" përmes shërbimit "www.poliziadistato.mobi" edhe nga telefonat celularë të pajisur me këtë shërbim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›