E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trauma, "medalje bronzi" për vdekjet në vendin tonë

Trauma, si dhe mungesa e oksigjenit në një aksident, në raste tragjedish apo fatkeqësish natyrore është shkaktari i tretë i vdekjeve më të shpeshta në vendin tonë. Parandalim për këtë "helm" mund të ketë ndërsa i japim makinës. Shpëtuesi në kësisoj rastesh është rripi i sigurimit. Ndërkohë që në raste tërmeti apo fatkeqësish për të cilat nuk kemi asgjë në dorë, "engjëjt mbrojtës" mbeten skuadrat e shpëtimit. Grupet e emergjencave civile apo ushtarake, duhet të jenë të trajnuar dhe të zgjuar për të gjetur zgjidhje të shpejta në raste të jashtëzakonshme. Por, njëkohësisht edhe të pajisur me aparatura dhe mjete speciale për të qenë të sigurt për jetën e tyre, si dhe për të shpëtuar jetën e tjetrit. Dje në Spille të Kavajës, në qendrën mjekësore diagnostike, Fondacioni Internacional Zviceran ka organizuar për të tretin vit radhazi, shfaqjen e aksidenteve të stimuluara. Pas një jave trajnimi, mjekë nga qendrat spitalore të Durrësit, Kavajës dhe Rrogozhinës, kanë demonstruar aftësitë e tyre për të përballuar punën në rast fatkeqësie natyrore siç është tërmeti.

Në një rast të tillë, nëpërmjet teorisë dhe praktikës, specialistët kanë mësuar sesi të japin ndihmë mjekësore, psikologjike dhe në infrastrukturë për njerëzit e plagosur, të cilët kanë humbur të afërmit, shtëpitë, apo janë lënduar.

Trajnimi

Në ceremoninë e mbylljes së projektit të trajnimit për specialistët e emergjencave kanë qenë të pranishëm, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Yvana Enzler, trajnuesi Felix Herkert, instruktor për dhënien e ndihmës paraspitalore në Zvicër, kryetari i komunës, si dhe specialistë të tjerë të Shëndetësisë. Presidenti i "Swiss Foundation International", Christian Vogeli, ka sjellë në vëmendje të të gjithë të ftuarve rëndësinë që ka dhënia e ndihmës paraspitalore, në mënyrë të veçantë për fëmijët. Vogeli ka përmendur se sa e rëndësishme është dashuria për punën, për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe fryma e grupit për t‘u kujdesur edhe për ato raste që mund të duken të pashpresë.

"Një fëmijë i vogël, të cilin vëllai i madh e hodhi padashur në një kovë me ujë të nxehtë, me djegie në 70 për qind të trupit, u dërgua në spitalin e Mynihut brenda një dite. Ndihma që iu dha atij fëmije ishte e jashtëzakonshme. Mendoj se duhet t‘i shtrijmë dorën njëri-tjetrit për ndihmë, dhe për këtë duhet të jemi të trajnuar", tha Vogeli. Ndërsa, trajnuesi edhe këtë vit nuk ka harruar moton e skuadrës së kërkim-shpëtimit që jep ndihmë paraspitalore: Për të dhënë ndihmën e parë nevojitet 45% kurajë, 45% pasuri idesh dhe 10% para. "Parimet kryesore të dhënies së emergjencës na mësojnë të kemi të sigurt stafin, të japim ndihmë për të shpëtuar, por për t‘i dhuruar të dëmtuarit një jetesë cilësore. Duhet të evitojmë mbytjet, të evitojmë gjakderdhjet. Jepni oksigjen, është tepër e rëndësishme që në ditët e tjera pacienti të mos ketë shqetësime të gjymtyrëve, shpëto jetë, parandalo dëmtimet dytësore", tha Herkert.

Skuadrat e shpëtimit

Stafi, i cili kujdeset për të shpëtuar jetën e njerëzve, duhet të japë jo vetëm ndihmë fizike, por edhe asistencë psikologjike. Në raste fatkeqësish natyrore, skuadra e shpëtimit duhet të mendojë të nxjerrë nga gërmadhat të dëmtuarit, t‘u japë ndihmën e parë, t‘i transportojë në mënyrën e duhur, ndërkohë që duhet të mendojë edhe për kampin e strehimit.

"Duhet të japim ujë, ushqim, strehim. Duhet të improvizojmë ngritjen e një tualeti, dushi, varreze për njerëzit e vdekur. Në të kundërt mund të rrezikojmë epidemi", sqaroi trajnuesi.

Të gjitha këto ide, këtë iniciativë dhe skuadrat e shpëtimit, ambasadorja e Zvicrës i ka krahasuar me muzikën.

"Ajo që bën skuadra e shpëtimit është si një pjesë muzikore, dhe këto aktivitete janë një parapërgatitje për të luajtur pjesën muzikore. Dhënia e ndihmës së parë dhe trajnimi i stafit, që e jep këtë ndihmë janë shumë të rëndësishme", tha ambasadorja Yvana Enzler. Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë ka deklaruar se trauma është shkaku kryesor i vdekjeve në 4 dekadat e para të jetës. "Një nga rrugët me më shumë aksidente është ajo Tiranë-Shkodër. Mjekët e këtij territori duhet të jenë të trajnuar dhe të aftë për të dhënë ndihmë të specializuar", shprehet Godo.

Sipas të dhënave dhe statistikave, trauma është shkaku kryesor i vdekjeve në 4 dekadat e para të jetës dhe për sa u përket shkaqeve të vdekjeve në të gjitha grupmoshat, paraprihet vetëm nga kanceri dhe arteroskleroza. Rëndësia e menaxhimit të duhur të traumave shtohet gjithashtu, duke konsistuar se traumat janë më të shpeshta, veçanërisht në popullatën më të re. Në vendin tonë, veç tentativave të para për trajnimin e grupit të emergjencave pak vite më parë është vendosur rregulli për të gjithë kandidatët, që duan të pajisen me patentë: njohja e traumës dhe dhënia e ndihmës së parë, për të cilën trajnojnë me teknika të fundit specialistë të Kryqit të Kuq në Shqipëri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›