E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Aparatura moderne për 12 spitalet rajonale

Sistemi i emergjencave në të gjithë vendin do të pajiset me pajisje moderne dhe bashkëkohore. Këto aparatura do të jenë pjesë e infrastrukturës spitalore për të 12 qarqet e vendit. Deklaratën e ka bërë dje ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Sipas saj, nëpërmjet një bashkëpunimi mes qeverisë japoneze dhe asaj shqiptare do të mund të realizohet një ndryshim i madh për sa i takon përballimit të emergjencave për dhënien e ndihmës paraspitalore. "Nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të arrihet pajisja me aparatura për qendrat në 12 qarqe të vendit. Qeveria japoneze ka vendosur në dispozicion për blerjen e aparaturave fondin prej 8 milionë eurosh, ndërkohë që përmirësimi i infrastrukturës po realizohet nëpërmjet punës së shtetit shqiptar", tha ministrja Godo. Sipas saj, në këto kushte mbetet e nevojshme praktika dhe trajnimi i kapaciteteve njerëzore, stafeve që punojnë pranë sektorit të emergjencave.

Shkaktarët kryesorë të vdekjeve janë sëmundjet kardiovaskulare dhe ato tumorale. Sipas saj, menjëherë pas këtyre, shkaktari i tretë dhe një nga më të rrezikshmit mbeten traumat dhe aksidentet.

Qytetet e mëdha mund të ofrojnë një ndihmë profesionale para mjekësore, ndërsa specialistët në rrethe kanë nevojë për trajnime të herëpashershme, në mënyrë që të ofrojnë këtë lloj ndihme. Qendra e Traumës, në Spitalin Ushtarak, ka një grup të gatshëm të specializuar. Ambulancat e kryeqytetit kanë pajisje për të përballuar dhe për të dhënë saktësisht ndihmën e parë.

Zonat e thella, rurale apo edhe fshatrat turistikë ku pushojnë turistë vendas dhe të huaj ende kanë shumë mungesa si në kapacitete njerëzore, ashtu edhe në pajisje.

Duke parë çdo ditë aksidentet dhe fatkeqësitë e shkaktuara nga traumat, secili prej nesh uron që asnjëherë të mos jetë "aktor" i këtyre ngjarjeve. Por, pjesë e aksidenteve, apo rastet e panikut mund të na ndodhin të paktën një herë në jetë. Për çdo qytetar e rëndësishme është të njoftojë urgjencën, por në raste të veçanta nëse kanë njohuri të mjaftueshme apo janë të specializuar mund t‘i ofrojë dhe ndihmë, pa i shkaktuar dëmtime të tjera të aksidentuarit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›