Solana: EULEX do forcojë sundimin e ligjit në Kosovë
Në Kosovë dje ka hyrë plotësisht në fuqi misioni EULEX, sipas paketës së Marti Ahtisarit, duke shënuar një tjetër arritje të synimeve të autoriteteve në Prishtinë. Kreu i politikës së Jashtme dhe Sigurisë në Bashkimin Evropian, Havier Solana, ka vlerësuar se hyrja e plotë në fuqi të EULEX-it do të forcojë sundimin e ligjit në Kosovë. Sipas Solanës, ky mision do të bëjë gjithçka që institucionet për sundimin e ligjit të veprojnë më mirë dhe më shpejt, në dobi të gjithë popullsisë në Kosovë. “EULEX-i, misioni më i madh civil që Bashkimi Evropian e ka pasur deri sot, është dëshmi e përkushtimit të fuqishëm të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor”, tha Solana. Misioni evropian nisi punën me kapacitete të plota operative. Kreu i këtij misioni, Yves de Kermabon, paralajmëroi se për të arritur sundim të plotë të ligjit në Kosovë, duhen kapërcyer sfida të mëdha. EULEX kishte nisur funksionimin në mënyrë të pjesshme prej katër muajsh. “Kemi punuar shumë në arritjen e shtrirjes së EULEX-it. Jemi shtrirë në tërë Kosovën. Ky është një operacion kompleks, që është arritur në bashkëpunim me OKB-në, KFOR-in dhe pa ndonjë incident madhor. Kjo është një arritje që nuk duhet nënvlerësuar”, tha De Kermabon gjatë ceremonisë. I pranishëm, përveç liderëve kosovarë dhe ambasadorëve të akredituar në Kosovë, ka qenë edhe një delegacion i BE-së, që përfaqësonte 27 vendet anëtare. EULEX-i sot ka përuruar edhe objektin e tij të ri, që dikur i takonte “Farmed”-it.