E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Paja, polici bashkiak në gjyq: Si u plagos agjenti

 

Armand Bajrami

Një nga të parët persona që ka dhënë ndihmën e parë për agjentin e policisë të plagosur rëndë gjatë arrestimit të shumë-kërkuarit, Ilir Paja dëshmoi ngjarjen dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Gazmend Vathi, punonjës i policisë bashkiake të Tiranës, tregoi në seancën në ngarkim të Ilir Pajës çastet pak minuta pas ngjarjes së 6 marsit 2008. Sipas tij, ai kishte ndihmuar agjentin e plagosur, ndërsa e kishte marrë vesh më vonë që bëhej fjalë për një efektiv policie. Në dëshminë e dhënë dje para togave të zeza të Krimeve të Rënda, polici bashkiak Gazmend Vathi tha se ditën e ngjarjes ishte me shërbim pranë zonës ku ndodhi ngjarja. "Ishte rreth orës 11:00 të 6 marsit 2008. Atë ditë isha me shërbim pranë 'Farmacisë 10'. Kam dëgjuar 2-3 krisma armësh. Kam parë që vraponte një polic rrugor. Jam afruar edhe unë për të dhënë ndihmën e parë", ka nisur dëshminë e tij dëshmitari Vathi. Në vijim Vathi sqaroi se në vendngjarje kishte parë dy persona të plagosur. "Sapo u afrova kam parë një person që nuk e njihja që ishte poshtë një automjeti "Fiat Punto". Personi e kishte gjysmën e sipërme të trupit poshtë automjetit, ndërsa këmbët i kishte jashtë. Aty ishte edhe një person që po kërkonte ndihmë për të ngritur makinën. E ngritëm dhe e nxorëm atë personin që ishte poshtë", ka vazhduar dëshmitari. Sipas dëshmitarit, ai kishte vënë re edhe një person tjetër të plagosur në anën tjetër të rrugës. Po, sipas tij, sapo kanë nxjerrë personin që ishte poshtë makinës dhe e kanë nisur për në spital, të plagosurin tjetër e kishte marrë një furgon policie. "Në anën tjetër të rrugës ishte një person tjetër i shtrirë. Dukej nga larg që ishte i plagosur në gjoks pasi ishte i gjakosur. Të plagosurin që e nxorëm nga poshtë automjetit, e vumë në një taksi dhe e dërguam në spital. Ndërsa personin tjetër e mori një furgon policie" pohoi Vathi. Punonjësi i policisë bashkiake rrëfeu dje se ai kishte shkuar edhe tek spitali deri në momentin që i plagosuri ishte vënë nën kontrollin e mjekëve. Ai tregoi se vetëm pak më vonë kishte marrë vesh se kishte i plagosuri që kishte ndihmuar ishte punonjës policie. "Pas një ore po pija kafe dhe në një lokal të zonës dhe aty mora vesh se për çfarë bëhej fjalë, se njëri nga të plagosurit ishte polic. Në vijim gjërat i kam mësuar nga lajmet në televizion dhe në shtyp", tha dëshmitari.  Ilir Paja akuzohet nga prokuroria për "vrasje të mbetur në tentativë në rrethana cilësuese". Sipas organit të akuzës, Paja ka përplasur me automjetin e tij një agjent të operacioneve speciale, teksa ky i fundit po tentonte ta arrestonte. Paja është person i skeduar edhe nga drejtësia gjermane dhe italiane, për vepra të rënda penale, përfshi vrasjen, të kryera në këto vende.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›