E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Vetëm Kongresi vendos nëse do të rikandidoj ose jo”



Një ditë nga zhvillimi i Kongresit të Jashtëzakonshëm, kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka thyer heshtjen e gjatë duke dhënë gjykimin e tij mbi debatin e nxehtë për rikandidimin ose jo në krye të Partisë Socialiste.
Në një intervistë televizive, Rama ka deklaruar se ka qenë ai që ka propozuar nenin e Statutit, i cili sanksionon ndërprerjen e mandatit të kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve. Por, kryesocialisti, duke pranuar se aktualisht është kryetari në detyrë i PS-së, ka argumentuar fuqishëm faktin se ai dhe Partia Socialiste nuk i kanë humbur zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Sipas Ramës, shqiptarët nuk kanë votuar kundër projektit të tij politik në Shqipëri, madje kanë votuar me shumicë për largimin e Sali Berishës. Por, sipas tij, maskarada zgjedhore dhe grabitjet e votave e lanë PS-në në opozitë. Kjo është arsyeja, sipas Ramës, që socialistët duhet të votojnë për rikandidimin e tij, pasi ata nuk mund të pajtohen me këtë maskaradë zgjedhore.

Kandidimi
Duke folur për ndërprerjen e mandatit si kryetar i PS-së, Rama ka deklaruar se e ka zbatuar me përpikëri këtë pikë të Statutit, pasi aktualisht është vetëm një kryetar në detyrë i kësaj partie. Por ai theksoi se nuk ka asnjë arsye që të pengojë rikandidimin e tij. Megjithatë, Rama theksoi se do të jetë Kongresi që do të vendosë përfundimisht për një gjë të tillë. “Dua ta theksoj shumë qartë. Unë kam propozuar vendosjen në Statutin e PS-së të nenit që i ndërpret mandatin kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve dhe që i imponon dorëheqjen e kreut të partisë. Mandati im është ndërprerë dhe unë jam një kryetar në detyrë dhe një kandidat për të udhëhequr PS-në për 4 vitet e ardhshme”, - shprehet Rama.

Zgjedhjet
Rama e paralelizoi rizgjedhjen e tij në krye të Partisë Socialiste me qëndrimin që duhet të mbajnë socialistët ndaj maskaradës zgjedhore të 28 qershorit, të ideuar dhe të vënë në zbatim nga kryeministri Sali Berisha. “Jam një kandidat për këtë detyrë sepse besoj që populli shqiptar më 28 qershor nuk ka votuar kundër projektit tonë politik, por largimin e Sali Berishës dhe deformimi i këtij vullneti bën që anëtarësia e PS-së të vendosë nëse ky projekt duhet të vazhdojë dhe nëse PS-ja duhet të pranojë zgjedhjet e 28 qershorit si mjaftushmërisht të lira e të ndershme për të pranuar dhe humbjen e njohur legjitimitetin e kësaj qeverie, apo PS-ja duhet të rezistojë ndaj kësaj maskarade zgjedhore“, - tha kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama.

29 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›