PD-LSI, fushat e bashkëpunimit përtej qeverisë
Eljona Ballhysa
Dy partitë, PD dhe LSI, do ta shtrijnë bashkëpunimin përtej qeverisjes së vendit. Burimet bëjnë të ditur se palët po bisedojnë për të vendosur paraprakisht bashkëpunimin edhe për çështje të tjera të rëndësishme, siç është zgjedhja e Presidentit të Republikës, zgjedhjet e ardhshme vendore, dhënia e konsensusit për reformat e mëdha të vendit, por edhe për pushtetin vendor. Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, si pjesë të negociatave, kanë hedhur në tryezën e bisedimeve kërkesën për të marrë ndihmën e PD-së për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Përveç posteve ministrore dhe në nivele të tjera dytësore, duket se një ndër kërkesat e forta të LSI-së është pikërisht marrja e postit të kryebashkiakut të Tiranës.
Bashkitë
Posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës është një post thuajse i barasvlershëm me post ministri. Duket se një kërkesë e tillë e LSI-së bëhet dhe për “karshillëk” ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili përfundon mandatin e tretë në krye të Bashkisë së Tiranës në vitin 2011. Rama ka fituar në tri zgjedhje radhazi ndaj kandidatëve të Partisë Demokratike. Ende nuk dihet nëse Berisha do të pranojë që t’i hapë rrugën një kandidati të LSI-së për postin e kryebashkiakut të Tiranës.
Por, burimet bëjnë të ditur se bashkëpunimi midis PD-së dhe LSI-së do të shtrihet edhe për drejtimin e pushtetit vendor. Negociatorët e LSI-së kanë kërkuar gjithashtu përfaqësim me poste në nivelin e kryetarëve të qarqeve apo post prefekti. Përfaqësuesit e LSI-së synojnë qytetet ku kanë shumicën e elektoratit, si Fieri, Skrapari e Durrësi.
Reformat
Bashkëpunimi midis dy partive do të shtrihet edhe në fusha të tjera. Përveç bashkëpunimit në zgjedhjet e ardhshme lokale, dy partitë qeverisëse të vendit duket se si pjesë të bisedimeve kanë përfshirë dhe zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm të Republikës. Megjithëse bisedimet nuk janë futur në detaje konkrete apo në emra të përveçëm, burimet bëjnë të ditur se negociatorët parimisht kanë vendosur që do ta zgjedhin bashkë presidentin e ri të vendit. Një tjetër çështje e rëndësishme për të cilën të dyja partitë do të bien dakord është ndryshimi i Kodit Zgjedhor. Por, për këtë, si PD-së, ashtu dhe LSI-së, i duhet konsensusi i PS-së, pasi ndryshimi i këtij ligji kërkon shumicë të cilësuar votash, pra 84 të tilla. Edhe përsa i përket reformës në sistemin e Drejtësisë, të dyja partitë nuk i kanë votat për ta realizuar të vetëm këtë reformë pa konsensusin e PS-së. Gjithsesi, PD-ja dhe LSI-ja do të jenë në bisedime të vazhdueshme për çdo emërim apo kandidat për poste të rëndësishme në të gjitha fushat që përfshin pushteti politik.
Fushat e bashkëpunimit
Drejtimi i Bashkisë së Tiranës nga LSI-ja
Ndihmë reciproke në zgjedhjet lokale të 2011-shit
Konsensus për zgjedhjen e Presidentit të Republikës
Konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Konsensus në reformën në Drejtësi
Konsensus në zgjedhjen e kandidatëve për poste të rëndësishme
29 Gusht 2009