E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Votimi elektronik? Një utopi

Kreu i opozitës: Ku e gjeni ju lidhjen mes eksperiencës së Shqipërisë dhe Estonisë?

Kreu i socialistëve, Edi Rama, ripërsëriti dje publikisht se kërkon një politikë që shkon përtej të majtës dhe së djathtës, sepse Shqipëria sipas tij është përtej të majtës dhe së djathtës. Duke ju referuar deklaratave të bëra këto ditë nga kreu i KQZ-së, Rama këmbënguli se ai është subjekt për organet e drejtësisë dhe një nga arsyet pse transparenca duhet të bëhet, pse kutitë duhet të hapen, pse hetimi duhet bërë i plotë dhe i pakushtëzuar. I pyetur në lidhje me idenë e hedhur nga Kryeministri për votimin elektronik, Rama theksoi se “nuk kam asnjë kundërshtim në parim”. Në arsyetimin e kreut të opozitës ne jetojmë në një vend, i cili është kaq larg rrugëve të zhvillimit, është kaq larg rrugëve të modernizimit, saqë të hapësh një bisedë për këtë çështje, në kushtet që Shqipëria ka sot dhe në kushtet që Shqipëria mund të garantojë, është njësoj si të flasësh për seksin e engjëjve, ndërkohë që nga të katër anët ka vetëm shkatërrim, rrënim dhe kërcënim. “Ku e gjeni ju tani lidhjen mes eksperiencës së Shqipërisë dhe Estonisë? Ku nuk ka asnjë shans të përfytyrohet shtrirja e internetit dhe garantimi i zgjedhjeve përmes internetit”, theksoi Rama. Ai nënvizoi se në zgjedhjet e shkuara ne kishim ekrane, të cilat ishin thjesht për të monitoruar procesin. “Nuk kishin asnjë funksion tjetër përveç marrjes së procesit të votimit dhe ruajtjes së tij në një kasetë, e cila mund të shikohej pastaj nga palët dhe ndërkohë në një sërë pikash dhe pikërisht në ato pika ku ne kërkojmë transparencë, nuk ka kasetë dhe ekrani është i zi, nuk ka imazh”, u shpreh Rama. është shumë vonë, tha ai, që pas kaq e kaq kohësh Sali Berisha të vazhdojë të hedhë pëllumba dhe të gjithë të shkojnë pas pëllumbave, ndërkohë që në terrenin për të cilin flasim vazhdon thellohet gropa e rrënimit nga të katër anët. “Nuk kam asnjë gjë kundra, por jam absolutisht i bindur se është një utopi e parealizueshme në realitetin shqiptar”, insistoi Rama. Kjo, vijoi ai, nuk është një betejë, e përsëris, e Partisë Socialiste me Partinë Demokratike për interesa palësh, kjo është një betejë për të garantuar demokracinë në Shqipëri dhe për të garantuar edhe votën tuaj që më pyesni mua, për të garantuar votën e cilitdo dhe vota juaj nuk garantohet dot në qoftë se fatin e saj ju e lini në dorën e dy palëve, që i shikoni si palë të shkëputura nga jeta juaj, nga problemet tuaja dhe nga fati i votës tuaj. “është fati i votës së secilit prej jush në këtë betejë. Nuk është fati i votave në tërësi të njërës palë, apo të palës tjetër, ku ju keni të gjithë të drejtën të jeni të painteresuar se kush merr më shumë e kush merr më pak”, u shpreh Rama. Duke ju referuar situatës ekonomike në vend, kreu i opozitës u shpreh se “fakti është që Shqipëria vazhdon të përjetojë përshkallëzimin negativ të pasojave të kutive të mbyllura të zgjedhjeve dhe të të dhënave të ekonomisë”. Sipas tij, mungesa e plotë e transparencës dhe përpjekja e përditshme për të fshehur të vërtetën e zgjedhjeve dhe të ekonomisë po e thellojnë çdo ditë e më shumë hendekun mes Shqipërisë dhe shqiptarëve në krizë demokratike dhe ekonomike dhe zgjidhje të këtyre dy nyjave, të cilat praktikisht kanë marrë peng vendin. Socialistët thonë se është paralajmëruar marrja e një borxhi tjetër në kushtet kur të gjithë zërat e arsyes paralajmërojnë rrezikun e një huamarrjeje të re me interesa të papërballueshme për momentin nga vendi ynë. “Të ndalemi pak te të dhënat e paraqitura si shprehje e mrekullisë ekonomike për importet dhe eksportet. Dua të theksoj se rritja e eksporteve bazohet kryesisht në eksportet e energjisë elektrike dhe në faktin se leku është zhvlerësuar deri në 12%”, u shpreh Rama. Opozita mendon se rruga e protestave nuk është një aksion partiak e politik për të realizuar interesin e një pale, por është e vetmja rrugë për të garantuar interesat e vendin dhe interesat e të gjithë qytetarëve. “Nuk është thjesht rruga e një force, apo e një koalicioni të forcave politike, por është rruga e çdo qytetari që sot e shikon përditë e më të tkurrur hapësirën e tij të jetesës dhe të mundësive për të jetuar më mirë”, këmbënguli dje Rama.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›