Gjykata: Arrest me burg për dy efektivët
Gjykata e kryeqytetit vendosi të mbajë në “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve, dy efektivat e Policisë së Tiranës, të arrestuar disa ditë më parë për akuzën e korrupsionit. Preng Frroku dhe Besnik Preni, ish-oficerë të sektorit të luftës kundër vjedhjeve në Policinë e Tiranës, dolën para gjykatës dje për vlerësimin e masës së sigurisë. Pasi dëgjoi provat e prokurorisë dhe kërkesën e avokatëve për masë më të lehtë sigurimi, gjykata vendosi mbajtjen e dy ish-oficerëve në gjendje arresti deri në fund të hetimeve. Dy ish-efektivat e Policisë së Tiranës akuzohen se për një kohë të gjatë kanë marrë para nga hajdutët e xhepave që vepronin në kryeqytet, duke mos raportuar krimet e tyre në polici. Hajdutët kishin siguruar imunitet nga ndjekja penale ndërsa çdo javë paguanin ryshfet me nga 15 mijë lekë të reja te secili nga oficerët. Preng Frroku dhe Besnik Preni u arrestuan katër ditë më parë në kushtet e flagrancës nga një aksion i përbashkët i Prokurorisë së Tiranës dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Burime të policisë kanë njoftuar se dy oficerëve iu gjetën gjatë arrestimit, paratë që kishin marrë nga hajdutët pak çaste para se të viheshin në pranga.
#