Rama: Votoni programin, jo flamurin e partisë
“Mos votoni me sy mbyllur për flamujt e partive, por për programin më të mirë”. Kështu u është drejtuar sot kreu i PS-së, Edi Rama banorëve në Ulzë, Komsi e Kutari, me të cilët u takua në kuadër të turit të tij, “Dialog me Shqipërinë”.
Sipas Ramës është koha që të dilet nga llogoret e partive ku i kanë futur njerëzit, jo për t’u bërë të gjithë socialistë apo demokratë, por të qënë sy hapur. Kjo, sipas tij, është të shkosh një hap përpara, të shkosh drejt së ardhmes, duke lënë pas politikën e vjetër të së shkuarës.
Rama në Ulzë është pritur nga kryetari i demokrat i komunës, i cili e shoqëroi kryesocialistin në kishën e ndërtuar nga vetë ai me kursimet e 11 viteve në emigracion. Gjatë bashkëbisedimit kryetari i komunës ka folur për një reformim të gjithë politikës në vend, duke u shprehur së pari për domosdoshmërinë e Partisë Demokratike. Më pas rrugëtimi i shefit të socialistëve ka vazhduar në komunat Komsi e Kutari.
“Ne nuk na bashkon asgjë me kryeministrin dhe një tufë ministrash. Ata duhet të largohen. Por qëllimi ynë nuk është vetëm të zbresim nga kali disa ministra dhe të hipim ca të tjerë. Qëllimi ynë është t’i japim jetë një politike të re, një bashkimi të ri, mes socialistësh e demokratësh, të thjeshtë e të ndershëm, të jenë prindër që i detyrohen fëmijëve një qytet apo fshat më të mire”- tha Rama.
Ai ka theksuar se e rëndësishme është që njerëzit të votojnë për njeriun, të votojnë për programin, të votojnë për vetveten dhe jo për flamurin e partisë, sepse në emër të tij, janë bërë zullume të mëdha në këtë vend. “Është tërhequr prej hunde një popull i tërë në emër të flamurëve të partisë dhe gjithashtu njerëzit janë kthyer në ushtar, ku partia i çon në humnerë”- tha ai.
Bashkëbisedimi i kryetarit socialistë me banorë të këtyre zonave ka vazhduar edhe në takime spontane ku gjendja e fshatit dhe problemet e zonave kanë qenë në qendër të diskutimeve.