Rama akuzoi prokurorinë se i jep dosjet PL, Kryemadhi: Po ushtron presion, prokuror është burri i deputetes së PS

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Edi Rama një ditë më parë nga Kuvendi ku akuzoi prokurorinë e Tiranës se u jep dosjet e evazionit fiskal Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë duke bërë pazar. Në një konferencë me gazetarët, Kryemadhi tha se prokuror i dosjeve është burri i një deputeteje të PS dhe sipas saj nuk ka logjikë që ai t’i jap dosjet PL.
“Prokurori që ka qenë përgjegjës, burri i një deputeteje socialiste. Nuk besoj që burri i deputetes i ka dhënë Monikës dosjen e evazionit fiskal. Presioni që ka ushtruar Rama ndaj prokurorisë për të mos vepruar për të hetuar për inceneratorin e Tiranës”, tha Kryemadhi.
Lidhur me evazioni fiskal, Kryemadhi tha se janë 19 kompani të tjera që e kryejnë këtë abuzim të financuar nga Klodian Zoto, krahas 24 kompanive që ajo kishte denoncuar më herët. Kryemadhi tha se prokuroria minimumi që duhet të bëjë është të bllokojë pagesat për inceneratorin e Tiranës.
‘Inceneratori i Tiranës, Offshore ka paguar Klodian Zoton deri më sot me 25 milion dollarë të cilat Zoto këto para i ka paguar në 19 kompani të tjera që kanë kryer evazion fiskal. Në 25 milionë dollarë që ka marrë Zoto vlera totale e gjitha e grabitur është gati 19 mln dollarë e sekuestruar e futur në xhepat e tyre. Prokuroria ka lejuar që në xhepat e shqiptarëve t’u vidhet 15 mln dollarë. Nuk është e kollajshme të thërrasësh Erion Veliajn dhe Edi Ramën por më e pakta është të bllokojë pagesat për inceneratorin e Tiranës. Nuk mendoj që është hetim kompleksi. Është një hetim shumë i thjeshtë i inceneratorit të Tiranës”, tha Kryemadhi.
/rtsh.al/