Kuvend/ Peleshi: Buxheti 2023 është i rezistencës ndaj krizës së shkaktuar nga lufta! Këlliçi: Penalizon qytetarët

Paga e ushtarakëve në janar të 2023 do të rritet me 7 % dhe duke e krahasuar me periudhën 1 janar 2022 deri në janar 2023 paga e tyre ka pësuar një rritje me 40 %. Këtë e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i cili tha se kjo rritje do të ndodh çdo vit.
“Kam një lajm për shtresën që përfaqësoj, për gjithë ushtarakët, rreth 7 mijë, që do të përfitojnë një rritje të re të pagës me këtë buxhet. Nga korriku ata marrin 30% më shumë pagë, në janar mbi këtë 30% shton edhe 7%. Pra është një rritje 40% e pagës, nëse merrte 500 mijë lekë në 2022, tani do marrë 700 mijë lekë, kjo është për pagën më të ulët, dhe vijon për të gjithë. Thamë që do i rrisim pagat çdo vit dhe po e mbajmë fjalën, dhe do t’i rrisim deri sa t’i kalojmë ato të rajonit”, tha Peleshi.
Duke folur për buxhetin 2023 në Kuvend, ministri tha se ky ëhstë një buxhet i rezistencës ndaj krizës së shkaktuar nga një luftë që nuk ëhstë një luftë vetëm ushtarake, pasi ndodh mes dy fuqive të mëdha ekonomike në botë.
“Të gjitha koncesionet dhe PPP në total kanë një tavan të caktuar në bashkëpunim me FMN prej kohësh dhe nuk mund të dalë dot nga shinat. Nuk kemi thyer tavanin dhe po rrezikojmë buxhetit. Ky buxhet nuk është e zakonshme, është një buxhet i rezistencës ndaj një krize e shkaktuar nga një luftë. Nuk është një luftë e zakonshme, pasi janë dy fuqi të mëdha ekonomike. Në nuk jemi eksportues neto, ne jemi importues neto të energjisë, importojmë 30-40 % dhe në burse çmimi i energjisë është ndikuar nga lufta. Edhe në bujqësi ne jemi importues, por sot që nga 2013 kemi mundur të vendosim një raport të vogël mes importeve dhe eksporteve. Sfida që ka sot çdo shtet është si të menaxhoje inflacionin. Është energjia ajo që po trondit ekonomitë botërore dhe familje, dhe te familjet tona ende nuk po ndihen pasi çmimi po jepet siç ka qenë para luftës. Këtë e ka bërë vetëm Shqipëria e vogël”, tha Peleshi.
Në foltoren e Kuvendit ka folur edhe deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, i cili tha se ky buxhet penalizon qytetarët por i rëndon edhe më shumë ato dhe bizneset.
“Ulni ngarkesën fiskale, çmimet po shkojnë në stratosferë. Mos bëni si gjitholog, dëgjoni ekspertë e fushës dhe qytetarët e këtij vendi. Hiqni TVSH-në për kompanitë që investojnë në energjinë e rinovueshme. Hiqni akcizën e gazit. Ndaloni rritjen e pandalshme të inflacionit. Mundësisht mbajeni një premtim dhe çojeni buxhetin e arsimit në 5.5% siç keni premtuar. 11 mln euro do shkojnë për pronarët e inceneratorëve, për tre inceneratorë që nuk ekzistojnë dhe 1 në Tiranë që i ka pronarët në arrati. SPAK vijon të mos thërrasë kryetarin e bashkisë që me vulën e tij i ka hapur rrugë ndërtimit të kësaj firme”, tha Këlliçi.
/rtsh.al/