Zgjedhjet, PS mbledh sot asamblenë
Për zgjedhjen e deputetëve, rëndësi i është kushtuar figurës së individëve dhe integritetit moral të tyre në sytë e opinionit publik
TIRANË- Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtare, si institucioni më i lartë vendimmarrës mes dy kongreseve, për të miratuar edhe në mënyrë formale kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit.
Pavarësisht se ky proces është thuajse i përfunduar, PS kërkon sot me asamblenë dhe në datë 13 Maj me kongresin elektoral t'i jap atij edhe një formë ligjore, konform përcaktimeve që bënë statuti dhe rregullorja e partisë.
Megjithëse selia rozë i ka mbajtur sekrete këto kritere, burime pranë saj bëjnë të ditur se ashtu si edhe në zgjedhjet e mëparshme rëndësi i është kushtuar figurës së individëve dhe integritetit moral të tyre në sytë e opinionit publik.
Gjithashtu një kriter tjetër që është mbajtur parasysh deri më tani gjatë procesit të konsultimeve me kandidatët për deputetë është edhe ai i formimit profesional. Ndërkohë që nuk përjashtohen edhe kriteret bazë, që kanë të bëjnë me arsimimin, edukimin etj, ku natyrisht preferohen ata idividë që gëzojnë grada dhe tituj shkencor.
Përcaktimi i kritereve është një nga pikat më të rëndësishme në rendin e ditës së këtij forumi të lartë vendimmarrës, por jo e vetmja, pasi gjatë ditës së sotme është parashikuar edhe diskutimi mbi programin elektoral dhe qeverisës, që PS ka përgatitur në gati 18 muaj gjatë Dialogut me Shqipërinë.
Nuk bëhet fjalë për diskutimin e gjithë programit në 1 mijë faqet e tij, por vetëm të disa tezave kryesore, që kanë bëjnë me 7 fushat që PS ka shpallur edhe si më themeloret në këtë draft.
Asambleja pritet gjithashtu të diskutojë edhe për koalicionin e ardhshëm politikë me të cilin do të garojë në zgjedhjet e 28 qershorit, për të cilin pritet të merret dhe një vendim për autorizimin e kryetarit të partisë për të negociuar dhe firmosur marrëveshjet përkatëse me secilën prej forcave aleate.
Pjesë e diskutimeve në mbledhjen e sotme do të jetë edhe një raportim i sektorit të organizimit lidhur me ecurinë e proçesit elektoral brenda partisë.