“Rama, asistent i Berishës në kapjen e institucioneve”
Kryetari i Komitetit për Mbrojtejn e Kushtetutës, Artur Zheji akuzon PD dhe PS se janë duke bllokuar të drejtën e popullit për të ushtruar demokracinë direkte. Me një gjuhë të qartë dhe direkte, Zheji analizon zhvillimet më të fundit politike në vend duke pasur në qendër të gjykimeve të tij Kryeministrin Berisha dhe liderin e PS-së, Edi Rama që ai e quan asistent të Kryeministrit.
KQZ ka rrëzuar kërkesën e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës me pretendimin se nuk ishte kompetencë e saj. Mendoni se ka një prapavijë politike, për shkak se në rast të tejkalimit të kompetencave, KQZ nuk i merr fare në shqyrtim këto kërkesa?
Po ndodh pa dyshim një dramë. Shqiptarëve po u hiqen një pas një të drejtat e tyre demokratike. E drejta për Referendum, e pra e drejta për t'u shprehur përmes votës dhe bindjes së tyre, për probleme të mëdha (dhe a ka problem më të madh se Kushtetuta?) e cila mbetet pronë e tyre, tanimë të paktën teorikisht. Pra, përvijon zhvatja dhe shpronësimi i popullit tonë, shkelja e tij reale, dhuna ndaj tij.
Pasi u zhvat nga iluzioni dhe shpresa për një Shqipëri të mirëqenies dhe bollëkut, pasi u dhunua, u grabit dhe u gjakos në vitin '97, pasi u dhunua sërish në shtatorin e vitit '98, pasi u mashtrua në vitin 2005 dhe u përgjak e u vra sërish në Gërdec më 15 mars 2008, atij sërish iu vodh Kushtetuta më 21 prill 2008, falë një prapaskene politike të turpshme. Ky kalendar mynxyrash është i rëndë dhe shqiptarët nuk e meritojnë.
Ky është konteksti i reagimit të Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës. Një tendosje intelektesh dhe vullnetesh politike, për të rezistuar. Një përpjekje për të ripronësuar shqiptarët nga një e drejtë e grabitur me dhelpërinë dhe arbitraritetin e kartonëve parlamentarë, me anë të së cilës më 21 Prill 2008, nene shumë të rëndësishme dhe thelbësore të Kushtetutës u tjetërsuan, pa pyetur konstitucionalistët, pa hapur debat publik dhe pa u konsultuar me popullin që e kish votuar Kushtetutën e vitit '98, e cila dhjetë vjet më vonë, natën dhe falë kompromiseve të kulisave: u ndërrua, si të ishte një lodër në duart e disave. Kjo është flagrante dhe e patolerueshme!
Në këtë frymë ne, Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës, iu drejtuam KQZ-së, e cila me vendimin e vet mosvendim-marrës, dëshmoi një dobësi të dënueshme, u bë palë me zhvatësit e shqiptarëve nga e drejta për t'u pyetur dhe nga e drejta për të vendosur për Kushtetutën e tyre. Për të fshehur këtë pozicion aspak shqiptardashës, KQZ, na serviri një gjethe fiku shkruar me sallaturina fjalësh juridike. Kjo gjethe fiku, që vihej zakonisht në pikturat apo skulpturat e antikitetit për të fshehur organet gjenitale, që konsideroheshin aso kohe si turpe, ishte një gjethe e grisur nga morali dhe argumenti juridik. Ne dhe shqiptarët në përgjithësi pamë se prapa kësaj gjetheje, kishte një impotencë vullnetesh për të qenë vetëvendosës dhe një vyshkje personaliteti nga ana e shumicës.
Në ç'fazë ndodhet hartimi i kërkesës për referendum në adresë të Gjykatës Kushtetuese dhe a ekzistojnë rrugë të tjera qoftë dhe jo zyrtare që referendumi të zhvillohet?
Ne po hartojmë kërkesën për Gjykatën Kushtetuese. Ua kemi lënë juristëve dhe kostitucionalistëve që na mbështesin dhe besojnë në drejtësinë e kësaj sipërmarrjeje. Rrugët e tjera alternative janë në shqyrtim e sipër. Kemi një vështirësi konkrete, ne duam që të vëmë në duart e shqiptarëve një instrument real dhe të përdorshëm, një të drejtë vendimmarrjeje të mohuar, mirëpo, ata, "grabitësit" e kësaj të drejte, qëndrojnë në prita me mercenarët e tyre. Në mënyrë paradoksale kanë frikë nga populli i tyre dhe janë gati të përdorin të gjitha instrumentet e ashtuquajtura legale, të cilat i kontrollojnë ilegalisht, për të penguar këtë shprehje të demokracisë direkte që është referendumi.
Rezistenca ndaj kësaj antifryme që nuk e njeh popullin si Sovran të vetvetes, është padyshim një fitore më vete.
Pak ditë më parë, Kuvendi rrëzoi 5 dekrete të Presidentit të Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Si analist i njohur si gjykoni një votim en block të tyre dhe çfarë paralajmëron një veprim i tillë i maxhorancës?
Duke dalë nga ambientet e KQZ, ditën e vendimit të tyre deledash dhe antipopullor, deklarova se: "Sot ndjehemi në paradhomën e fashizmit!".
Nuk mendoj se bëra një teprim. Tendenca për të marshuar drejt kapjes së institucioneve apo grabitja e pavarësisë së tyre është "marshimi" i një regjimi që kërkon mbipushtet për vete dhe tredhje të pushtetit real të institucioneve, në radhë të parë të institucioneve të Drejtësisë.
Dhe e dini pse? Sepse regjimet apo ata që funksionojnë me mendësi të skajshme autoritariste, duan që arbitrariteti i veprimeve të tyre, të jetë i pandëshkueshëm.
Ata ndjehen sikur janë Zoti dhe duan në mënyrë absurde, të drejtat e Tij, të drejtat e Zotit! Këtu fillon marrëzia e regjimeve dhe diktaturave.
Evolucioni i mendimit njerëzor, këto të drejta ia njeh vetëm popullit, prandaj ka filluar zhveshja e popullit nga të drejtat e veta natyrale.
Debati për dekretet për Gjykatën e Lartë dhe rrëzimin me urdhër apo përdorimi i një trafiku potencial votash nën banak ndaj kandidaturave të Presidentit, janë sekuenca gri, të të njëjtit skenar, i cili mund të titullohej: "marshimi i arbitraritetit". Por jo vetëm kaq, këta zotërinj, duan akoma më shumë, duan njëkohësisht institucionalizimi i arbitraritetit, zyrtarizimin e tij.
Deklaratat e fundit të përfaqësuesve të lartë të dy partive, PS-PD paralajmërojnë një ujdi të re mes tyre për Kodin Zgjedhor, por dhe ngushtimin e kompetencave të presidentit nëpërmjet ndryshimit të rregullores së Parlamentit? Si e shikoni rolin e partisë më të madhe të opozitës në këtë rast, por duke gjykuar aksionin e kësaj partie në përgjithësi?
Gjithë sa thashë më lart mund të mbiquhet një partiturë pianistike që luhet me dy palë duar. Kjo muzikë e zymtë, ka dy autorë, kryeministrin aktual dhe asistentin e tij, i cili në këtë rast është edhe kryetari i partisë më të madhe të opozitës.
Edi Rama, në mosopozitën e tij, e cila quhet sot edhe "politikë e re" apo "përtej të majtës dhe të djathtës", ka varfëruar fatalisht skenën politike shqiptare. Ai, i ka hequr opozitës akuzën, i ka lidhur gjuhën dhe duart, dhe akoma më keq, vijon një bashkëpunim të dënueshëm me Berishën, i cili e ka ftuar si "ndreqës" të fasadës së tij, të shpartalluar politike nga krimi shtetëror i Gërdecit dhe dështimet e njëpasnjëshme.
Ujditë për Kodin Zgjedhor, apo mbështjellja e Presidentit, me një pezhishkë merimangash e thirrur ndryshe "rregullore e re, apo ligj special për presidentin", janë mjerisht përpjekje për të ndihmuar Saliun në luftën e tij të hapur kundër Presidentit Topi.
Partia Socialiste po shkon në zgjedhjet e vitit 2009, si një parti e sëmurë dhe me gjunjë të këputura nga asgjëbërja. Partia Socialiste ngjan tashmë me një ish-zonjë të zalisur që vuan nga kotësia. O Perëndi, e thërrasin hera-herës të gatuajë edhe gjellë të shijshme për armikun-mik, apo armikun-padron, vetë Sali Berishën.
Kështu që sikur Kryeministrit t'ia përmbysin kazanin në partinë e tij, ka gjithmonë një supë të ngrohtë që i vjen nga kuzhina e Partisë Socialiste. Dhe mos kujtoni se është e helmuar, përkundrazi është plot vitamina dhe energji.
Ky kapitullim dhe dorëheqje nga misioni opozitar i Partisë Socialiste është padyshim pika më e ulët e saj, në tërë historinë e vet politike. Timonieri aktual, përkujdeset personalisht për këtë. Mua nuk më shqetëson shumë enigma e së ardhmes së kësaj partie, por më shqetëson lënia e shqiptarëve të grabitur dhe të mashtruar nga e ashtuquajtura parti më e madhe e opozitës, si dhe lehtësirat që i jepen Berishës, në marshimin e tij autoritarist, që mund ta frymëzojë deri në ëndrrën e vjedhjes së zgjedhjeve të radhës.
Dy përfaqësuesit e shteteve më të fuqishme të botës në Tiranë, Ambasadori i SHBA dhe ai i Britanisë së Madhe reaguan ashpër dhe i kërkuan qeverisë të qëndrojë larg institucioneve të pavarura. Ishin reagime jashtë natyrës diplomatike. Pse mendoni se vijnë në këtë moment këto reagime dhe a lidhen ekskluzivisht vetëm me Gjykatën e Lartë apo me një tendencë për të kufizuar tendencën e kryeministrit Berisha për të kontrolluar pushtetin gjyqësor?
Deklaratat më të fundit të ambasadorit amerikan, janë ndërtuar mjeshtërisht në mënyrë që të mos interpretohen dot me "ashtu ose kështu". Janë direkte dhe perfekte. Janë paralajmërime që të kujtojnë vitin '96 dhe '97. Kjo do të thotë se durimi i aleatëve tanë të mëdhenj, po shteron. Kjo do të thotë se gafat dhe daullet e marshimit autoritarist të Sali Berishës, kanë zgjuar një vëmendje dhe një ankth të paparë. Ambasadori amerikan i dëgjon këto "daulle" marrëzie, më mirë se zoti Rama, dhe kjo është tejet shqetësuese. Ambasadorit amerikan dhe shtetit që ai përfaqëson, u dhimbet demokracia shqiptare më shumë se disave që fshihen katundeve për të mos parë batërdinë që bëhet në Tempullin legjislativ shqiptar.
Dhe kjo është një panorama mjerimi.
Mediat informuan se trafiku i armëve vazhdon të hetohet në SHBA, duke prangosur drejtuesit e kompanisë, e cila bënte afera me shtetin shqiptar dhe që lidhen kryesisht me çështjen "Gërdeci". Çfarë pasojash politike parashikoni për maxhorancën aktuale dhe a keni besim se do të ketë një ndëshkim penal për këtë çështje dhe deri në çfarë niveli?
Gërdeci është një varr i hapur që do të thithë brenda vetes, autorët e krimit, kushdo qofshin ata. Kanë vdekur fëmijë dhe gra, janë masakruar pleq. Asnjë prej tyre s'kish faj dhe janë martirë të korrupsionit më të zymtë. Një korrupsion që grabiti pasurinë e shqiptarëve dhe që për kusur edhe i vrau ata!
"Gërdeci" është sfida më e madhe e Drejtësisë shqiptare, është prova që ajo do të fillojë të ekzistojë ose jo. Përpjekjet për ta fshehur janë mjerane, sepse Drejtësia amerikane, për të zbuluar të vërtetat e saj, do të marrë nga dora edhe situatën tonë nëse do të jetë nevoja.
Përpjekjet politike për të fshehur krimin shtetëror të kryer më 15 Mars në Gërdec, që lidhet edhe me dekretet e Gjykatës së Lartë, edhe me sulmet ndaj Prokurorisë, edhe me pengmarrjen e lidershipit të Partisë Socialiste, janë një turr në panik, kundër kohës, që po ndërmerr Kryeministri Berisha.
Dihet kundër kohës ka vetëm humbës, historia e ka dëshmuar qindra herë këtë.
Intervistoi Robert Rakipllari