E Shtunë, 31 Tetor 2026

Van der Sar, fundi s’është më i ëmbël

Sfida ndaj Rusisë ka qenë pjesëmarrja e 128-të e portierit të “Tulipanëve”, Edvin Van Der Sar me fanellën e kombëtares së tij, një rekord për futbollin holandez, por nga ana tjetër, ka barazuar edhe rekordin që mbahej nga mbrojtësi francez, Lilian Turam, me 16 ndeshje të zhvilluara në kampionatet evropiane. 

Gjithsesi, këto shifra personale nuk e entuziazmojnë shumë mbrojtësin ekstrem të anglezëve të Mançester Junajted, pasi Van Der Sar kishte kohë që ëndërronte finalen e Vjenës, mbi të gjitha pas asaj të Moskës, në të cilën vetëm dy muaj më parë u shpall kampion Evrope me Junajted. “Nuk arrij ende ta kuptoj një tolerim të tillë nga ana jonë në sfidën kundër rusëve. I kishim ndjekur ndeshjet e tyre dhe e njihnim mjaft mirë rrezikshmërinë që paraqitnin, por pas momentit që zbritëm në fushë, i lamë shumë hapësira lojtarëve të Hidink dhe sigurisht që ata nuk kishin si të mos i shfrytëzonin për të na goditur. Për atë çfarë rusët dhanë në fushë duhen komplimentuar, pasi momentalisht, ashtu si dhe ne në fazën e grupeve, kanë zhvilluar futbollin më të bukur të këtij Evropiani. Nuk e diskutuam për asnjë minutë fitoren ndaj Italisë, Francës dhe Rumanisë, ndërkohë që ndaj Rusisë luajtëm në mënyrën më të keqe të mundshme dhe për këtë arsye më vjen shumë keq”, pranon portieri i Holandës.
Lamtumira
Me këtë disfatë, Van Der Sar i jep lamtumirën karrierës së tij, por nuk fsheh faktin se kishte ëndërruar ta përfundonte me suksesin final të Vjenës. “Dy muaj më parë u shpalla kampion i Evropës me skuadrën e Mançester Junajted, por sinqerisht që pas kualifikimit për në çerekfinalet e këtij kompeticioni kisha një bindje të madhe se ne do të ishim në finalen e Vjenës, pse jo kisha imagjinuar edhe momentin e fitimit të një trofeu të tillë. Gjithsesi, tashmë është mirë që t’i jap lamtumirën kësaj skuadre, për t’i hapur rrugën të tjerëve që të japin kontributin e tyre në emër të kësaj fanelle”, shprehet portieri i përfaqësueses holandeze dhe i Mançester Junajted, Edvin Van Der Sar.  
Van Basteni
Bashkë me Van Der Sarin, të shtunën edhe tekniku Van Bsten i dha lamtumirën aventurës me Holandën, pas dështimit kundër përfaqësuese ruse me rezultatin 3-1. Trajneri, i cili sezonin e ardhshëm do të nisë një karrierë të re në stolin e Ajaksit, shpreh të gjithë mërzinë e tij për eliminimin: “Më vjen shumë keq që nuk arritëm të kurorëzonim një paraqitje më të mirë, pse jo dhe një fitim të mundshëm të kompeticionit, pasi nëse i përmbahemi tri ndeshjeve të para në grup kishim treguar një futboll vërtet spektakolar. Tashmë, shpresojmë që vitet pasardhëse të jenë më të suksesshme”.      

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›