E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Varrezat, përligjje për “Vorio-Epirin”

Historiani i njohur, deputeti i LSI-së, Pëllumb Xhufi, në lidhje me presionin e Athinës për shtimin e numrit të varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, shprehet se ato janë pjesë e planit të vjetër grek për të ashtuquajturin "Vorio Epir". 

Aristir Lumezi

Sipas tij, edhe ish-presidenti Stefanopullos i është shprehur ish- presidentit amerikan Klinton, se Greqia në 1940 ka luftuar kundër Shqipërisë dhe jo Italisë. Xhufi flet dhe për rolin e dyshimtë të kryepeshkopit Janullatos për rastin e Kosinës.   
Zoti Xhufi, mediat raportojnë se kemi presione të reja nga ana e qeverisë greke për shtimin e numrit të varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri. Si e shikoni një tendencë të tillë të qeverisë greke dhe si e komentoni këtë shtim të varrezave?
Çështja e varrezave është një ngërç që është krijuar në marrëdhëniet mes dy vendeve. Problemi në dijeninë time ka lindur në vitet '90, përkatësisht pas viteve '95, kur qeveria e PD-së në atë kohë pas incidentit me 5 minoritarët e burgosur dhe pas shuarjes së këtij incidenti filloi të lëshojë pe në marrëdhëniet me shtetin grek. Në atë moment nga ana e Athinës zyrtare është shtruar dhe problemi i ngritjes së varrezave të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke në territorin shqiptar. Kjo çështje është futur në axhendën e bisedimeve nga pala greke, është kërkuar në vazhdimësi nënshkrimi i një marrëveshje, një protokolli përkatës dhe fillimi i ndërtimit të këtyre varrezave. Ajo që është e çuditshme është që protokolli ende sot nuk është nënshkruar, ndërsa varrezat e ushtarëve grekë të karakterit monumental janë ngritur në grykën e Këlcyrës, ku kanë zënë një territor shumë të madh, janë ngritur në Bularat dhe tani kërkohet të ngrihen dhe në Korçë dhe Ersekë, siç lexova dhe në gazetën "Panorama". Problemi për të cilën pala shqiptare ka hezituar, është se në radhë të parë këtu nuk kërkohet të ngrihet një monument simbolik, në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë, por kërkohet të "mbillen" në të gjithë vijën e të ashtuquajturit "Vorio Epir" monumente të tilla, të cilat nuk janë vetëm varreza, por shoqërohen nga kisha, manastire ndoshta dhe hotele, të cilat druhem që një ditë mund të kthehen në vende pelegrinazhi e tubimi të silogjeve "vorio-epirote". 
Pra ju thoni që ngritja e varrezave nuk ka vetëm karakter përkujtimor, por është një tendencë politike me sfond nacionalist?
Çështja është që kemi një përputhje të një ëndrre të vjetër të qarqeve nacionaliste të Greqisë, që nga koha e krijimit të shtetit grek, pra ajo e aneksimit të Shqipërisë së Jugut dhe krijimit të një peizazhi "heroik" në këtë rast, me monumente për të rënët që do të shërbenin si një atu, për të justifikuar pretendimet e tyre në këtë territor. Unë dua të kujtoj që ne ende kemi një ligj lufte mes dy vendeve, që pala greke nuk ka dashur ta abrogojë në Parlament, ne kemi ende një kufi, i cili nuk është njohur nga pala greke, e cila edhe sot refuzon të nënshkruajë një marrëveshje për kufirin që është një marrëveshje standard bazë që nënshkruhet midis dy vendeve sovrane kufitare. Gjithashtu dua të them se ne në të gjithë atë zonë kemi të rënët tanë në radhë të parë. Qoftë gjatë vitit 1913-'14, por dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore janë me mijëra shqiptarët e masakruar nga andartët grekë. Dua të kujtoj se vetëm afër Këlcyrës në fshatin Kodër janë masakruar 230 shqiptarë nga bandat greke në 1914 dhe aty s'ka asnjë monument përkujtimor. Në radhë të parë me luftën italo-greke; ka qenë një luftë midis pushtuesve italianë dhe ushtrisë greke, apo ka qenë një luftë që ushtria greke e ka bërë për të thyer agresionin italian, por në të njëjtën kohë për të pushtuar edhe territore të huaja, siç është territori shqiptar. Kjo gjë nuk mund të lejohet.       
Sipas informacioneve tuaja, cili ka qenë qëndrimi zyrtar i politikës greke për këtë moment të historisë?
Për fat të keq luftërat që janë zhvilluar në vitin 1940-'41 në territoret e Shqipërisë së Jugut, janë paraqitur si një luftë midis Greqisë e Shqipërisë dhe jo midis Greqisë dhe Italisë pushtuese. Dua të kujtoj se edhe gjatë vizitës së ish-presidentit amerikan Klinton në Athinë në vitin 1999, presidenti grek Stefanopullos kujtoi historitë, bëmat dhe sakrificat që bëri Greqia gjatë Luftës së Dytë botërore në luftën me Shqipërinë. Dhe besoj se nuk insistohet rastësisht për një gjë të tillë. Sepse me këtë kërkohet të justifikohet statusi formal i luftës që Greqia në mënyrë absurde kërkon të ruajë me Shqipërinë. 
Si e komentoni zellin e priftit Thomollari të Kosinës për t'i emërtuar të gjitha eshtrat e atij fshati si ushtarë grekë të rënë në luftë?
Ngritja e këtyre memorialëve është shoqëruar edhe me skandale, siç është rasti i Kosinës. Natyrisht është vënë një pikëpyetje e madhe dhe mbi përfaqësuesit e klerit ortodoks, i cili nëse nuk ka qenë vetë aktor në këtë histori, ka toleruar që një prift me emrin Vasil Thomollari, me një të kaluar prej keqbërësi ordiner, të drejtojë operacionin për dhunimin e varreve të civilëve e për t'i konvertuar ato në eshtra të ushtarëve grekë. Kjo është dhe një veprim i dënueshëm nga pikëpamja ligjore, por kjo dënohet dhe nga kanonet e shenjta të Kostandinopojës. Dhunimi i varreve dhe trazimi i eshtrave dënohej nga Grigori Nisus, njëlloj si vrasja.
Zoti Xhufi, pas presioneve që Athina i bën shtetit shqiptar, si i konsideroni marrëdhëniet mes dy vendeve, në të njëjtin nivel apo më të rënduara?
Unë do të thoja se këto probleme janë disa ngërçe, sepse në realitet ka një rrymë pozitive që ecën në marrëdhëniet shqiptaro-greke që japin mundësi të rregullojnë dhe këto ngërçe që dalin herë pas here. Por unë mendoj se ka një axhendë greke ndaj Shqipërisë, ku përveç faktorit të zhvillimit, ka dhe elemente të tillë, siç janë memorialet e ushtarëve, apo deklaratat e qeveritarëve të të gjitha rangjeve të Athinës nuk ngurrojnë t'ua kujtojnë politikanëve të Shqipërisë në të gjitha takimet zyrtare. Është çështja e regjistrimit të popullsisë në bazë të kombësisë, për të cilën pala greke po insiston që deklarimi i saj të bëhet mbi baza personale të deklarimit të çdo qytetari. Apo kërkesa për t'i dhënë nënshtetësinë shqiptare kryepeshkopit Janullatos, apo hapjen e shkollave greke në ato zona që ata i konsiderojnë si zona minoritare.  
Brenda kësaj klime që ju folët, Greqia mbetet një nga vendet e pakta evropiane që ende nuk ka ratifikuar MSA-në e Shqipërisë me BE-në. Si e komentoni një veprim të tillë?
Greqia po kushtëzon firmën e saj për të sanksionuar aspiratën e Shqipërisë për t'u bërë anëtare e NATO-s dhe BE-së, duke kërkuar lëshime nga qeveria shqiptare për këto çështje që sapo folëm. Unë do ta konsideroja abuzim që kërkon të sqarohet. Nuk i lejohet Greqisë si një vend i integruar në BE dhe NATO, që kërkon përmbushjen e axhendës së saj nacionale, duke e kushtëzuar pëlqimin e saj me lëshime nga qeveria shqiptare. Prandaj këto çështje kërkojnë një debat të gjerë dhe jo të mbyllur në zyrat e Kryeministrisë apo Ministrisë së Jashtme, por të bëhen temë debati të gjerë publik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›