Përgjimi i 46-vjeçares, çelësi i tri grupeve të drogës dhe armëve
Përgjimi ndaj gruas së të cilësuarit nga policia si kreu i grupit të trafikut të drogës me Gjermaninë ka bashkuar tri grupe në një rrjet të vetëm. Bëhet fjalë për Meliha Gjuzin, e cila u arrestua nga antidroga si koordinatore e një rrjeti prej 12 vetave, që merrej me trafikun e drogës e të armëve dhe është bashkëshortja e të arrestuarit në Gjermani, Dhimitraq Rapi. Sipas të dhënave policore, kapja e personave të publikuar një ditë më parë është bërë në tri operacione të ndryshme, por duke qenë se në përgjime ka dalë edhe numri i telefonit të Meliha Gjuzit, 46 vjeçe, atëherë është bërë edhe lidhja mes tyre. Sipas të dhënave policore, të parët e arrestuar gjatë këtij operacioni janë Arif Zelo, 53 vjeç, dhe Ermir Dalipaj, 32 vjeç, të dy me banim në Lushnjë. Pikërisht më 2 mars të këtij viti, policia deklaroi se gjatë operacionit “Qerreti II”, arrestoi këta dy persona, si dhe sekuestroi një sërë armësh e municionesh. Ata u kapën në afërsi të Qerretit, në Kavajë, gjatë momenteve që lëviznin me një “Benz”, me targa LU 0692 C, ku pas një kontrolli në të u bllokuan dy pistoleta “Zastava”, me 50 fishekë, si dhe një silenciator. Ndërsa në banesë iu gjetën dy pistoleta të tjera, një automatik dhe 50 fishekë të tjerë pistolete. Në sajë të hetimeve u konkludua se ata i blinin në Malin e Zi dhe i shisnin në Shqipëri. Por, duke parë më vëmendje numrat e telefonit, në celularët e tyre kanë rezultuar edhe numra gjermanë. Policia nuk ka mundur të bëjë lidhjen mes tyre dhe grupit në Gjermani. Më pas është goditur edhe grupi në Gjermani dhe dosja e tyre ka ardhur në Shqipëri, në të cilën ishin edhe emrat e Dhimitraq Rapit dhe Ilia Bregut, që mendohet se janë krerët e grupit. Në këto kushte, policia ka vënë në përgjim numrin e bashkëshortes së Rapit, Meliha Gjuzit, që u arrestua tri ditë më parë. Gjatë përgjimit, policia ka dokumentuar edhe lidhjen me dy grupet e tjera, duke bërë edhe krahasimet me numrat e përgjuar nga pala gjermane. Madje, aty është zbardhur edhe enigma e tre vëllezërve Qefalia, të cilëve iu kap një sasi e konsiderueshme droge, por që nuk dihej se nga vinte e ku do të shkonte. Më 13 mars, policia arrestoi tre vëllezërit Qefalia, mes tyre dy binjakë, të cilët u kapën rastësisht pas një sherri banal dhe gjatë kontrollit në banesë u gjetën 2 kg e 815 gramë heroinë. Sipas policisë, atë ditë ishin plagosur Gentian dhe Alehandro Memaçi, përkatësisht 28 e 27, vjeç dhe ata treguan se agresorët kishin qenë Alfred dhe Artan Qefalia, 26 vjeç, dhe vëllai i tyre më i madh, Kujtim Qefalia, 37 vjeç. Tre vëllezërit ishin të njohur nga policia, ndërkohë që Alfredi nuk kishte shumë që ishte liruar nga burgu, pasi ka qenë i dënuar për grabitje me armë. Duke kontrolluar banesën, policia gjeti drogën. Por deri në ato momente, policia shqiptare nuk paraqiti të dhëna që i lidhnin tre vëllezërit me dy lushnjarët. Megjithatë, Meliha Gjuzi ka bërë lidhjen mes tyre dhe pas ardhjes së dosjes edhe nga Gjermania, ku janë kapur edhe gjashtë shqiptarë të tjerë, policia deklaroi se ata kanë bashkëpunuar mes tyre. Policia tha se Gjuzi dyshohet se bënte rolin e koordinatores në Shqipëri, duke shfrytëzuar lidhjet e saj miqësore, që i kishte edhe nga pushteti i të shoqit.
#