E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomati hungarez, Balazs: Shqipëria jo në BE brenda 2014-s

Deklarata

Plani grek për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian brenda vitit 2014 është i pamundur për t’u realizuar. Të paktën ky është gjykimi që vjen nga një vend anëtar, afër rajonit tonë si Hungaria, e cila përmes ministrit të Jashtëm, Peter Balazs, ka nënvizuar se i vetmi vend që mund të arrijë këtë objektiv është Kroacia. “Ratifikimi i marrëveshjes së pranimit me Kroacinë mund të fillojë në 2011-n, ndërsa negociatat me Malin e Zi dhe Serbinë do të duan disa vjet”, citon media serbe “B92” diplomatin hungarez. Gjatë një takimi në Budapest me homologët serbë, kroatë dhe zëvendësministrin grek të Jashtëm, Dimitris Droutsas, Balazs ndër të tjera ka nënvizuar se një nga çështjet që kërkon aktualisht një zgjidhje konkrete është heqja e regjimit të vizave me Bosnjën dhe Shqipërinë, sikurse u veprua me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. “është e rëndësishme heqja e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën...”, u shpreh ministri i Jashtëm hungarez, duke shtuar më tej se në çdo rast BE nuk do ta harrojë Ballkanin. “BE nuk mund ta harrojë Ballkanin, pasi po të lihet Ballkani pas, ai do të kthehet në një faktor destabilizues...”, vijoi ai duke shprehur gjithsesi mbështetje në parim për planin grek. Sipas Balazs, që vizitoi javën e shkuar edhe vendin tonë, projekti i Athinës është jo realist në afate dhe jo në përmbajtjen e vet, e cila është në përputhje me politikat e BE.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›