E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda dyshojnë rrëmbimin e ish-këshilltarit të Priftit

Eduard Belegu është zhdukur një javë më parë. Prokuroria: I privohet liria me qëllim përfitimin

Eduard Belegu, ish-këshilltari i ministrit të Ekonomisë, mund të jetë rrëmbyer për qëllime përfitimi. Ai është zhdukur prej një jave dhe, vetëm dje, dosja ka kaluar për hetime në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. “Kemi dyshime se ish-drejtori i DARFO-s është rrëmbyer. Zhdukja po hetohet nga një grup hetimor i Krimeve të Rënda, të cilët kanë marrë kontakt me familjarët e tij. Nga materialet e deritanishme ka rezultuar se automjeti i tij është gjetur në periferi të Tiranës. Gjithashtu, Belegu ka kontaktuar me disa të afërm, duke i bërë me dije largimin e tij. Megjithatë, faktet në dosje krijojnë bindjen e një rrëmbimi”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme, duke saktësuar se tashmë janë marrë në konsideratë të gjitha pistat e mundshme hetimore. Hetuesit e çështjes po verifikojnë konfliktet e mundshme të Belegut si dhe do të rimerren në pyetje familjarët e tij. Në fund të këtyre veprimeve hetimore do të hartohet një listë me personat e dyshuar dhe do të verifikohet vendndodhja e tyre, si dhe konfliktet që kanë pasur me ish-drejtorinë e DARFO-s. Pistat e mundshme të rrëmbimit janë konfliktet gjatë punëve të Belegut, ndërsa deri tani nuk është përjashtuar asnjë e dhënë. “Materialet e ardhura nga policia do të riverifikohen. çdo e dhënë do të merret në konsideratë nga hetuesit më të mirë të Krimeve të Rënda dhe në bazë të tyre do të ngrihen edhe pistat hetimore. Në krye të hetimit është vënë prokurori Eugen Beçi, i cili ka hetuar më parë zhdukjen dhe rrëmbimin e mjekut Behar Kastrati nga Hasi”, thanë burimet nga akuza qendrore.
Ish-këshilltari i ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, është zhdukur një javë më parë. Belegu ka lajmëruar vëllain me një mesazh se po largohej për disa ditë. Ai i ka kërkuar të vëllait që të mos e kërkonin, por ky i fundit e ka denoncuar rastin në polici, ndërsa telefoni i Eduard Belegut vazhdon të rezultojë i fikur. Fillimisht policia ka hedhur dyshime se ai mund të jetë larguar nga shtëpia pa pasur ndonjë konflikt të mundshëm. Të afërmit dhe miqtë kanë deklaruar në polici se ish-drejtori i DARFO ishte larguar edhe herë të tjera në këtë mënyrë, pa njoftuar njeri.

Belegu ka drejtuar disa vite më parë kompaninë koncesionare, DARFO, në Elbasan. Gjatë ushtrimit të kësaj detyre ai është arrestuar për “vjedhje me anë të shfrytëzimit të detyrës”, në nëntor të vitit të kaluar. Ndërkohë është liruar nga Gjykata e Lartë dhe gjatë kësaj kohe paraqitej në polici një herë në javë. Belegu u arrestua më 16 nëntor të vitit 2009 në Elbasan së bashku me disa persona. Sipas prokurorisë, të arrestuarit i kishin shkaktuar shtetit një dëm në shumën prej 6.5 milionë eurosh gjatë periudhës 2004-2007, kohë në të cilën kanë marrë me koncesion Uzinën e Ferrokromit në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. Por më 10 shkurt të këtij viti, Gjykata Supreme, pas ankimit të Eduard Belegut, vendosi ta lironte atë nga masa e sigurisë “arrest me burg”, duke vendosur masën “detyrim paraqitjeje në Policinë Gjyqësore çdo të hënë”. Ai jetonte në zonën e ish-Bllokut në Tiranë dhe denoncimi për zhdukjen është kryer nga bashkëshortja dhe vëllai i tij. Tashmë ngjarja po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›