E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania, 700 milionë euro Shqipërisë në 20 vjet



Bëhen plot 20 vjet që kur Shqipëria ka nisur të ketë bashkëpunim ekonomik e politik me një ndër shtetet më të fuqishme të Evropës, Gjermaninë. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Ambasada Gjermane ka publikuar botimin e dytë “Tetori gjerman”. Ky muaj do të jetë i gjithë i mbushur me aktivitete kulturore-ekonomike, si dhe do të bëhen publike projekte të reja që do të realizohen në Shqipëri me financime gjermane. Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1987, në vitin 1988 u hodhën themelet e bashkëpunimit ekonomik e politik ndërmjet të dyja vendeve. Në këto 20 vjet, Gjermania ka dhënë një ndihmë të madhe për vendin tonë. Në këto 20 vjet, Republika Federale e Gjermanisë e ka mbështetur Shqipërisë me më shumë se 700 milionë euro në formë ndihme, dy dhe shumëpalëshe. Po kështu, mbi 3000 bursa janë dhënë ndërkohë për studime, kërkime si dhe kualifikime dhe specializime në fusha nga më të ndryshmet. Financimi ka qenë kryesisht për projektet e shumta, si furnizimi me ujë 24 orë i disa qyteteve, impiantet moderne të pastrimit të ujërave të zeza, modernizimi i hidrocentraleve, linja në ndërtim e tensionit të lartë për importin dhe eksportin e energjisë elektrike, nga dhe në drejtim të Malit të Zi, përmirësimi i infrastrukturës për furnizimin me energji elektrike, një akademi profesionale, turizmi i zonave rurale si Thethi dhe shumë e shumë të tjera. Në nisje të “Tetorit gjerman”, një mesazh vjen për shqiptarët nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Bernd Borchardt: “Me javët e kulturës ne dëshirojmë të japim një kontribut në njohjen e mëtejshme të ndërsjellë të të dyja vendeve. Procesi i afrimit me njëra-tjetrën funksionon më së miri nëpërmjet shkëmbimit kulturor të qytetarëve të vendeve tona. Vetëm në këtë mënyrë lind mirëkuptimi mbi atë çka motivon, nxit, frenon ose frikëson shqiptarët e gjermanët – vetëm kështu mësojmë cilat eksperienca dhe vlera përcaktojnë marrjen e këtij apo atij vendimi nga ana e tjetrit: vetëm mbi këtë mirëkuptim mund të funksionojë bashkëjetesa në një Evropë të bashkuar”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›