E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Hajdarit, ikën nga burgu dëshmitari kyç

Arratiset nga Burgu i
Shënkollit në Lezhë Petrit
Çakrri, dëshmitar i
vrasjes së deputetit të
PD-së, Azem Hajdari. Sipas burimeve
zyrtare të Drejtorisë së
Përgjithshme të Burgjeve, Çakrri ka
lënë qelinë pas një leje shpërblyese
që kishte marrë, por kur ka
përfunduar ditët e lejes nuk është
kthyer më. Sipas burimeve nga
burgu, ai duhet të kthehej dje rreth
orës 15:00, por ka deklaruar se është
larguar për të mos iu rikthyer
sërish qelisë. Ai pretendon se e ka
mbaruar vuajtjen e dënimit dhe se
nuk ka ndërmend që të kthehet
sërish në qeli. Drejtori i Përgjithshëm
i Burgjeve, Gazmend Dibra,
tha dje se i dënuari kishte një leje
për të dalë dhe ishte pajisur me
dy kopje të lejes. Një kopje duhet
ta dorëzonte në Komisariatin e
Policisë së Kamzës dhe një kopje
duhet ta mbante vetë. Por ka
preferuar që të mos kthehet në
burg, me pretendimin se nuk
kishte kryer asnjë faj.
5 ditë në Kamzë
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve,
Gazmend Dibra, tha dje për
gazetën "Shqip" se i dënuari Petrit
Çakrri kishte marrë një leje shpërblyese
në datën 15 janar të këtij
viti. Arsyeja e dhënies së lejes ishte
për sjellje të mirë. "I kemi dhënë
edhe herë të tjera leje këtij të
dënuari dhe është kthyer. Leja
jepet në bazë të besimit që kanë
zyrtarët e burgut ndaj të dënuarit",
tha Dibra. I pyetur nëse i dënuari
duhet të ruhej nga Policia e
Shtetit gjatë kohës së lejes, Dibra
pohoi se Policia e Shtetit nuk ka për
detyrë të ruajë të dënuarit. I dënuari
shkon në rajonin e policisë ku
banon edhe i dorëzon një kopje të
lejes inspektorit të zonës. Në këtë
rast, ai duhet të dorëzonte një kopje
të lejes në Komisariatin e Policisë
së Kamzës. Por, policia e Tiranës
tha dje se i dënuari Çakrri
nuk i ka njoftuar se kishte marrë
leje nga Burgu i Lezhës, duke ngjallur
dyshime se i arratisuri nuk ka
shkuar në banesë.
Leje shpërblyese
Petrit Ramiz Çakrri, 39 vjeç, lindur
në Tropojë dhe banues në Tiranë
është i dënuar për dy vepra
penale; të vjedhjes me dhunë dhe
armëmbajtjes pa leje. Sipas Drejtorisë
së Përgjithshme të Burgjeve
ai është dënuar me 6 vjet heqje lirie,
dënim të cilin e ka përfunduar
më datë 15 maj 2006. Gjatë kohës
që ishte duke vuajtur dënimin e
parë, më datë 3 mars 2006 është
dënuar për një tjetër vepër penale
me 6 vjet heqje lirie për veprën e
mashtrimit. Këtë dënim po e kryente
në Burgun e Shënkollit në
Lezhë. "Sipas dinamikës së vuajtjes
së dënimit rezulton se i dënuari
duhet të vuajë edhe 1 vit e 4 muaj
heqje lirie, pavarësisht pretendimeve
të tij për përfundim të dënimit",
tha dje Drejtoria e Përgjithshme
e Burgjeve. Ndërkohë, sipas dispozitave
të ligjit në fuqi "Për të
drejtat dhe trajtimin e të dënuarve
dhe paraburgosurve" dhe Rregullores
së Përgjithshme të Burgjeve
duke plotësuar disa kritere ligjore
të dënuarit mund të përfitojnë leje
shpërblyese. "I dënuari Çakrri
përveç rastit konkret ka përfituar
edhe herë të tjera leje dhe është
kthyer brenda afatit të caktuar. Për
vitin 2009, Çakrri iu dha leje më
datën 15 janar 2009 ora 13:00 deri
në datë 22 janar 2009 ora 15:00",
deklarojnë burgjet. Sipas tyre, i
dënuari nuk është kthyer në afatin
e caktuar duke shkelur dispozita
ligjore të largimit të burgosurit nga
vendi i qëndrimit.
Hetimet e burgjeve
Në Burgun e Shënkollit në Lezhë
është nisur urgjentisht drejtori i Policisë
së Burgjeve për të kryer të gjitha
hetimet. "Pas informacioneve të
marra, Drejtoria e Përgjithshme e
Burgjeve ka filluar një hetim të plotë
të kësaj ngjarjeje. Kemi marrë dosjen
e të larguarit dhe kemi konstatuar
se i dënuari Petrit Çakrraj duhet të
kryente edhe 16 muaj burg. Duke
qenë në fund të dënimit, sipas
legjislacionit shqiptar në fuqi ai
mund të përfitonte deri në 25 ditë
leje në vit", thanë burimet nga Drejtoria
e Burgjeve. Sipas tyre, pavarësisht
dispozitave të mësipërme, në
Burgun e Lezhës janë nisur disa zyrtare
të lartë të burgjeve me qëllim
që të kryejnë një hetim të plotë të
kësaj ngjarjeje. Paraprakisht, burgjet
thanë se nuk kanë marrë asnjë
masë ndaj drejtuesve të burgut të
Lezhës. Ajo çfarë po investigohet
është ryshfeti që mund të kenë
marrë drejtuesit e institucionit për
dhënien e lejes të të dënuarit. Nga
ana tjetër, zyrtarë të Drejtorisë së
Përgjithshme të Burgjeve thanë se
si pasojë e largimit nga vendngjarja,
i dënuari, në bazë të nenit 323/1
të Kodit Penal mund të dënohet
deri në 5 vjet heqje lirie.

"Deputetë dhe zyrtarë, frikë nga qenia ime jashtë burgut"

Dëshmia e të arratisurit Petrit Çakrri, që "liroi" vetveten

Tetë vitet më të bukura të
jetës i kam kaluar në burg.
Mjaft më! Deputetë dhe
zyrtarë kanë frikë nga
prania ime në gjendje të lirë. Kam
shkatërruar familjen për shkak të
qëndrimit në burg. Kështu ka deklaruar
Petrit Çakrri, i arratisur dje
nga burgu. Në një prononcim për
një televizion privat, 38-vjeçari nga
Tropoja, ka lëshuar një lum akuzash
ndaj sistemit të drejtësisë. Ai
deklaroi se akuzat ndaj tij janë të
montuara dhe pas tyre qëndrojnë
zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar.
Dëshmitari në vrasjen e deputetit
të Partisë Demokratike, Azem Hajdari,
tha publikisht se pas dënimeve
të tij qëndron mafia, ndërsa
saktëson se nuk kthehet më i gjallë
në burgjet shqiptare. Në prononcimin
publik pohon se ka qenë me
leje që na datën 15 janar në orën
13:00, pasi ka marrë "dalje të
përkohshme" shpërblyese në Burgun
e Shënkollit, ku vuan një dënim
të dhënë nga Gjykata e Tiranës.
"Vendimi më ka mbaruar që në
datën 3 dhjetor 2008 dhe nuk jam
liruar, pasi prokurori më ka bërë
ankim në apel, pra në Gjykatën e
Apelit Tiranë. Kam bërë një
kërkesë për ndryshim të masës së
arrestit në Gjykatën e Tiranës dhe
më kanë zvarritur disa herë procesin",
pohoi Çakrri. Sipas tij, dy ditë
më parë në orën 14:00 ka qenë i
thirrur në gjykatë për ndryshim
mase arresti, por ajo nuk vendosi
përfundimin e seancës. "Unë burgun
e kam mbaruar dhe po i jap liri
vetes sime. Pra, jam mbajtur në
mënyrë të padrejtë në qeli dhe po
i jap liri vetes", shpjegoi 38-vjeçari.
I pyetur për arratisjen deklaroi se
po i afrohet kufirit slloven dhe nuk
dorëzohet gjallë. "E përsëris. Kam
bërë burg kot dhe po vetëlirohem.
I kërkoj ndjesë drejtorit të Burgut
të Shënkollit, por unë burgun e
kot aty. Unë jam rreth 300 kilometra
larg, në territorin malazez dhe
po shkoj në drejtim të Sllovenisë.
S‘kam kohë që të rri përjetësisht në
burg nga mafia shqiptare. Kam
tetë vjet që qëndroj kot aty pa bërë
asnjë krim. Kam marrë pafajësi.
Kam kryer 10 vite burg që në datën
3 dhjetor. Mjaft më! Unë jam akuzuar
për disa vepra penale të montuara
dhe pas tyre është mafia.
Mafia sundon në pushtetin gjyqësor",
pohoi Çakrri, duke vazhduar
se ka shkatërruar familjen, për shkak
të jetëgjatësisë në burg. "Nuk
mund të jetoj 500 vjet, prandaj i
dhashë liri vetes. Nuk mund të rri
në Shqipëri, pasi ndonjë deputet
apo zyrtar ka frikë nga prania ime.
Prandaj vendosa të bëj këtë që
bëra", pohoi Çakrri. Më pas deklaron
se do të shkoj ku të ketë vend.
"Do të shkoj larg Shqipërisë, larg
këtij vendi që më ka mbajtur në
burg padrejtësisht. Në vendlindjen
time, gjyqësori është një me
mafien", e mbyll bisedën Çakrri,
një nga njerëzit më enigmatikë
prezent në vrasjen e deputetit
Azem Hajdari, i arrestuar disa herë.

Çakrri, ankesë tek Avokati i Popullit: Më ndihmoni, unë jam i pafajshëm

Shtatë ditë më parë, Petrit
Çakrri, i arratisur dje nga
Burgu i Shënkollit, është
ankuar në zyrën e Avokatit
të Popullit rreth akuzave që rëndojnë
mbi të. Gjatë takimeve me
inspektorët e Dobjanit, ai ka deklaruar
se mbahet padrejtësisht
në burg dhe e ka mbaruar dënimin
në datën 3 dhjetor 2008.
Lajmi bëhet i ditur nga burime
zyrtare pranë Avokatit të Popullit.
Sipas tyre, Çakrri është paraqitur
ditën e premte në datën 16
janar 2009 dhe ka takuar disa komisionerë
të Dobjanit. Takimi
është bërë një ditë pasi Burgu i
Shënkollit në Lezhë i ka dhënë
leje shpërblyese për punë të
mirë. Mësohet se para nëpunësve
të Avokatit, ai është ankuar për
padrejtësitë që i janë bërë. Ka deklaruar
se akuzat ndaj tij janë të
montuara. Duke paraqitur vendime
gjykatash, 38-vjeçari që
është arrestuar rreth vitit 2001, ka
deklaruar se atij duhet t‘i përfundonte
dënimi vitin e kaluar. Pas
ankesës së bërë nga Çakrri, komisionarët
e Dobjanit i kanë premtuar se do e vizitojnë në burg për të
gjitha pretendimet e tij dhe kështu
kanë bërë. Dy ekspertët, pasi
janë vënë në dijeni të problematikës
së Çakrrit dhe pasi kanë konstatuar
se ndaj tij është bërë një
gabim, janë nisur në drejtim të
Burgut të Shënkollit në Lezhë.
Kanë takuar zyrtarët e këtij burgu
dhe kanë marrë lajmin se Çakrri
është me leje dhe leja i mbaron në
orën 15:00. Mësohet se ekspertët
e Dobjanit kanë vendosur ta presin,
por rreth orës 15:00 kanë kontaktuar
sërish zyrtarët e Burgut të
Shënkollit, të cilët u kanë thënë se
Çakrri nuk është kthyer në institucionin
e vuajtjes së dënimit.
Por ajo çka mësohet nga njerëz
të afërt të Çakrrit, por edhe nga
banorë të Kamzës në Tiranë, 38-
vjeçari ka bërë të gjitha përpjekjet
që të fitojë lirinë në rrugë ligjore.
Fillimisht është paraqitur
pranë zyrës së Avokatit të Popullit
ku ka bërë ankim, më pas është
drejtuar në Gjykatën e Tiranës ku
ka bërë një kërkesë për shuarje të
masës së arrestit dhe në fund ka
shkuar në Gjykatën e Apelit ku do
të pyeste për seancën e radhës.
Por në të tria institucionet nuk ka
marrë përgjigje, duke vendosur
që të largohet nga Burgu i
Shënkollit dhe të marrë arratinë.

I arratisuri i dënuar edhe për mashtrim

Petrit Çakrri, dëshmitari në
vrasjen e Azem Hajdarit, i
dënuar për vjedhje me armë, është
gjykuar nga Gjykata e Tiranës
edhe për akuzën e mashtrimit.
Sipas akuzës, në kohën kur i
dënuari vuante masën e dënimit
në Burgun 302, ka mashtruar
shokun e dhomës së tij. I ka premtuar
se do ta lironte në rast se ai
do të paguante një shumë prej 20
mijë eurosh parash. Çakrri i ka
premtuar bashkëvuajtësit, i dënuar
me 20 vjet burg se, nëpërmjet
vëllait do të bënte të mundur
takimin me gjyqtarët dhe, pasi të
kishte paguar një shumë parash,
do ta lironte nga burgu. Sipas të
dhënave në dosje, Petrit Çakrri e
kishte vlerësuar akuzën e fierakut
të pambështetur dhe në këto kushte
ai do ta nxirrte shumë shpejt
nga burgu. Pasi ka marrë premtimin
e të pandehurit, bashkëvuajtësi
nga Fieri ka lajmëruar gruan
në shtëpi. Më pas, ajo ka takuar
vëllain e Çakrrit, i ka dhënë paratë
dhe më pas ka pritur lirimin e bashkëshortit.
Vetëm kur kaluan disa
muaj, shoku i qelisë mësoi mashtrimin.
Vendosi ta denonconte në
polici dhe më pas në prokurori.
Menjëherë pas dënimit me 6 vjet
heqje lirie, Çakrri kërkoi të amnistohet
për veprën penale të
vjedhjes me anë të mashtrimit.

Çakrri rrëfeu vrasjen e Hajdarit: IzetHaxhia futi në kurth deputetin

Petrit Çakrri nuk ka ngurruar
asnjëherë të tregojë
vrasjen e deputetit
Azem Hajdari, mbrëmjen
e 12 shtatorit në vitin 1998.
Ai shpeshherë ka deklaruar se,
edhe nëse e thërrasin sërish për
dëshmi, do të deklarojë ato që ka
thënë para prokurorisë dhe janë
administruar në dosjen hetimore,
megjithëse nuk janë marrë
në konsideratë në vendimin
përfundimtar të Gjykatës së Tiranës.
Në disa komunikime me
median, pas gjyqit, pohonte se
një pjesë e tyre tashmë janë
dënuar, por producentët, skenaristët
dhe drejtuesit e filmit
nuk janë trazuar.
Dëshmia në gjyq
Petrit Çakrri ka dhënë dëshmi
me pranga për vrasjen e Azem
Hajdarit. Ai ka rrëfyer versionin
e tij para prokurorisë dhe
gjykatës. "Isha ulur vetëm 4 metra
larg ngjarjes, në lokalin që
atëherë quhej ‘Hanover‘ që
ndodhej në krah të ish-hotelit
‘Drini‘. Pashë Azem Hajdarin të
dilte i veshur me pardesynë e
bardhë dhe pas tij truprojat Zenel
Neza dhe Besim Çerja. Pasi u
afrua në vendin ku isha ulur, pashë
që drejt tij në takim po lëvizte
Izet Haxhia. U takuan dhe shkëmbyen
pak fjalë. Ndërkohë,
pashë dyert e makinave që ishin
të parkuara aty pranë të
hapeshin dhe prej andej të dilnin
‘cubat e Tropojës‘, Fatmir
Haklaj, Jaho Salihi dhe krutani
Naim Çangu, të cilin e kishin mik
dhe në qytetin Bajram Curri e
prisnin si të ishte Berluskoni.
Gjithçka nuk zgjati më shumë se
2 minuta. Ndodhi një zënkë dhe
kërcitën armët", do të deklaronte
Çakrri, duke shtuar se "Unë
isha nga të parët që u afrova te
trupat e pajetë. I ktheva mbarsh
dhe i pashë nëse ndokush ishte
gjallë dhe kishte nevojë për ndihmë.
Në këtë moment mbërriti
Sali Lusha. I nisëm të gjithë për
në spital. Vura re se pasi ndihmova
për nisjen e trupave për në
spital isha bërë gjithë gjak. Kisha
pantallona dhe këpucë të
bardha atë ditë, të cilat tashmë i
ruaj ashtu si ishin, me gjak. Një
ditë më pas dëshminë time të
plotë e ka marrë me shkrim ishshefi
i antiterrorit në Ministrinë
e Rendit, Sokol Bizhga".
Kërcënimet
Menjëherë pas marrjes së
vendimit të Gjykatës për çuarjen
për të dëshmuar në sallën e procesit
"Hajdari" të dëshmitarit
Petrit Çakrri në vitin 2002, një
ditë më pas, ai ka marrë një
kërcënim të fortë, të mbërritur
me anë të një letre, në qelinë e tij
të burgut. E kërcënonin me jetë
dhe i përmendnin edhe se do t‘i
zhduknin njerëzit e shtëpisë.
Çakrrit i kërkohej në letër, që të
tërhiqej nga dëshmitë e bëra më
parë dhe të mos përmendte në
dëshminë e tij momentet kur
implikohej Ismet dhe Izet Haxhia.
Por kjo dëshmi, atij - e shkruar
nga një dorë fëmije - i kishte
mbërritur edhe një herë tjetër,
një letër kërcënimi në qeli, e cila
është botuar në gazetat e përditshme.
Asnjëherë nuk pati një
hetim për dy letrat kërcënuese të
futura në burg.
Akuzat
Në deklarata publike, Çakrri
ka thënë se është dënuar me 6
vjet heqje lirie për rrëmbim personi.
Ai deklaron se është akuzë
e montuar, pasi është prangosur
pak ditë para arrestimit të të
parit të akuzuar për dosjen "Hajdari".
"Unë jam arrestuar më 11
janar 2001, ndërsa i pari nga
vëllezërit Haxhia, Isamedini,
mesa kujtoj, u arrestua 4 ditë më
pas. Pas tij u arrestuan edhe të
tjerët. Pra mua më sajuan një
akuzë, sikur kisha marrë dikë
peng dhe më futën në burg pasi
unë isha njeriu që kisha parë nga
afër vrasjen e deputetit të Partisë
Demokratike, Azem Hajdari.
Njerëzit që më denoncuan për
sekuestrim personi ishin të Shërbimit
Sekret. Madje më rezulton
se njëri prej tyre ka dhënë dëshmi
dy vjet pasi kishte vdekur" shkruante
Çakrri. Ai thotë se është
dënuar VETËM pas njË sherri në
Bajram Curri. "U grinda me disa
burra se më zunë rrugën me makinë.
U rrahëm mirë e mirë dhe më
pas u ndamë. Kujtova se gjithçka
ishte harruar duke mbaruar me
kaq, pasi edhe për disa muaj të
tjera kam lëvizur i patrazuar nga
policia në Tropojë. Dy ditë para
se të më arrestonin, më 9 janar,
më vunë tritol në shtëpi. Unë
isha në Kosovë dhe u ktheva me
urgjencë. Atë ditë më qëlluan në
shtëpi me armë, ndërsa një ditë
më pas shefi i Komisariatit më
thirri në qytet dhe më prangosi",
tregonte ai.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›