E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama darkë pune me krerët vendorë për FRESSH-in dhe 21 janarin

13/01/2012  Ngjarjet e janarit të rëndësishme për Partinë Socialiste, fillon axhenda e aktiviteteve

Partia Socialiste ka vijuar dhe gjatë ditës së djeshme të ketë në qendër të kalendarit të saj pikërisht ngjarjet më të rëndësishme për të gjatë muajit janar. Kështu, në kuadër të 20-vjetorit të FRESSH-it dhe të një viti nga ngjarjet e 21 janarit lidershipi socialist zgjodhi që mbrëmjen e djeshme të organizonte një darkë pune me krerët vendorë të PS-së në qytetin e Durrësit. Në këtë darkë pune diskutimet janë përqendruar te pozicioni i kryetarëve të bashkive dhe komunave të PS-së përballë elektoratit. Për këtë arsye drejtuesit vendorë kanë nënvizuar nevojën e më shumë fondeve, me qëllim që të mund të realizohen kërkesat e qytetarëve, por më së shumti të plotësohen kërkesat e simpatizantëve të PS-së. Mësohet se dhe gjatë këtij takimi 20-vjetori i FRESSH-it dhe organizimi i homazheve për 21 janarin të kenë qenë pjesë e diskutimeve. po gjatë ditës së djeshme, duke u ndalur në 20-vjetorin e themelimit të organizatës së të rinjve eurosocialistë, sekretar për rininë dhe emigracionin Erion Veliaj lançoi projektin e datës 15 janar. “Data 15 janar do të shënojë nisjen e një viti të mbushur me aktivitete të shumta të të rinjve eurosocialistë dhe hapjen e këtij forumi për të gjithë të rinjtë që nuk e gjejnë veten në politikat asgjësuese rinore të kësaj qeverie. Çdokush që kërkon një hapësirë ku të dëgjohet mendimi i tij për politikat arsimore e më gjerë, edhe pse nuk mendon si të rinjtë socialistë, është i mirëpritur të thotë idetë e tij”, - deklaroi Veliaj.

Sipas tij, më 15 janar do të fillojë projekti për një Shqipëri që mund dhe do të bëhet nga të rinjtë. “Ajo që do të bëjmë më 15 janar është një festim i 20 vjetve të të rinjve socialistë dhe progresistë, të të rinjve të Shqipërisë. Këta nuk kanë qenë 20 vjet të lehtë, ka pasur disa kohë kur disa kryeministra, si zoti Pandeli Majko, kanë qenë krenaria e FRESSH-it, aktivistë si zoti Ilir Zela do të jenë me ne për të treguar si ishte në fillim kur FRESSH-i është lançuar”, - vlerësoi ai, duke shtuar: “Ajo që do të jetë themelore është se vendin kryesor dhe skenën do ta zënë të rinj nga e gjithë Shqipëria, të cilët punuan në mënyrë fantastike fushatën e fundit dhe sollën një histori suksesi, duke filluar nga Saranda, nga Himara, në Laç, në Kavajë e deri në Burrel. Kështu që ky do të jetë një moment për të falënderuar të gjithë ata të rinj që kanë punuar për FRESSH-in dhe për Partinë Socialiste.”

Fillim viti 2012

Rama drekë pune me Arvizunë

Axhenda e punës së kreut socialist Edi Rama për këtë fillim viti veç takimeve me përfaqësuesit socialistë ka përfshirë dhe një drekë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu. Të ulur në një nga restorantet në zonën pranë shtëpisë së Kryeministrit Sali Berisha, kryetari i PS-së dhe ambasadori amerikan në Tiranën zyrtare kanë zhvilluar takimin e parë për këtë vit. Duke qenë se drekën e tyre dy bashkëbiseduesit e kanë zhvilluar në kuadrin e një takimi informal, nuk u bërë publike dhe temat e diskutuara. Deri dje takimet mes Ramës dhe diplomatit amerikan si dhe diplomatëve të akredituar në Tiranën zyrtare kanë pasur në qendër të diskutimeve apelin për bashkëpunim mes pozitës e opozitës. Madje, jo të pakta kanë qenë dhe deklaratat ku diplomacia kërkonte që klasa politike të bëhej e përgjegjshme për pasojat që do të kishin për vendin mosmarrëveshjet mes dy kampeve parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›