E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama dhe Braçe në Berat për anëtarësimet e reja në FRESSH

Shpërndahen 400 tesera të reja, ftesë për angazhim në politikë.

Kryesocialisti Rama ishte dje pasdite në qytetin e Beratit, ku ka marrë pjesë në anëtarësimin e 400 të rinjve dhe të rejave të këtij qyteti në Forumin Rinor Eurosocialist. Rama u ka bërë thirrje të rinjve ti bashkohen politikës. Pa ndryshuar politikën asgjë nuk ndryshon. Bashkë mund ta bëjmë politikën atë që duhet. Duke mos u marrë me politikë ne bëhemi pengje të politikës, u shpreh Rama. Kryesocialisti shoqërohej nga i deleguari i Kryesisë Socialiste në këtë qark, Namik Dokle, sekretari për Rinisë, Erjon Veliaj, por dhe deputetët e këtij qarku. I pranishëm ishte edhe anëtari i Kryesisë, Erjon Braçe, i cili dhe pse është deleguar në qarkun e Korçës, nuk ka pranuar të shkojë dhe ka vazhduar punën me bazën socialiste të Beratit. Mësohet se ky qëndrim i Braçes nuk është diskutuar fare në takimin e zhvilluar me asamblenë socialiste të qytetit. Kreu socialist në takimin me të rinjtë nuk ka kursyer akuzat ndaj Kryeministrit Berisha e qeverisë së tij. Sipas Ramës, qeveria është e zhytur në llum dhe kërkon të mbulojë me baltë shqiptarët, siç tha ai. Kryeministri dhe ata që qeverisin bashkë me të që kur morën zgjedhjet e para, se të dytat i vodhën, u thanë shqiptarëve i kemi duart e pastra, e vetmja gjë që u ka mbetur është balta. Me baltën e mbetur duan të na bëjnë baltë të gjithë, se këta të gjithë janë zhytur në llum, tha Rama. Ai tha më tej se politika ka ndryshuar historinë, prandaj ftoi simpatizantët e majtë të Beratit të qëndrojnë të bashkuar kundër padrejtësive. Pas takimit me të rinjtë socialistë, Rama mori pjesë në mbledhjen e asamblesë së PS të Bashkisë Berat. Në këtë takim Rama u ka kërkuar anëtarëve të asamblesë që të bëjnë një analizë të thellë për gjithë situatën e ndodhur kohët e fundit në qarkun e Beratit, ku Partia Socialiste humbi qarkun që e kishte prej kohësh. Ai u ka kërkuar që të lenë mënjanë qejfmbetjet dhe të bashkohen për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjendja në Partinë Socialiste në Berat nuk është si më parë, ka përçarje midis anëtarëve, dhe ky është një shqetësim i madh për Partinë Socialiste në qendër dhe për zgjedhjet e ardhshme, mësohet të ketë thënë Rama në mbledhjen e asamblesë së Bashkisë Berat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›