Rama dhe Meidani mungojnë në mbledhjen e KPD-së
16/01/2005 Edi Rama dhe Rexhep Meidani nuk kanë marrë pjesë as në mbledhjen e zhvilluar dje të Komitetit të Përgjithshëm Drtejtues të PS-së. Që prej dhjetorit të vitit 2003, asnjë nga dy figurat socialiste nuk është paraqitur në forumet e PS-së. Megjithë mungesat, as Rama dhe as Meidani nuk kanë pranuar që të deklarojnë largimin e tyre nga Partia Socialiste. Nga ana e tij, Rama ka pranuar të marrë pjesë në disa mbledhje të Kryesisë së PS-së së Tiranës, ku mësohet që të ketë pranuar rolin e tij në fushatën elektorale të socialistëve. Por kreu i Bashkisë së Tiranës nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e thirrura të KPD-së. Në të kundërt me të, Meidani nuk ka marrë pjesë as në forumet e tjera të PS-së. Si Rama dhe Meidani kanë qenë konkurrentë përballë Fatos Nanos për postin e kryetarit të Partisë Socialiste në Kongresin e 12 dhjetorit të vitit 2003. Mbledhja e KPD-së së djeshme ka shënuar dhe një tjetër rekord për socialistët. KPD ka zhvilluar një mbledhje të shkurtër, ku pas fjalës së Nanos, socialistët kanë diskutuar rreth 45 minuta. Ndërsa nuk është vënë re asnjë përplasje mes socialistëve. Madje, dhe propozimet e dhëna nga Erion Braçe, që mund të sillnin përplasje, janë anashkaluar, duke mos i çuar as për votim prej anëtarëve të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues. Mbledhja e ardhshme e KPD-së pritet që të zhvillohet në fundin e muajit shkurt.