Kryeredaktori i ZP-së braktisi dje mbledhjen e KPD
16/01/2005 Kërkesa për rinovim të strukturave qendore të Partisë Socialiste e bërë nga deputeti Erion Braçe është hedhur poshtë në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues. Votëbesimi i anëtarëve të Kryesisë nuk është pranuar nga kryetari i PS-së, Fatos Nano, sipas të cilit "të gjithë kanë dhënë kontributet e tyre në PS dhe nuk është momenti për të ndërmarrë veprime të tilla". Ndërkohë, mësohet se Nano i ka kritikuar socialistët në mbledhjen e KPD-së për mungesën e bashkëpunimit me njëri-tjetrin. Ai është shprehur se bashkëpunimi është i nevojshëm për të forcuar unitetin mes socialistëve. Këto deklarata janë bërë pas paraqitjes në KPD të paketës së propozimeve nga Braçe, i cili e shikon ndryshimin e disa emrave në kryesi si një hap të nevojshëm për t'i siguruar mazhorancës fitoren në zgjedhjet e përgjithshme. Në propozimet e bëra, deputeti socialist ka kundërshtuar një sërë pikash të programit të veprimit të PS-së për vitin 2005, duke e cilësuar si jo të plotë. Mosmiratimi i propozimeve të sjella nga Braçe dhe hedhja poshtë e tyre ka qenë i vetmi moment në mbledhjen e këtij forumi që ka ngjallur debat. Si pasojë e kësaj përplasjeje, kryeredaktori i gazetës "Zëri i Popullit", ka braktisur mbledhjen. Në KPD, një propozim ka ardhuar dhe nga ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, i cili ka karkuar që t'i kushtohet më shumë vëmendje aleatëve aktualë të PS-së. Në këtë plan, Majko propozon që socialistët të përfundojnë marrëveshjet me aleatët në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Sipas tij, "Berisha ka marrë oficerin e rebelit Arben Imami në strukturat e tij". Në këtë mënyrë, ai pranon që të shikohen dhe aleancat jashtë të majtës. Mbledhja e KPD-së, e cila ka zgjatur gati dy orë ka miratuar programin e veprimit deri në zgjedhjet e verës, uljen e kuotacionit të anëtarësisë nga 50 në 20 lekë.