E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe një herë për korrupsionin

Skënder Minxhozi 

A keni dëgjuar më të flitet për luftë kundër korrupsionit? Vështirë të ketë një sondim shifror në këtë drejtim, por ajo që bie në sy është frekuenca gjithnjë e më e rrallë e përmendjes së këtij togfjalëshi që po fillon të bëhet gradualisht i bezdisshëm për qeverinë, sa më shumë që vaji i mandatit katërvjeçar shkon drejt fundit. Anatemimi i prokurorit Sollaku si personi që bllokon hetimet, është tashmë një kartë shumë e përdorur, kurse arsyet konkrete për ta valëvitur edhe një herë këtë flamur të grisur, janë gjithnjë e më të pakta. Shteti ka filluar të “rregullojë disa punë të tijat”, thënë ndryshe, të bjerë nën forcën tërheqëse të mundësive korruptive që të ofron pushteti. Në këtë mënyrë, luftës kundër korrupsionit, këtij kali të vërtetë beteje, i ka mbetur sot kaq pak mish dhe muskuj, saqë mezi mbahet në këmbë.
Shumica aktuale premtoi më 2005 që do të ndërpriste ciklin e heshtjes totale të shtetit ndaj akteve korruptive të zyrtarëve të tij. Vetë Berisha dhe lidershipi i lartë i PD-së, u zotua publikisht në atë kohë, pas një leximi përgjithësisht të saktë të kolapsit që socialistët kishin krijuar në këtë aspekt, se do të thyenin aksiomën se në Shqipëri, atyre që vjedhin nga poltroni i zyrtarit, nuk u ndodh asgjë e keqe.
Ndodhi pikërisht e kundërta. Sot shohim sesi kjo administratë nuk ka guximin të përjashtojë nga radhët e saj edhe një zyrtaruç tatimor nga Librazhdi, apo pesë, dhjetë dhe njëzet kolegë të tij në të gjitha nivelet e drejtimit shtetëror, për të cilët mediat dhe opinioni publik ofrojnë prova dhe fakte. Kjo sjellje është hiç më pak se adoptim me të keqen, në momentin që ajo fillon e penetron në poret e shtetit dhe të klasës politike drejtuese.
Në këtë mënyrë, në mesin e mandatit qeverisës, po nis e po merr formë ngadalë në të gjitha katet e shtetit “blu”, një proces alarmant korruptimi gradual, i cili në gjuhën e kafeneve të Tiranës shpesh lexohet si “fuqizim ekonomik” i maxhorancës. “Po bëjnë shumë lekë”, nuk është sot vetëm një refren popullor pa shumë baza dhe fakte apo një shprehje që i vishet rëndom kujtdo që ka një pozicion drejtues, por një ndjenjë e përgjithshme që e shtyn opinionin tonë të ndrojtur publik të mendojë, se në krahasim me ata që ishin më parë, pakgjë ka ndryshuar. Kjo administratë, reflektim i një stili drejtues tashmë dyvjeçar, po vuan sërish nga simptomat që e bënë kaq jopopullore dhe të padurueshme administratën paraardhëse, në periudhën e fundit të qeverisjes së majtë.
Berisha dhe shteti i tij po humbet me një shpejtësi spektakolare sharmin dhe tërheqjen e “burrit të ndershëm” që ushtronte dy vjet më parë mbi turmat e etura, për pak drejtësi ligjore e sociale në këtë vend. Kjo sepse e djathta tregoi se përballë tundimit të parasë, publike apo private, ajo shfaq të njëjtat pika të dobëta, të cilat lidhen me të njëjtën sëmundje të pashërueshme: dëshirën për t’u pasuruar në rrugë të paligjshme. Kësisoj, Robespierët e verës së vitit 2005, janë shndërruar tashmë në Fushetë që bëjnë hile dhe vjedhin me rrugët, me energjinë dhe me tenderat, kudo që ata ndodhen. Dy fakte në dritën e diellit: mënyra aspak transparente me të cilën po blihen miliona kilovatorët e energjisë nga importi dhe mënyra e financimit të rrugës Durrës-Kukës. Pa folur për tenderat e dosjes së parë, burime mjaft besueshme dëshmojnë se kjo e dyta, pra rruga e Morinit, ndodhet në një fazë mjaft të avancuar identifikimi të përgjegjësive konkrete, porse heshtja e shtetit dhe pasiviteti i drejtësisë bëjnë që askush të mos ulet në bankën e të akuzuarit. Nuk ka asnjë dyshim se përballë dy situatave të mësipërme, në një kohë tjetër dhe me një qeveri tjetër, zoti Berisha do ta kishte bërë natën ditë (në fakt këto kohë ai po na e bën ditën natë), për të nxjerrë në pah përgjegjësitë financiare të atyre që përvetësojnë fonde në këto dy sektorë. Kjo dyfaqësi, kjo sjellje hipokrite dhe tejet subjektive e tij, kjo heshtje e sotme pas betejave të djeshme, na bën të mendojmë se edhe ai bashkë me maxhorancën e tij, kanë hyrë tashmë në qerthullin vicioz të pushtetit, në logjikën e interesave ekonomike që sfidojnë rregullisht çdo aspiratë për ndershmëri dhe transparencë. Kemi pra mes nesh një shtet hiç më të mirë se ai i zotit Nano, një pushtet hiç më të ndershëm se ai i të majtës, një qeverisje hiç më idealiste se ajo që dikur kishte në krye “klanin e Zemunit”. Sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë, thotë proverbi.
c

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›