E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama drejt Strasburgut për situatën politike

16/02/2011  Kreu i PS-së dhe ministri Pollo lobojnë tek parlamentarët evropianë për konfliktin politik

Dy ditë para protestës së opozitës, Parlamenti Evropian diskutoi dje në orët e darkës ngjarjet në Shqipëri

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe ministri i Inovacionit, Genc Pollo, janë nisur dje drejt Strasburgut, për të sqaruar situatën politike në vendin tonë tek anëtarët e Parlamentit Evropian dhe rrjedhimisht për të siguruar mbështetjen për çështjet që secili grupim politik mbështet. Kampet respektive nuk japin asnjë njoftim zyrtar apo ndonjë detaj rreth kësaj, por burime sigurojnë se bëhet fjalë për takim të palëve me kryetarin e Partive Popullore Evropiane, Josef Doul, si dhe parlamentarë të tjerë evropianë. Vizita e tyre bëhet disa orë para se Parlamenti Evropian të marrë në shqyrtim situatën politike në vendin tonë, diskutim që sipas axhendës së këtij institucioni është parashikuar të. Në këtë mënyrë, kreu i opozitës për njërën palë do të tentojë lobimin në lidhje me çështjet që ka ngritur e majta, sidomos për zgjedhjet në Shqipëri, si dhe ngjarjet e 21 janarit. Në këto takime Rama do të tentojë mbështetjen edhe të anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pas vizitës që këta të fundit bënë në vendin tonë. Nga ana tjetër edhe ministri i qeverisë “Berisha”, Pollo, do të paraqesë politikën e qeverisë, duke renditur edhe qëndrimet e saj në raport me aksionet e opozitës shqiptare. Nga qëndrimet e ndërkombëtarëve gjatë këtij një viti e gjysmë ndryshe nga qeveria, Opozita e Bashkuar me në krye Ramën nuk ka gjetur mbështetjen e pritur të ndërkombëtarëve. Shumë eksponentë të PPE-së, por dhe deputetë të majtë në Parlamentin Evropian, nuk kanë qenë dakord me metodat paksa të ashpra të Ramës në të bërit politikë. Qëndrimi i Parlamentit Evropian, vizita e kreut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Tiranë, Çavushoglu, apo së fundit dhe rezoluta e PPE-së kanë qenë kritikuese për opozitën. Ndërsa është munduar ti përkthejë në favor të saj këto qëndrime, asnjë eksponent i së majtës ende nuk është deklaruar për rezolutën e PPE-së. Asambleja Politike e Partive Popullore Evropiane, (PPE) përmes rezolutës dënonte “përdorimin e mjeteve dhe taktikave të dhunshme nga Edi Rama për rrëzimin e qeverisë legjitime të Shqipërisë të ardhur në pushtet me zgjedhje demokratike”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›