E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama drekë me mbështetësit, refuzojnë kritikët

06/10/2009  Rizgjedhja në krye të Partisë Socialiste, organizohet takim me grupin kuvendor

Kreu socialist Edi Rama zgjodhi organizimin e një dreke pune për të festuar fitoren e një tjetër mandati në krye të socialistëve. Kështu, gjatë ditës së djeshme Rama ftoi grupin parlamentar socialist të ndanin së bashku një fitore të tillë. Megjithëse ftesa ishte për të gjithë ligjvënësit socialistë, kritikët e Ramës përfaqësues të grupit kuvendor të PS-së kanë preferuar të mos jenë pjesë e takimit. Në këtë mënyrë, me sa duket përçarja mes radhëve do të vijojë të jetë e dukshme. Kjo për vetë faktin se kundërshtarët e linjës zyrtare në Partinë Socialiste janë të vendosur të vijojnë në qëndrimin e tyre, duke mos pranuar kësisoj që të jenë pjesë e takimeve, edhe pse e një forme tjetër ai i organizuar dje nga kryetari Rama. Ftesa për një drekë punë për të gjithë deputetët socialistë, ende të pabetuar në Kuvend për shkak të bojkotit ndaj këtij institucioni, kishte si qëllim pikërisht rizgjedhjen e Ramës në krye të Partisë Socialiste. Por nga ana tjetër një rizgjedhje e tillë, për t’u kthyer dhe më pas në kohë, rikandidimi i tij në këtë post u kundërshtua me forcë nga një pjesë e deputetëve të PS-së. Sipas tyre, pas humbjes së PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit kreu i saj duhej të largohej përfundimisht nga drejtimi i partisë, duke ia faturuar krejtësisht atij përgjegjësinë e një humbje të tillë. Për më tepër, rikandidimi i Ramës në garën për një post të tillë jo vetëm që prishi një standard të vënë nga paraardhësi i tij, por ishte dhe antistatutore. Madje, ndarja thellohet më tej pas vendimeve të marra nga lidershipi i PS-së karshi zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe institucioneve të dala prej tyre. Ardhur në këtë pikë, duke e parë dhe njëkohësisht duke e vlerësuar procesin zgjedhor në një tjetër këndvështrim, grupi kundërshtar i linjës zyrtare në PS vendosi të ndërmarrë veprime konkrete, duke krijuar lëvizjen për mendimin ndryshe brenda kësaj partie, me qëllim shpalosjen në mënyrë publike të qëndrimeve të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›