“Rama e Ngjela krijuan partinë Kristian-Islamike”
Në ditën kombëtare të Rinisë, kryeministri Berisha nuk ka lënë mënjanë batutat për kundërshtarin e tij politik Edi Rama. Gjatë vizitës në memorialin e Azem Hajdarit, pranë selisë së Partisë Demokratike, kreu i qeverisë ka folur për afrimin e Ramës në PD 18 vjet më parë dhe krijimin së bashku me avokat Ngjelën të një partie të re, të quajtur Partia Kristian Islamike. “Lëvizja e dhjetorit ishte një lëvizje e studentëve, pedagogëve dhe intelektualëve, e cila çeli dyert e lirisë për shqiptarët. Lidhur me pyetjen që bëni, nuk më kujtohet që ai të ketë qenë ditët e para. Erdhi më vonë, por për shkak të disa kritereve radikale ose gjysmë radikale të vendosura nga Partia Demokratike, për shkak se nga njëra anë ai ishte nipi i Byrosë Politike dhe biri i Komitetit Qendror, nuk u pranua në lëvizje”, u shpreh Berisha. Sipas tij “krijoi një parti të çuditshme, të quajtur “KIS”, por që s’ka asgjë të përbashkët me puthjen. Ajo ishte Partia Kristiano - Islamike, që e themeloi së bashku me avokatin dhe tre të tjerë. Me krijimin e asaj partie ata bënë një veprim jashtëzakonisht të mbrapshtë, sepse kërkuan të përziejnë fenë me partitë, me shtetin. Atëherë institucionet ndërkombëtare dhe institucionet e mëdha fetare të botës ndërhynë dhe thanë se nuk mund të shkohet më tej, pasi feja, kisha e xhamia janë të ndara nga shteti. Ky është roli i Kryetarit aktual të PS-së, me qenë se keni kuriozitet. Pra, ai erdhi më vonë për t’u bashkuar me Partinë Demokratike, por nuk e lejuan disa grupe, për shkak të atyre problemeve të tij”. Pranë memorialit të Azemit, Berisha tha se ai hyri në historinë e kombit si lideri i guximshëm i Lëvizjes së Dhjetorit, e cila çliroi shqiptarët nga diktatura më e egër që ata kanë njohur në tërë historinë e tyre.