Rama refuzon ftesën e Ilir Metës: Kodi, një çështje e mbyllur
aristir lumezi
Kreu socialist Edi Rama refuzoi dje ftesën e Ilir Metës për të diskutuar për Kodin Zgjedhor. Rama tha se çështja e Kodit Zgjedhor është një çështje e mbyllur, ndërsa me Metën mund të diskutojë vetëm rreth implementimit të tij. Këtë deklaratë kryetari socialist e bëri gjatë emisionit “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga në “Top Channel”. “Unë kam qenë dhe do të jem i gatshëm të ulem dhe të diskutoj me Ilir Metën si me çdo kënd tjetër pa asnjë dallim dhe pa asnjë paragjykim, por në rastin konkret, dua ta them se natyrisht kemi shumë gjëra për të folur dhe për të diskutuar, por të mos e harrojmë dhe të mos bëjmë sikur nuk e kuptojmë se procesi i miratimit të Kodit Zgjedhor në Kuvend është një proces i mbyllur, sepse Presidenti i Republikës e ka kthyer Kodin Zgjedhor për një pikë që ka të bëjë me afatin dhe se njëkohësisht ne kemi arsye të tjera për të diskutuar për implementimin sa më të mirë të këtij Kodi të ri”, tha Rama. Kryetari socialist u shpreh dje se, “PS-ja dhe unë personalisht do të jemi garantët e çdo vote, të çdo shqiptari dhe shqiptareje, sepse e gjithë filozofia jonë e re opozitare është që jo me çdo kusht që ne të synojmë pushtetin, por me çdo kush dhe me çdo çmim për vete ne do të bëjmë të pamundurën që pushteti t’u takojë qytetarëve. Dhe pushteti mund t’u takojë qytetarëve në rast se çdo votë do të numërohet ashtu siç qytetarët e japin”. Reagimet e kësaj periudhe të LSI-së që ka kërkuar gjithëpërfshirje dhe transparencë në hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, i cili ishte një proces i mbyllur mes PS-së dhe PD-së, Rama i konsideroi si luftë e politikës së vjetër në dëm të PS-së. “LSI ka thuajse një vit që i ka hapur PS dhe përfaqësuesve të saj një luftë që bazohet tek i gjithë arsenali i politikës së vjetër, shpifje, akuza, fyerje, duke derdhur në mjedisin publik një sasi të jashtëzakonshme energjish negative dhe nga ana tjetër duke mos pasur as kujdesin më të vogël të balancojë luftën me PS-në me luftën kundër qeverisjes së Berishës, që shpeshherë e me javë të tëra nuk janë fare në vëmendjen e këtij grupimi politik dhe e gjithë kjo mua më shkakton vetëm keqardhje, pasi është dëshmi e një krize të thellë identiteti dhe të një boshllëku të dukshëm idesh”, tha Rama. Sipas tij, “e gjitha kjo është shprehje e faktit se LSI nuk ka një projekt të ri politik, por vetëm një politikë të vjetër pa projekt. Thënë kjo, dua ta përsërisë që dera jonë është gjithnjë e hapur, që ne duam t’i japim jetë një politike të re që fillon nga një etikë e re komunikimi, sepse askush nga ne në shtëpitë tona nuk kemi folur apo dëgjuar se më i zoti është që ai dëgjon që bërtet më shumë, më të drejtë ka ai që shanë më shumë, i duhet hapur rrugë atij që nuk ndalet në përpjekjen për të bërë dëm. Ne nuk mund dot të ndryshojmë shumëçka në esencën e qeverisjes në Shqipëri, në rast se nuk ndryshojmë këtë proces politik. Duke bërë rolin e atij të voglit, që për t’u dukur i madh shanë me zë të lartë, ky grupim politik po tkurret në një pozicion të disfavorshëm për të dhe unë po e përsëris, se kjo më shkakton keqardhje”. Pak ditë më parë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh se do t’i kërkojë një takim Ramës për të diskutuar me të dhe garantuar standardet në zgjedhjet e ardhshme, i ndihmuar nga fakti i kthimit në Kuvend të Kodit Zgjedhor nga ana e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Por selia rozë nuk kishte asnjë reagim ndaj kësaj ftese, duke ia lënë fjalën dje kryetarit të saj për ta refuzuar kërkesën e Metës.
Berisha
Kreu socialist tha dje se me Sali Berishën nuk ka asnjë bashkëpunim, përkundrazi po punon që ta largojë atë nga pushteti. Kjo është maja e malit të broçkullave që janë ngritur. “Unë jam kryetari i opozitës, Sali Berisha është kryetari i qeverisë, dhe përfaqësojmë dy alternativa të ndryshme dhe dy njerëz që kërkojnë të njëjtën gjë. Përveç se unë jam kundërshtari aktual politik i Sali Berishës, unë jam kundërshtari historik i tij qysh kur ishte shoku Sali.
Nuk ka shqiptar që beson se unë po bredh në të gjithë Shqipërinë se dua të lë Sali Berishën në pushtet”, tha Rama.
Obama
Rama duke trajtuar tezën e tij të një “aleance përtej të majtës dhe të djathtës”, tha se kjo tezë është përdorur me sukses nga Toni Bler, por dhe Presidenti i ri amerikan, Barak Obama.
“Bleri, Obama folën gjatë gjithë kohës përtej të
majtës dhe të djathtës. Udhëtimi im në Shqipëri më ka krijuar një revoltë të brendshme shumë të madhe për atë që kam parë. Njësoj si të djathtët dhe të majtët vuajnë njëlloj në të gjithë vendin, për ujin, energjinë, shkollën, spitalin etj.”, tha Rama.