“Tragjedia në Butrint trembi,por nuk ndali klandestinët”
SARANDE/ SHPRESA DINE
Ngjarja e 19 tetorit të këtij viti në liqenin e Butrintit, ku humbën jetën pesë vetë, mes tyre një grua dhe një foshnjë, ka trembur klandestinët. Por, ndonëse ata kanë shmangur rrugën me varkë, nuk kanë hequr dorë nga kalimet ilegale drejt Greqisë. “Ka ndërruar tashmë taktika e kalimit të klandestinëve, në shumë raste ecin edhe me këmbë, duke bërë kilometra të tëra dhe këtë vuajtje dhe rropatje të tyre e paguajnë, madje jo lirë”, pohon në një intervistë shefi i Komisariatit të Kufirit në Sarandë, Ilir Gjoçi.
Pas tragjedisë së Butrintit, ku humbën jetën 5 klandestinë, çfarë masash ka marrë Komisariati i Kufirit?
Ngjarja e Butrintit ishte e rëndë. Erdhi si pasojë e bllokimit të së gjitha rrugëve nga ana e policisë. Lundra e Butrintit është një nga vendet më të preferuara për personat që tentojnë të shkojnë në Konispol dhe më pas të kalojnë kufirin. Pas ngjarjes tragjike nuk ka tentativa për të përdorur këtë rrugë. Janë marrë masa për sigurimin e vijës kufitare. Kontrollet janë shtrirë për të shuar tentativat, për t’u hedhur matanë me varkë, si në rastin e tragjedisë. Janë organizuar disa operacione edhe me policinë greke. Por, për të operuar më mirë dhe më shpejt ka nevojë që Komisariati i Kufirit të Sarandës të ketë më tepër forca.
Vendosja e pikës policore pikërisht tek lundra, matanë Butrintit, mos është një veprim i tepruar, që detyron klandestinët të vjedhin varka për të kaluar liqenin?
Kontrollin në vijën kufitare e bëjmë në bazë të ligjit “Për Policinë Kufitare”. Dhe kjo patrullë tek lundra është e nevojshme.
Ka shumë raste kur taksistët janë shprehur kundër kontrollit të mjeteve të tyre nga patrullat e policisë kur shkojnë në drejtim të Butrintit apo edhe më tej. Cili është reagimi juaj për këtë?
Ne nuk pengojmë njerëz që të shkojnë as në Konispol apo diku tjetër. Por kur ndalohet një qytetar dhe e pyet se ku do të shkojë dhe të thotë se do të shkojë në Greqi, madje duke mos pasur edhe dokumente, a duhet lejuar? Kemi edhe raste kur mësohen qytetarët klandestinë nga trafikantët, që të thonë në përballje me patrullën policore se do të shkojmë tek filan person në Konispol, deri duke dhënë edhe emra konkretë të fshatarëve të këtyre zonave. Pas këtyre thënieve nga ana e policisë është bërë verifikimi dhe ka rezultuar se kanë qenë blof emrat e përdoruar prej tyre dhe se qëllimi ka qenë për të kaluar kufirin. Duhet thënë se përdoren të gjitha mënyrat, si nga trafikantët edhe nga vetë klandestinët për të kaluar kufirin. Por detyra jonë ligjore është që të mos lejojmë askënd pa dokumente dhe vizë kalimi.
Sa kanë qenë efektive këto masa?
Me masat e marra nga ana jonë ka ardhur në ulje tentativa e personave, që kërkojnë të kalojnë kufirin në mënyrë klandestine, dhe gjithashtu, ka ardhur në ulje edhe numri i personave deportivë që kthen pala greke. Rreth 15 vetë në ditë deportohen tanimë nga greku, nga edhe rreth 300 e 400 në javë para disa muajsh. Gjithsej për këtë vit ka pasur 47 vepra penale të referuara në prokurori, kryesisht për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi, për falsifikim të dokumenteve shtetërore. Deri tani janë arrestuar 15 persona në flagrancë nga patrullat e policisë të kufirit për dhënie ndihmë.
Cilat janë rrugët që ndjekin klandestinët?
Rrugët janë të shumta pasi vija kufitare e Sarandës ofron shumë mundësi me vendkalime të mundshme të kufirit. Ka kategori personash në gjendje jo të mirë ekonomike, që mund të shkojnë nga Saranda dhe deri në Igumenicë me këmbë, duke ndjekur rrugët si nga Butrinti, nga Livadhjaja dhe nga rrugë të tjera. Ka grupe të tjera të caktuara, të cilat paguajnë për të shkuar në Greqi kundrejt shumave nga 300–1200 euro. Janë ndryshuar metodat dhe taktikat e lëvizjes së klandestinëve. Në fillim të vitit kishte njerëz që i vinin automjetet e tyre në dispozicion, madje në shumë raste i kanë drejtuar vetë ato, në drejtim të Konispolit apo vijës së fshatrave përreth kufirit. Pas arrestimeve të njëpasnjëshme ka ndryshuar taktika. I marrin njerëzit në këmbë, i përcjellin nëpër fusha, duke ecur me orë të tëra në kërkim për të kaluar kufirin nëse do të munden.