E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në ’91, divergjenca me Berishën për Hoxhën dhe të persekutuarit”

 

Kryetari socialist Edi Rama i dha përgjigje dje akuzave të Kryeministrit Berisha për rolin e tij në lëvizjen studentore të vitit ’90 dhe krijimin e Partisë Demokratike. “Unë u ndava prerazi me Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, pasi atëherë ai ishte shoku Sali. Ndarja kishte të bënte me qëndrimin që duhej mbajtur për figurën e Enver Hoxhës. Berisha e konsideronte Enver Hoxhën si komandantin e Luftës për çlirim, i cili filloi të gabonte pas viteve ’60. Unë ndahesha me Sali Berishën për çështjen e të burgosurve politikë. Ne kërkonim nga PD-ja të angazhohej për lirimin e tyre, ndërsa Sali Berisha i konsideronte ata si llumin e Shqipërisë”, tha Rama. Dje Kryeministri Berisha e cilësoi Ramën si të padëshiruar në Partinë Demokratike në krijimin e saj, pasi kërkonte të krijonte një parti kristiano-islamike, por dhe për shkak të prejardhjes së tij nga Byroja Politike e asaj kohe. Rama tha dje se ata që krijuan Partinë Demokratike vinin të gjithë nga Partia e Punës. “Unë i thashë arsyet parimore që më ndanë mua me Berishën dhe kompaninë e tij, që vinin aty drejtpërdrejt nga radhët e ushtarëve të regjimit. Dhe sot ai që është kryeministër i vendit, asokohe ishte shoku Sali, sekretar i Partisë së Punës, të cilin presidenti i kohës Ramiz Alia e dërgoi te studentët për të folur në emër të tij me studentët. Dhe si një komunist i përgatitur arriti ta manipulojë dhe ta çojë në drejtimin që dëshironte ai, atë që ishte një lëvizje studentore me plot studentë, intelektualë dhe pedagogë, njerëz që erdhi momenti të shpreheshin për lirinë e tyre me një parti që pastaj dalëngadalë filloi të vuaj po nga ato probleme që vuan një parti që nuk ka hapësira për lirinë e të menduarit”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›