Rama e nisi ditën e zgjedhjeve me mesazhe telefonike kërcënuese kundër policisë
Në orën 7.10 minuta të ditës së djeshme, Edi Rama në drejtim të numrave telefonikë celularë 06941... ka nisur një mesazh elektoral e kërcënues me përmbajtjen e mëposhtme:
“Sot eshte dita kur populli vendos qeverisjen e re e policia ka vetëm nje detyre kushtetuese. Garantimin e procesit zgjedhor! Sot duhet te jete nje dite e re dhe per ju duke u distancuar nga politika si kufiri qe ndan policin e shtetit nga rojet e pushtetit! Kush shkel kete kufi ju garantoj se nga ana tjeter nuk do gjej pushtetin por ligjin. Kush respekton kufirin ligjor, eshte profesionisti qe meriton respekt per detyren fisnike. Ju uroj nje dite te mbare!”.
Pavarësisht se vendi ishte në një ditë ku heshtja zgjedhore ishte në plan të parë Rama nuk është penguar të nisë mesazhin që më shumë ne normal konsiderohet si kërcënues. Dihet që operatori telefonik Vodafone ka kontrata numrash 06941...me Ministrinë e Brendshme, Prokurorinë e Tiranës, Gjykatën e Tiranës, si dhe një institucion tjetër. Duke përllogaritur një paketë numrash prej rreth 13 mijë të tilla, e duke i menduar policë të gjithë, Edi Rama nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka thyer Kodin Zgjedhor si dhe ka kërcënuar punonjësit e policisë me mesazhe krejt të panevojshme pasi këto të fundit në ushtrimin e detyrës së tyre udhëhiqen vetëm nga ligji dhe jo nga forma të tjera komunikimi. Gjuha e djeshme e Edi Ramës nuk ishte pra një gjë e papritur kundër Policisë së Shtetit, por diçka e paramenduar mirë më parë prej tij.