Meta: LSI, politikë favorizuese për gratë dhe vajzat
Gratë dhe vajzat kanë qenë dje në qendër të vëmendjes për kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Në një takim të zhvilluar në njësinë numër 3 në Tiranë, kryetari i LSI-së ka premtuar se partia që ai drejton do të favorizojë në politikë më shumë gratë dhe vajzat. Në fjalën e tij, Meta u ndal në problemet e shumta që po kalojnë këto kohët e fundit jo vetëm banorët e kësaj njësie, por e gjithë shoqëria shqiptare në përgjithësi. "Gratë dhe nënat po përjetojnë në mënyrën më të dhimbshme varfërinë që po rritet. Po jetojnë fukarallëkun që po shtohet dita-ditës. Po jetojmë atë pabarazi sociale që shton çdo ditë qeveria e Berishës", është shprehur Meta. Në këtë kuadër, kryetari i LSI-së është ndalur gjerësisht në problemet e përditshme që po kalojnë sot të gjithë shqiptarët. Ai ka akuzuar qeverinë shqiptare për mosndërhyrjen e saj për të frenuar këtë rritje galopante të çmimeve të produkteve më jetikë për të gjithë shqiptarët. Duke u ndalur në politikën e ditës, Meta u shpreh se është shumë e turpshme bashkëpunimi i lidershipit të PS-së dhe një pjesë të deputetëve të PS-së me Berishën për ndryshimin e Kushtetutës. "Ajo që nuk ndodhi atëherë falë vullnetit tuaj dhe të të gjithë shqiptarëve, për fat të keq na ndodhi më 21 Prill, në Kuvendin e Shqipërisë, ku në komandën e kryetarit aktual të PS-së dhe në akord të plotë me Sali Berishën, votuan që të forcoheshin pushtetet e Sali Berishës në kurriz të Parlamentit dhe të republikës parlamentare që kishte vendosur populli shqiptar". Më pas, ai u ndal edhe te protesta e fundit e opozitës. "Edi Rama, u shpreh Meta, nuk na kishte ftuar se si të punojmë që të heqim Sali Berishën, por na kishte ftuar si t‘i kërkojmë Sali Berishës më shumë drejtësi dhe siguri, si t‘i kërkojmë Sali Berishës të mos vjedhë. Ndaj, vijoi ai, ne u përpoqëm t‘i argumentonim se populli shqiptar nuk pret më shumë drejtësi me një njeri që dhunoi Kushtetutën. Nuk pret më shumë drejtësi me një njeri që dhunoi gjyqësorin, duke rrëzuar pesë kandidatët e Presidentit për në Gjykatën e Lartë, me një njeri që dhunon dhe mban nën presion Prokurorinë, me një njeri që kur humbet jetën dëshmitari kryesor i tragjedisë së Gërdecit, që akuzoi drejtpërdrejt Sali Berishën, nuk del për një javë të tërë në media dhe të mbajë një qëndrim, apo dhe të shprehë një keqardhje e solidaritet me familjarët e viktimave". Meta nuk ka lënë pa përmendur edhe ndryshimet më të fundit që iu bënë Rregullores së Parlamentit, që, sipas tij, kjo rregullore është një përpjekje e Sali Berishës që, në kundërshtim me Kushtetutën, t‘i lidhë duart Presidentit të Republikës. "Ndërsa me këto ndryshime, theksoi Meta, Presidenti i Republikës firmos çfarë t‘i thotë apo çfarë dëshiron Sali Berisha". Ai shprehu shqetësimin e tij edhe për sa i përket bashkëpunimit të ngushtë të deputetëve të PS-së, të cilët, sikurse i quajti Meta, janë kthyer tashmë në bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kryeministrit Berisha, si në natën e 21 prillit kur miratuan ndryshimet e Kushtetutës, apo edhe me konsensusin që i dhanë ata për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit.