E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli, lobing në OKB për Kosovën

 
 
TIRANË- Gjatë qëndrimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, është takuar me të dërguarin special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Marti Ahtisari, me të cilin ka ndarë mendime lidhur me çështjen e statusit. Topalli e ka njohur bashkëbiseduesin me lobimin, që ajo personalisht dhe përfaqësues të tjerë të shtetit shqiptar po bëjnë në mbështetje të planit të tij për Kosovën, ndërsa vetë Ahtisari është shprehur optimist për faktin që, paketa e tij "doli nga ngrirja". "Kësaj pakete tashmë i është bërë një testim dhe jam i kënaqur që ajo ka gjetur mbështetje nga shumica e vendeve", është shprehur ai. Po gjatë vizitës së saj në OKB, kryetarja Topalli u takua me zëvendëssekretaren e Përgjithshme të OKB-së, Asha Rose Migiro, me të cilën ka biseduar për pavarësinë e Kosovës, ku Topalli prezantoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të paketës Ahtisari dhe për mosvonim të zgjidhjes së statusit të pavarësisë së Kosovës. Kryeparlamentarja Topalli pati gjithashtu takime me katër nga pesë përfaqësuesit e vendeve anëtarë të përhershëm në Këshillin e Sigurimit; ambasadorin amerikan, Zalmay Khalilzad, ambasadorin e Kinës, z.Wang Guangya, ambasadorin rus, Vitaly Churkin, zëvendësambasadoren britanike, Karen Pierce.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›