E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama i kërkon Qeverisë që të shpërndajë kartat e identitetit falas

Kreu i opozitës sugjeron favore për shtetasit pa pasaportë
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka shprehur propozimin Qeverisë, që të pajisë me karta identiteti falas të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët nuk kanë mundësi ekonomike. Rama bëri thirrje se aplikimet e të gjithë shtetasve me pasaportë duhet të ndërpriten deri në 28 qershor, duke theksuar se një fushatë intensive sensibilizuese duhet të fillojë për të çuar në sportelet e aplikimit të gjithë zgjedhësit pa pasaportë. Askush smund të mbetet pa votuar pse është i varfër. Ashtu sikundër sduhet të lejojmë kurrsesi që kjo pjesë e varfër, e cila sot kërcënohet në të drejtën për votim për shkak të varfërisë, të kthehet në një rezervat ku hyjnë në funksionim skema korruptive që deformojnë votimin, u shpreh Rama. Sipas kreut të opozitës, ky propozim konkret është një tjetër shprehje e kontributit të vazhdueshëm të PS, që punët e vendit të bëhen më mirë dhe interesi i këtij vendi sot, më shumë se asnjëherë, është të dalë faqebardhë në 28 qershor për të ecur më shpejt në rrugën e Bashkimit Europian. Rama shprehu gatishmërinë për të votuar në parlament mbështetjen financiare nga buxheti i shtetit për të garantuar kartën e identitetit falas për çdo shtetas pa pasaportë që e merr atë përpara zgjedhjeve. Gjatë deklaratës, Rama shprehu shqetësimin për rrezikun e dështimit të procesit të pajisjes me karta identiteti të qytetarëve pa pasaportë. Ai vuri në dukje numrin zyrtar jashtëzakonisht të madh të qytetarëve pa pasaportë në raport me kohën jashtëzakonisht të shkurtër që ka mbetur për pajisjen e tyre me kartë identiteti, pa llogaritur faktin që sipas të dhënave ky numër është edhe më i madh. Rama ka konstatuar se të dhënat zyrtare lidhur me fluksin e aplikimeve për kartë identiteti në raport me kohën e mbetur deri në zgjedhje nuk janë aspak optimiste. Lideri Rama shprehu shqetësimin për vetë fatin e zgjedhjeve të ardhshme, ku theksoi se pa ndryshimin e kushteve të sotme, rrezikojnë të kthehen në një tjetër ngjarje dramatike për demokracinë shqiptare, ku qindra mijëra njerëzve u hiqet praktikisht e drejta kushtetuese për të votuar.
Projektligji i propozuar nga Partia Socialiste
Në projektligjin e propozuar nga PS, shpjegohet qartë se qëllimi i këtij ligji është pajisja me përparësi e një kategorie të caktuar shtetasish me letërnjoftimi elektronik me qëllim bërjen e mundur të ushtrimit të së drejtës së zgjedhjes, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2009. P/ligji thekson se objekti i tij është përcaktimi i lehtësirave financiare për kategorinë e shtetasve që nuk disponojnë pasaportë të vlefshme, që më datën 28 Qershor 2009 janë mbi ose 18 vjeç. Gjithashtu, theksohet se ngarkohet Këshilli i Ministrave të ndërmarrë një fushatë sensibilizuese reklamash në median elektronike e të shkruar, që synon nxitjen e shtetasve shqiptarë për pajisje me letërnjoftimi elektronik në zbatim të këtij ligji. Fondet për përballimin e efekteve finananciare të parashikuara në këtë ligj përballohen nga fondi i kontigjencës së miratuar për Këshillin e Ministrave në buxhetin e vitit 2009. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme rezulton që  rreth 730 mijë qytetarë nuk zotërojnë pasaportë. Kjo shifër, sipas konstatimeve të bëra nga PS në realitet mund të shkojë deri në  rreth 900 mijë votues. Në p/ligj bëhet e ditur se në bazë të këtyre të dhënave efektet financiare të këtij ligji shkojnë deri në rreth 1.1 miliardë lekë. Sipas projektligjit në fjalë, kjo kosto është lehtësisht e përballueshme nga buxheti i shtetit duke marrë në konsideratë interesin e jashtëzakonshëm dhe përfitimet e mëdha publike që ka vendi nga zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›