E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama i pari te dëshmorët, pas tij Meta

30/11/2011  Krerët e PS-së dhe të LSI-së mbajnë radhën për të zhvilluar ceremonialin solemn

Dy drejtuesit e majtë bashkohen vetëm për datën në të cilën festohet Dita e Çlirimit

Në respektim të traditës së vendosur prej pak vjetësh prej tyre, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilluan dje në një distancë kohore prej rreth një orë homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve. Kështu, edhe pse e majta vazhdon të festojë datën 29 nëntor si ditën e çlirimit të vendit, vetëm kjo i bashkon, pasi ceremonitë solemne zhvillohen në orare të ndryshme nga njëra-tjetra. E njëjta situatë u shfaq dhe këtë vit, ku përfaqësuesit e LSI-së pritën që socialistët të mbaronin homazhet e tyre për të marrë ata stafetën e ceremonialit.

Kujdesi

Fillimisht ka qenë selia e Partisë Socialiste që ka organizuar ceremoninë e saj, duke kryer kështu ritualin e përvitshëm në nderim të atyre që luftuan dhe dhanë jetën për çlirimin e vendit. Ndërkohë nën një kujdes të posaçëm stafet e dy partive të majta, tashmë kundërshtare me njëra-tjetrën, janë kujdesur që liderët të mos përplasen apo të mos rastisin për të qenë të detyruar të shtrëngojnë duart apo të krijojnë situata acarimi në publik në një ditë të shënuar.

Vetëm pak minuta pasi PS-ja ka përfunduar ceremoninë e nderimit si dhe pasi mbështetësit e kësaj force politike ishin larguar nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, LSI-ja ka nisur organizimin e ceremonialit të saj. Ilir Meta si dhe krerët më të lartë të kësaj force politike, të shoqëruar nga mbështetësit e tyre, kanë përkujtuar ditën e shënuar për çlirimin e Shqipërisë. Megjithatëm pavarësisht kujdesit për të mos lejuar as përplasje dhe as takime të detyruara, si Meta, ashtu dhe Rama kanë qëndruar në të njëjtën deklaratë për sa i përket ditës së çlirimit të vendit. Në një gjuhë të njëjtë ata theksuan se dita e çlirimit është e vendosur.

Nga ana tjetër në ceremonialin e të dy forcave politike nuk janë vendosur as rojat e nderit, por dhe as shoqërimi me bandat muzikore. Pjesë këto të ceremonialeve të vendosura prej disa vjetësh. Por përpos debateve dhe përkujdesjeve politike nuk kanë qenë të paktë veteranët, por dhe trashëgimtarët e tyre, që kanë vizituar varret e bashkëluftëtarëve apo miqve të tyre. Madje, mund të dalloje dhe shumë prej veteranëve që në diskutime apo çaste përhumbjeje kujtonin momente të luftimeve, përjetime të gëzueshme apo të hidhura gjatë viteve të luftës…

Kishte dhe prej tyre që kanë preferuar të diskutojnë edhe mbi ditën e çlirimit, duke këmbëngulur në traditën rreth 55-vjeçare të festimit të ditës së çlirimit më 29 nëntor, madje duke dhënë dhe argument të luftimit me ushtarët e fundit të prapavijës gjermane.

Homazhet e PS-së

Partia Socialiste në përkujtim të Ditës së Çlirimit zhvilloi dje rreth orës 10:00 ceremoni solemne pranë Varrezave të Dëshmorëve. Kryetari i kësaj partie, Edi Rama, bashkë me deputetë të grupit parlamentar socialist zhvilluan homazhe pranë memorialit “Nënë Shqipëri”. Në përkujtim të kësaj feste, e cila për PS-në dhe mbështetës së saj ka si datë të shënuar pikërisht 29 nëntorin, veteranë, burra gra, të rinj e të reja, të cilët iu bashkëngjitën opozitës për të marrë pjesë në homazhet pranë varrezave të Dëshmorëve të Atdheut. Gjithashtu homazhe e kurora me lule pranë memorialit “Nënë Shqipëri” vendosën edhe krerët e partive aleate të Partisë Socialiste.

Homazhet e LSI-së

Në fjalën e tij pas ceremonisë, organizuar rreth orës 10:30, Meta i vlerësoi dy datat, 28-29 nëntorin, si më të rëndësishmet në historinë e vendit tonë. Lidhur me festimin e ndarë të politikës sa i takon ditës së çlirimit Meta theksoi tha se datën e atyre që kanë luftuar nuk mund ta vendosin gjeneratat e mëvonshme, aq më tepër partitë politike.

“Fakti që në mënyrë dërrmuese shumica e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kanë zgjedhur 29 nëntorin, tregon më së miri se kjo është dita e çlirimit të vendit dhe absolutisht nuk duhet që emocionet politike të ngarkohen mbi historinë, sepse nuk i bëjnë mirë as historisë e as politikës. 29 nëntori është një ditë e madhërishme për popullin dhe për kombin shqiptar”, - tha kreu i LSI-së në fjalën e tij.

Festat e nëntorit

“28 dhe 29 nëntori janë datat më të rëndësishme në historinë tonë. 29 nëntori është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme, që i ka dhënë vlerë 28 nëntorit për një arsye shumë të qartë, sepse ka qenë fitorja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ka qenë rreshtimi shumë i mençur dhe i drejtë i partizanëve shqiptarë me ata që e fituan këtë luftë kundër nazifashizmit, që garantoi dhe i bëri të paprekshme themelet e pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Prandaj ne jemi këtu për të shprehur mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që dhanë kontributin e tyre për çlirimin e vendit më 29 nëntor të vitit 1944. Jemi këtu për të shprehur mirënjohjen ndaj dëshmorëve dhe heronjve të Luftës Antifashiste, të cilët nuk kursyen as jetën e tyre, rininë e tyre për lirinë e atdheut.”

Rama kritika Berishës në “Twitter”

Kreu socialist, Edi Rama, shigjetoi ashpër mazhorancën qeverisëse lidhur me qëndrimin që kjo e fundit mban mbi datën në të cilën festohet dita e çlirimit të vendit. Kështu, për t’i mëshuar me forcë qëndrimit të tij, Rama nuk kurseu kritikat ndaj shumicës në pushtet si në prononcimin e tij për shtyp, ashtu dhe në faqen e sociale “Twitter”. “Gëzuar Ditën e Çlirimit të vendit, 29 Nëntorin! Ditën e pandryshueshme dhe të patjetërsueshme të triumfit mbi të keqen. Ditën që u kujton të gjithë shqiptarëve se në orët e këqija të historisë paraardhësit tanë, veteranët e Luftës, u vendosën në anën e duhur të historisë. Ditën që e bashkon Shqipërinë me forcat e lirisë dhe të demokracisë. Ditën që askush nuk mund ta fshijë as nga kujtesa, as nga librat e historisë. Dhe ditën që e bënë qesharak dhe me turp këdo që përpiqet të vërë dorë mbi të”, - u shpreh Rama gjatë prononcimit të tij për mediet pas përfundimit të homazheve pranë memorialit “Nënë Shqipëri”. Ndërkohë që në rrjetin social “Twitter” Rama shtoi dhe më tej dozën e kritikave, ku, duke i shoqëruar dhe me nota ironike, u shpreh: “Ta falënderojmë Saliun që i rri larg 29 Nëntorit. S’mund të shesësh detin, të vjedhësh popullin, të importosh plehra dhe të festosh Ditën e Çlirimit.”

Nata e Bardhë zhvendoset në Vlorë

Nata e Bardhë, festa e krijuar nga ish-kryebashkiaku Edi Rama për 29 Nëntorin, këtë vit do të dalë jashtë traditës së saj pesëvjeçare. Me ndryshimin e kreut të Bashkisë kjo festë është hequr nga kalendari i festimeve. Kjo ditë për Bashkinë e Tiranës, ashtu si dhe për të gjithë administratën publike, është pushim. Sipas zyrës së shtypit në Bashki, të gjitha festimet e planifikuara nisën dhe u mbyllën më 28 nëntor. Por pavarësisht vendimit të kryebashkiakut Basha, këtë vit Nata e Bardhë nuk do të festohet në Tiranë, por do të festohet në qytetin Ismail Qemalit, në Vlorë, aty ku kryetari i Bashkisë i përket Partisë Socialiste. Këtë vit qyteti i Vlorës është kthyer në kryeqendrën e festimeve të 28 dhe 29 Nëntorit. Aktivitetet e Natës së Bardhë do të nisin në orën 18:00 në qendër të qytetit bregdetar dhe do të vijojnë gjatë gjithë natës në lokale apo pubet e qytetit të Vlorës heroike.

Protestuesit: Të rikthehen aty ku ishin, respekt për të rinjtë dëshmorë

Dita e çlirimit, të rinjtë protestë për Heronjtë e Vigut

SHKODER- Dita e çlirimit të vendit, 29 nëntori është festuar në Shkodër përsëri vetëm nga veteranët dhe drejtues e simpatizantë të Partisë Socialiste, të cilët organizuan ceremonitë përkujtimore të rastit dhe vendosën kurora me lule tek “Varrezat e dëshmorëve”, në nderim të të rënëve gjatë Luftës Nacional Çlirimtare. Por ndërkohë që veteranët dhe socialistët zhvillonin një aktivitet përkujtimor për dëshmorët e kësaj lufte, dhjetëra të rinj të mbuluar me flamujt kuq e zi kanë protestuar nëpër rrugët e qytetit të Shkodrës, duke kërkuar respekt dhe nderim për të rënët nga të gjitha forcat politike. Dhjetëra të rinj, pjesëtarë të shoqatave të ndryshme atdhetare, jo vetëm nga Shkodra, por edhe të ardhur me autovetura dhe motorë nga rrethe të ndryshme të vendit dhe kryesisht Vlora dhe Fieri janë ndalur në qendër të qytetit, ku deri para katër vitesh kishte qenë monumenti i 5 Heronjve të Vigut. Të rinjtë kanë vendosur një flamur në një nga shtyllat pranë shatërvanit dhe kanë kërkuar që monumenti i 5 heronjve të rikthehej përsëri në vendin ku kishin qenë. Më pas grupi i të rinjve është drejtuar pranë Varrezave të Dëshmorëve të luftës, ku kanë mbuluar me flamujt kuq e zi monumentin e 5 Heronjve të Vigut. Edhe nga ky vend, të rinjtë protestues kanë kërkuar që Bashkia e Shkodrës të mos i lërë këta heronj pranë vendit ku hidhen plehrat, por t’i rivendosë aty ku kishin qenë, pasi ky është minimum që mund të bëhet për ata të rinj që dhanë jetën për çlirimin e vendit. V. Abdyli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›