E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në PS, 55 për qind e socialistëve zgjedhin delegatët

Rama voton në njësinë 2, Nano nuk merr pjesë në votim. Bino replika me Braçen dhe Shamkun në ‘Facebook’.

Socialistët votuan dje për të zgjedhur trupën më të madhe përfaqësuese në Kongres. Rreth 80 mijë socialistë u thirrën për të votuar sipas parimit “një anëtar-një votë” për 850 delegatë, ndërkohë që në proces morën pjesë më shumë se 55 për qind e anëtarësisë. Procesi në përgjithësi u zhvillua i qetë, pavarësisht pretendimeve të socialistëve të ndryshëm për manipulime dhe probleme me listat. Vetëm në tri njësi mësohet se nuk u zhvilluan fare zgjedhje, sepse qendrat e votimit ishin vendosur në mjedis privat, çka nuk është pranuar nga anëtarësia. Ndërsa në Sarandë, Shëngjin dhe Shkënkoll votimi ka filluar me vonesë, pavarësisht se në fund është mbyllur normalisht.

Zgjedhjet

Procesi i votimit nisi normalisht në shumicën dërmuese të qendrave të votimit në orën e parashikuar nga Komisioni i Zgjedhjeve në parti, pavarësisht se puna përgatitore e komisionerëve nisi më shpejt. Për këtë proces ishin krijuar rreth 280 qendra votimi në të gjithë Shqipërinë, nga të cilat nuk u bë e mundur hapja vetëm për 3 prej tyre. Në përgjithësi procesi ka ecur qetë dhe pa probleme, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe rastet kur anëtarë partie se kanë gjetur emrin në listat e votimit. Pavarësisht këtyre anomalive, votimi është zhvilluar normal dhe në të kanë marrë pjesë më shumë se 55 për qind e anëtarësisë. Ndërkohë që ka pasur njësi, komuna e bashki, ku votimi ka arritur edhe shifrat e 70- 80%. Ndërkaq vetë Partia Socialiste ka bërë të ditur dje në mbrëmje se pas kërkesës së disa njësive bashkiake për shkak të fluksit të lartë të pjesëmarrjes në votim, Komisioni Zgjedhor i Tiranës udhëzoi të gjitha njësitë bashkiake që të vazhdojnë procesin derisa të votojnë të gjithë anëtarët që paraqiten për të votuar, edhe përtej orës 16. Menjëherë pas mbylljes së procesit të votimit në disa njësi është vijuar me numërimin, ashtu si edhe në Tiranë ku ky proces filloi rreth orës 9:00. për shkak të numrit të vogël të votave në disa njësi, procesi i numërimit mbaroi që dje, ndërkohë që vetëm sot Komisioni i Zgjedhjeve në parti ka paralajmëruar se do të japë një informacion të saktë mbi statistikat zgjedhore.

Rama

Edhe kreu socialist Edi Rama, ashtu si 80.000 anëtarët e tjerë të Partisë Socialiste në mbarë vendin për delegatët e Kongresit të 5 nëntorit, shprehu vullnetin e tij duke votuar në njësinë numër 2 në Tiranë. Pas votimit të fshehtë, kryetari Rama duke folur për mediat ka përshëndetur të gjithë anëtarësinë e PS-së për qytetarinë e treguar në këtë proces. “Përshëndes të gjithë anëtaret dhe të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste në të gjithë Shqipërinë, që sot, ashtu si dhe një pjesë në emigracion, po votojnë për konstituimin e Kongresit të ri të Partisë Socialiste. Jam shumë i kënaqur nga të dhënat që kemi deri tani për pjesëmarrjen. Ashtu sikundër jam shumë i kënaqur për konsolidimin e një tradite të promovimit të barazisë gjinore në forumet e Partisë Socialiste të Shqipërisë”, - tha Rama. Ndërkohë që asnjë nga zërat kritikë të kreut socialist duket se nuk ka preferuar të marrë pjesë në votim, duke iu përmbajtur pretendimeve se mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve ishte jodemokratike. Në votim nuk ka marrë pjesë as ish-kreu socialist, Fatos Nano. Nuk kanë munguar dje as akuzat e drejtpërdrejta të figurave të PS-së për manipulim të procesit, ku njëra prej tyre ka qenë edhe nga anëtarja e Asamblesë Silva Bino, e cila duke debatuar në faqen në internet të Erion Braçes, është shprehur se vota po shkon atje ku nuk dërgohet. Me Binon ka debatuar edhe deputetja Ledi Shamku, e cila e ka konsideruar vlerësimin e saj si të krijuar për së largu dhe jo nga kontakti i drejtpërdrejtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›